Ndërlidhjet

SOLANA: ZGJEDHJET JANË TEST PËR KOSOVËN, VLERËSIMI I STANDARDEVE DO MUND TË ÇOJË DREJT PËRCAKTIMIT TË STATUSIT PËRFUNDIMTAR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Javier Solana, tha sot në Prishtinë se zgjedhjet janë të rëndësishme për përmbushjen e standardeve, vlerësimi i përmbushjes së të cilave do të çojë drejt përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Këto komente zoti Solana i ka bërë sot në Prishtinë, në një konferencë me gazetarët bashkë me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, me ç’rast ka thënë se pas zgjedhjeve UNMIK-un e pret punë e madhe për të bartur më shumë kompetenca tek institucionet vendore, të cilat në këtë kuadër duhet të tregohen të përgjegjshme për shfrytëzimin e këtyre kompetencave.
Me këtë rast, zoti Solana u ka bërë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhje:
"Mendoj se pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje do të jetë në të mirën e tyre dhe unë ndihem kështu," tha Solana, sipas të cilit serbët duhet të bëhen pjesë e procesit dhe ata mund të jenë pjesë e procesit dhe e institucioneve vetem duke marrë pjesë në zgjedhje. Solana, ashtu si edhe mikpritësi i tij, Jessen Petersen tha se lidhur me çështjen e sigurisë së serbëve janë ndërmarrë masa edhe nga UNMIK-u, por edhe nga KFOR-i, që të ofrohen kushte sigurie për pjesëmarrjen në zgjedhje.
Zoti Jessen Petersen tha se zgjedhjet janë të rëndësishme jo vetëm për serbët, por edhe për të gjithë Kosovën, pasi po hyhet në një fazë të rëndësishme:
"Me zgjedhjet e ardhshme si test, do të përshpejtojmë përmbushjen e standardeve prioritare dhe nëse bëhet një vlerësim pozitiv, në mesin e vitit 2005 do të fillojë përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës," tha zoti Jessen Petersen.
Rëndësinë e zgjedhjeve për përmbushjen e standardeve e ka ritheksuar edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian Solana, duke thënë se pas disa vlerësimesh tremujore të standardeve do të analizohet se në ç’masë janë përmbushur ato:
"Nëse kjo shkon mirë, atëherë do të jemi në gjendje të flasim edhe për statusin e Kosovës," tha Solana, duke ritheksuar se pa përmbushjen e standardeve nuk mund të fillojnë negociatat për statusin përfundimtar.
Solana më parë ka vizituar shtëpitë dhe shkollën e rindërtuar në Fushë Kosovë, të cilat qenë dëmtuar gjatë trazirave të marsit. Me këtë rast, Solana tha se i vinte mirë që shkolla ishte e hapur dhe plot me nxënës, por tha se dëshironte të shihte që njerëzit të kthehen për të jetuar në shtëpitë e tyre:
"Përderisa njerëzit nuk jetojnë nëpër shtëpitë e tyre, puna nuk do të jetë e kryer," tha Solana duke i inkurajuar që të bëjnë gjithshka është e mundur për t’i kthyer njerëzit në shtëpitë e tyre.
Më pas zoti Solana ka takuar dhe do të takojë edhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues shqiptarë e serbë të partive politike.


XS
SM
MD
LG