Ndërlidhjet

UASHINGTON


Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mospajtim me pohimin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, sipas të cilit invazioni në Irak në mars të vitit 2003, ka qenë "i paligjshëm".
Zëdhënësi i departamentit të shtetit Richard Boucher tha se Shtetet e Bashkuara i respektojnë pikëpamjet e Annanit, por shtoi se qeveria amerikane beson që aksioni ushtarak kishte bazë legale në një varg rezolutash të Këshillit të Sigurimit për Irakun.
Gjatë fushatës parazgjedhore në shtetitn Minnesota, presidenti amerikan George Bush sërish e mbrojti invazionin e marsit, 2003, por pa ndonjë referim të drejtpërdrejtë ndaj komenteve të sekretarit të përgjithshëm.
"Kam sinjalizuar se lufta kundër Irakut nuk ishte në pajtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Nga pikëpamja jonë, nga pikëpamja e Kartës, lufta ishte e paligjshme", tha Annan për radion shtetërore britanike.
Në Sidnej, kryeministri i Australisë John Howard i hodhi poshtë pohimet e tij, duke thënë se sulmi kundër Irakut ishte legjitim dhe i justifikueshëm, si dhe kishte mbështetje në të gjitha rezolutat e mëhershme të Kombeve të Bashkuara.
"Jam pak i befasuar që 18 muaj pas ngjarjes, kjo çështje përsëri aktualizohet. Unë nuk pajtohem me komentet e sekretarit të përgjithshëm", tha John Howard, duke shtuar se pikëpamja e kreut të organizatës botërore është në mospërputhje me rekomandimin legal të dhënë asokohe, sipas së cilit, aksioni plotësisht ka qenë në pajtim me normat ndërkombëtare.
Në Varshavë, ministria e Jashtme tha se vendimet e bashkësisë ndërkombëtare për invazionin në Irak kishin bazë legale.
Në Tokio, sekretari i kabinetit Hiroyuki Hosoda tha se vërejtjet e Annanit janë "të paqarta".
XS
SM
MD
LG