Ndërlidhjet

KRASNIQI: PËRFSHIRJA E PROPOZIMEVE NGA PLANI I SERBISE, HUMBJE KOHE


Jakup Krasniqi, Ministër i Shërbimeve Publike

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, ju keni kryesuar për një kohë të gjatë Grupin e përbashkët punues për hartimin e draftit kornizë për reformimin e pushtetit lokal në Kosovë. Aktualisht në administratën e UNMIK-ut janë paraqitur ide që të dëgjohet edhe plani serb në mënyrë që këto dy plane, kushtimisht thënë, ta plotësojnë njëra tjetrën. Cili është qëndrimi juaj rreth këtyre zhvillimeve ?

JAKUP KRASNIQI
Ne duhet të themi se dokumenti ynë kornizë për reformimin e pushtetit vendor, është bërë në sajë të një bashkëpunimi të ngushtë mes qeverisë së Kosovës, administratës së UNMIK-ut, ku ka qenë pjesëmarrës aktivë dhe Këshilli i Evropës përmes përfaqësesit të vet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes ekspertit të tyre për pushtetin vendor, duke përfshirë edhe minoritete të tjera të Kosovës. Përfaqësuesit serbë kanë qenë vëzhgues, por mundem të them se gjatë gjithë kohës kanë qenë aktivë dhe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesin e Këshillit të Evropës dhe administratës së UNMIK-ut. Dhe ata kanë arritur përmes tyre, të fusin edhe pjesë por edhe qëndrimin e serbëve të Kosovës, natyrisht duke qenë dhe duke patur edhe këshilltarë nga Beogradi. Konsiderojmë se ky dokument nuk ka më pse të diskutohet dhe të jetë i diskutueshëm ,për faktin se decentralizimet apo reformimet e pushtetit lokal, ua kanë hapur të gjitha rrugët. Pra nga njëra anë rekomandimet janë që të bëhen dy ligje: Ligji për funksionimin e pushtetit vendor dhe Ligji për financat e komunave. Pjesë tjetër shumë e rëndësishme është shtojca një, ku jepen një varg ligjesh që duhet të aprovohen, apo edhe të ndryshohen, që të jenë në një raport me ligjin e pushtetit vendor. Si çështje tjetër mjaft e rëndësishme është shtojca dy, e cila propozon që të formohet një grup për hartimin e një programi pilot për të parë se si do të funksiononte një komunë e ndarë në njësi nënkomunale. Dhe tani krejt puna duhet të përqëndrohet në formimin e dy grupeve. Grupit për pilot programin që do të konkretizohet dhe do të jepet në propozim, se cilat komuna do të përfshihen në këtë pilot program dhe grupi i dytë, i cili do të merret me ligjet që u përmendën. Tani konkretizimi dhe realizimi i reformimit të pushtetit lokal, duhet dhe do të bëhet me ligje. Prandaj mendoj se është harxhim i kohës çdo përpjekje për të ndryshuar dokumentin kornizë për reformimin e pushtetit lokal.

RADIO EVROPA E LIRË
A konsideroni se ka ende vend që disa pjesë, siç thuhet në qëndrimin e UNMIK-ut, të diskutohen sërisht në kuadër të grupit punues, apo të gjindet ndonjë formë tjetër që ato eventualisht të përfshihen në planin e Kosovës?

JAKUP KRASNIQI
Përsëri po them që në planin e Kosovës është përfshirë dhe çështja e sigurisë dhe çështjet që janë në kompetenca të UNMIK-ut, pasi edhe administrata e UNMIK-ut edhe përfaqësuesit e UNMIK-ut, kanë qenë bashkëdrejtues dhe bashkëpjesëmarrës në grupin e punës. Prandaj dhe mendoj se nuk ka nevojë as nga pala e tyre, sepse ata i kanë patur parasysh të gjitha këto çështje. Ne konsiderojmë se çështjet e tjera duhet të shtyhen në ligje, se ligjet janë ato që do ta përcaktojnë edhe zhvillimin ekonomik, edhe kompetencat e pushtetit vendor, edhe sigurinë e pushtetit vendor, edhe arsimin e pushtetit vendor, edhe shëndetësinë, edhe shumë çështje të tjera, që kanë të bëjnë me kompetencat dhe përgjegjësitë e komunave dhe njësive nënkomunale pastaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Në analiza të ndryshme lidhet çështja e decentralizimit dhe, kushtimisht thënë, lëshimeve në draftin për reformimin e pushtetit vendor, me pjesëmarrjen e pakicës serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Sa do të ishte e gatshme qeveria e Kosovës që në kuadër të proceseve të ardhshme, qoftë ligjeve apo të tjera, të përfillë rekomandimet që mund të vijnë nga përfaqësuesit serbë?

JAKUP KRASNIQI
Mendoj që bëhet një politizim, i cili nuk i ndihmon as serbët e Kosovës, nuk i ndihmon as zhvillimet pozitive të proceseve në Kosovë. Serbët e Kosovës mendoj që janë, po të krahasohen me minoritetet e tjera në rajonin e Evropës Juglindore, që të mos flasim për në rajone të tjera, një nga minoritetet më të privilegjuara. Kanë të drejtën jo vetëm një qytetar një votë, por faktikisht një qytetar 2 vota, po të shikohet me atë privilegjin apo diskriminimin pozitiv që i është dhënë. Çdo tolerim dhe çdo diskriminim pozitiv tjetër, pavarësisht se mund të duket se ka efekte pozitive politike, mund të ketë refleksione negative edhe në politikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rrethanat e Kosovës, sa konsideroni se do të jetë i vështirë ky proces?

JAKUP KRASNIQI
Unë mendoj që procesi i decentralizimit vështirësohet nga dy pengesa. Pengesat mund të jenë të natyrës politike, kur një palë kërkon diçka që nuk është në standardet e Bashkimit Evropian, si dhe një çështje tjetër që është mjaft e ndjeshme tek ne, e cila është çështja financiare. Decentralizimi kërkon edhe buxhet shtesë, kërkon edhe financa, por mbi të gjitha decentralizimi kërkon edhe kohë. Dhe koha është ajo që sigurisht do të përcaktojë shkallën e decentralizimit. Por një gjë është e mirë, Institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, edhe niveli komunal, edhe niveli qëndror, edhe legjislacioni, kanë gadishmërinë për të filluar reformimin e pushtetit, edhe pse jemi të bindur që ky reformim kërkon kohë, vullnet politik dhe mjete financiare.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG