Ndërlidhjet

MITROVICA DHE DECENTRALIZIMI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Mitrovica pritet të jetë pika më e vështirë dhe njëkohësisht pika fillestare e decentralizimit të pushtetit në Kosovë, ndërkohë që shqiptarët dhe serbët kanë qëndrime të kundërta lidhur me modelin që do duhej zbatuar në këtë qytet. Në një kohë që përfaqësuesit serbë përkrahin modelin e formimit të dy komunave në Mitrovicë, shqiptarët thonë se çfarëdo ndarje në vija etnike është e papranueshme. Drejtori i përgjithshëm i administratës në komunën e Mitrovicës Mursel Ahmeti, tha se pushteti lokal në Mitrovicë e përkrah decentralizimin, por sipas tij, është vështirë që në Mitrovicë të flitet për këtë proces, kur ekziston një situatë jonormale, me shumë të zhvendosur dhe qytet të ndarë në dy pjesë. Ai thotë se është vështirë të flitet madje edhe për aplikimin e pilot projekteve që parashihen me planin kornizë të qeverisë së Kosovës dhe të UNMIK-ut:
"Pilot-projektet mund të funksionojnë edhe në Mitrovicë, por duhet të dihet baza fillestare, baza e nisjes. Secili model i decentralizimit që mund të zgjidhet në Mitrovicë, për momentin në situatën e krijuar në fund del në baza etnike. Unë mendoj se decentralizimi në përkufizime apo ndarje etnike nuk është i mirë dhe nuk duhet të përkrahet".
Ndërkaq, anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga koalicioni i serbëve "Kthimi" Oliver Ivanoviç, ka thënë se edhe plani i qeverisë së Kosovës dhe UNMIK-ut parasheh formimin e komunave të reja, përfshirë edhe Mitrovicën veriore, e cila de fakto është konstituuar si e tillë:
"Në veri kemi tashmë zyrën e UNMIK-ut që funksionon me të gjithë autorizimet dhe të drejtat që funksionojnë edhe komunat e tjera të Kosovës," tha Ivanoviç, sipas të cilit plani i qeverisë së Serbisë nuk merret fare me detajet teknike, por merret në mënyrë të përgjithshme me nevojat e serbëve që të kenë territore, në të cilat në mënyrë të pavarur do të organizonin pushtetin e tyre.
Ivanoviç tha se me realizimin e këtij plani, Mitrovica do të vazhdonte të mbetej e ndarë, mirëpo ky nuk do të ishte ndonjë problem, pasi sipas tij, Mitrovica do të mund të konstituohej si qytet me disa komuna:
"Në një rast të tillë do të mund të kishim një komunë të qytetit dhe një komunë të fshatit, si dhe pjesën veriore si një pjesë më vete, ndërsa në nivel të qytetit do të mund të organizohej një trup i përbashkët që do të koordinonte aktivitete apo projekte me interes të përbashkët për të dyja pjesët," tha Ivanoviç, për të shpjeguar se është një ide e moçme, që pjesa jugore e qytetit të marrë ndonjë pjesë rurale, siç është Shala e Bajgorës dhe Stantërgu.
Por, ndarja në baza etnike është krejtësisht e papranueshme për zyrtarët e komunës së Mitrovicës dhe për shqiptarët, thotë Mursel Ahmeti:
"Kjo është pika fillestare që unë mendoj se as shumica serbe nuk e përkrahin, pasi caku final i këtij modeli të decentralizimit është ndarja në baza etnike".
Zoti Ahmeti tha se ndarja në baza etnike nuk mund të funksionojë, sepse çon drejt ndarjes dhe jo drejt integrimit.
Ndërkohë, plani kornizë i qeverisë së Kosovës parasheh që në fazën e dytë të reformës së pushtetit lokal, përmes pilot-projekteve të testohet formimi i disa komunave të reja në Kosovë, në të cilat popullata edhe mund të jetë e mbizotëruar nga serbët, por nuk parashihet ndarja në vija etnike.




XS
SM
MD
LG