Ndërlidhjet

PETERSEN: FUSHATA PARAZGJEDHORE FILLON MË 22 SHTATOR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Përkohshëm Administrues të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, përmes një letre të hapur, ka caktuar ditën e nesërme më 22 shtator, ditën e hapjes së fushatës zgjedhore. Vendimi i Petersenit e ka pasuar një vendim të mëhershëm, sipas të cilit, fushata konsiderohej e hapur më 23 shtator, por duke u bazuar në rregulloren e UNMIK-ut në të cilën parashihen 30 ditë fushatë, sonte u korrigjua ky gabim, kështu që të 32 subjektet garuese në zgjedhje, që nga nesër do të mund t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre parazgjedhore.
“Këto mund të jenë zgjedhjet më të rëndësishme të Kosovës deri më tani”, thuhet në letrën e Petersenit. “Do të zgjidhet një Kuvend dhe një Qeveri, të cilat do ta udhëheqin Kosovën përderisa po përparojmë drejt shqyrtimit të zbatimit të standardeve në mesin e vitit 2005. Po qe se rezultatet e shqyrtimit janë pozitive, atëherë rruga e bisedimeve për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës do të jetë e hapur, në të cilën përfaqësuesit tuaj të zgjedhur do të luajnë rol shumë të rëndësishëm”, shkruan zoti Petersen.
“Pjesëmarrësit në zgjedhje janë pajtuar në lidhje me rëndësinë që ka përmbushja e standardeve, duke pasur parasysh mesin e vitit 2005 si kohë për vlerësimin e plotësimit të tyre çka do të përcillet me bisedimet për statusin final të Kosovës”, thotë zëdhënësja e UNMIK-ut Mathilde Heneke, duke sqaruar letrën e zotit Petersen.
Përgjegjësi të mëdha, thuhet në letër u vihen organeve të zgjedhura në mënyrë të ligjshme, të cilat do të jenë të obliguara t’u kushtojnë vëmendje të posaçme nevojave të të gjithë individëve, e posaçërisht sigurisë të së gjitha bashkësive. Kuvendi dhe Qeveria, në të gjitha deklaratat dhe veprimet e tyre, do të jenë të obliguara të demonstrojnë maturi politike dhe ndjenjë të përgjegjësisë dhe llogarisë që do të verifikohen në shqyrtimet tremujore dhe në shqyrtimin e mesit të vitit 2005.
Petersen ua rikujton pjesëmarrësve në zgjedhje, se që të gjithë kanë premtuar garë korrekte zgjedhore dhe pranimin e rezultateve të votimit.
Po ashtu, Petersen i ka rikujtuar edhe mediat se gjatë fushatës ato do të jenë në mbikqyrje dhe shqyrtim të plotë, jo vetëm nga partitë politike, por mbi të gjitha nga publiku dhe bashkësia ndërkombëtare.
“Shumëçka është në pyetje. Katër deri në gjashtë javët e ardhme do të përcaktojnë nëse Kosova është e gatshme ta marrë një hap tjetër të rëndësishëm përpara në rrugën për t’u bërë anëtare e respektuar dhe e nderuar e rajonit dhe ta vazhdojë rrugën e saj drejt Evropës”, thuhet në letrën e zotit Soren Jessen Petersen.
Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare që nga vendosja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ndërkohë që po gjatë kësaj periudhe janë mbajtur dhe dy zgjedhje në nivelin lokal të komunave. Për zgjedhjet e sivjetme garojnë 32 subjekte politike. Ato garojnë për 100 nga 120 ulëse që ka Kuvendi i Kosovës, pasi 20 ulëse janë të rezervuara për pakicat, 10 për atë serbe e po aq për komunitetet tjera. Pas konstituimit të Kuvendit, me dy të tretat e votave zgjidhet qeveria dhe presidenti i Kosovës.

XS
SM
MD
LG