Ndërlidhjet

K. JASHARI: POZITË E OPOZITË DHE JO BASHKËQEVERISJE


KaçushaJashari, kryetare e Partisë Socialdemokrate të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Për javën e ardhshme janë paralajmëruar bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në nivelin teknik në lidhje me decentralizimin. Si i shihni ju këto biseda dhe më konkretisht çfarë prisni nga ato?

KAÇUSHA JASHARI
Decentralizimi është një nevojë. Decentralizimi i pushtetit është një prej standardeve ndërkombëtare, të cilat ne duhet t'i marrim si tonat. Por kur është çështja jonë konkrete, e Kosovës dhe Beogradit, gjithmonë e kam një mendim që shkon vështirë. Kjo për faktin se pushteti i Beogradit po tenton ta marrë rolin e subjektit edhe për Kosovën. Kosova e ka një rol tjetër tani dhe një identitet. Ne decentralizimin duhet ta bëjmë vetë në bazë të propozimit tonë. Prandaj bashkësia ndërkombëtare me siguri tani është një ndërmjetësues mes Kosovës dhe Beogradit, por tentimi i Beogradit do të jetë me siguri decentralizimi në favor të forcimit të enklavave. Ne mendojmë se pushteti në Kosovë duhet të jetë i përfshirë në tërë territorin, pra në favor të qytetarëve dhe jo në favor të etniteteve. Për këtë arsye unë nuk jam e sigurt që do të fillojë me një sukses. Dialogun duhet ta pranojmë, por edhe ne duhet të jemi të përgatitur se çfarë ofrojmë dhe jo gjithmonë të jemi të përgatitur me çfarë nuk pajtohemi, por ato çfarë mendojmë ne që duhet në Kosovë dhe në çfarë mënyre të bëhet decentralizimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas parashikimeve të ndryshme bisedimet e Vjenës mund të jenë edhe tentimi i fundit për ta bindur komunitetin serb të Kosovës që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

KAÇUSHA JASHARI
Unë nuk e di sa ka mbetur afati real për përfshirjen e tyre. Ky është një problem që përmendët të kërkesës së pushtetit të Beogradit për të manipuluar, jo vetëm të kërkesës, por edhe të manipulimit me serbët e Kosovës. Prandaj nuk e shoh unë kohën që të mund të inkuadrohet. Sa jemi ne të gatshëm dhe gadishmërinë e kemi shprehur, por mendoj se është koha të mendohet që Kosova nuk mund të presë askënd. Do të thotë që duhet të ecim drejt demokratizimit, me hapa më të shpejta drejt bashkësisë evropiane, në integrime më të gjera. Prandaj këto pengesa janë serioze, por do të jenë edhe pengesa në inkuadrimin e Serbisë në këto rrjedha demokratike. Prandaj është momenti shumë i rëndësishëm që edhe ne të shkojmë pa një ngecje për shkak të dikujt, që në këtë kohë nuk është në rrjedha demokratike. Megjithatë duhet edhe serbët të shikojnë gjendjen e tyre dhe orientimin nga duan ata të shkojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë Grupi i Kontaktit e ka rikonfirmuar gadishmërinë që të bëjnë një rishikim të standardeve dhe të ndajë fushat e prioriteteve. Sa konsideroni se në anën tjetër Prishtina ka treguar gadishmëri dhe efikasitet në përmbushjen e atyre standardeve, të cilat bashkësia ndërkombëtare është duke i caktuar si me prioritet?

KAÇUSHA JASHARI
Ne socialdemokratët standardet nuk i kemi pranuar si detyrë shtëpie. Mendojmë se obligimet të cilat janë prej standardeve, kërkesa e standardeve, është në favor të zhvillimit të sistemit tonë demokratik dhe ato janë normat ndërkombëtare. Sa më shpejt t'i plotësojmë, aq më shpejt do fitojmë synimin tonë, pavarësinë. Ne socialdemorkatët e kemi një vërejtje për institucionet tona, të cilat kanë funksionuar deri tani, që nuk janë marrë seriozisht, jo vetëm me standardet, por me efikasitetin e veprimit në të gjitha sferat e jetës. Ne mendojmë se institucionet tona janë formuar me kritere të tjera, jo në bazë të profesionalizmit, efikasitetit apo racionaliteti, por përkatësia partiake, që nesër do të na kushtojë shumë. Por kudo nuk jemi prej atyre që jemi pesimistë. Mendojmë që në këto zgjedhjet e 23 tetorit duhet të dalë në opinion një përgjegjësi, jo pos partive që u ofrojnë zgjedhësve, por edhe votuesit duhet të mendojnë se cilit subjekt duhet t'i japin votën edhe të kërkohet më vonë edhe përgjegjësia.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë ka filluar fushata për zgjedhjet e 23 tetorit. Çfarë prisni ju si kryetare e Partisë Socialdemokrate të Kosovës dhe cilat janë pikat kryesore të platformës suaj në këto zgjedhje?

KAÇUSHA JASHARI
Ne kemi shumë probleme financiare. Për fat të keq buxheti nuk është i njëjtë me atë të partive që janë në parlament. Por pa marrë parasysh, ne në fushatë kemi dalë të pregatitur, kemi bërë program konkret social për zhvillimin ekonomik, për uljen e varfërisë, për zgjidhjen e çëshjeve sociale, sepse mendojmë se këto dy komponente janë komponente të rëndësishme për pavarësinë. Pa një mirëqënie, njeriu shumë vështirë se mund të pritet një kënaqësi, por tensione politike që mund të na ngarkojnë edhe të ndalin ato procese pozitive. Prandaj ne po shkojmë me program konkret, nuk jemi parti e cila është euforike, nuk jemi parti e cila e përdor shumë folklorin për të arritur diçka, por nuk jemi të sigurt që edhe sivjet me këto zgjedhje të tetorit votuesit do të votojnë për programe, por kanë për të votuar pas liderëve. Kjo na brengos, por sërisht mendojmë se tre vite të funksionimit, janë mjaft për të vlerësuar punën deri tani dhe për t'ia dhënë votën atyre që nuk kanë patur mundësi të qeverisin. Ne si socialdemokratë dëshirojmë të kemi pozitë edhe opozitë dhe jo bashkëqeverisje sikurse deri tani, sepse është vërejtur një plogështi, një ngadalësi në punë se mesa duket janë ndarë mirë edhe sferat e interesave, sferat e veprimit. Prandaj pa opozitë në parlament, pa opozitë në opinion, hapat janë shumë më të ngadalshme.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG