Ndërlidhjet

STRUCK: KFOR-I GJERMAN S'DO TË LEJOJË PËRSËRITJE TË MARSIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ushtria gjermane ka bërë një punë të mirë për shpëtimin e jetëve të njerëzve, edhe pse fatkeqësisht nuk kemi arritur t’i shpëtojmë të gjithë, ka thënë sot në Prizren Ministri gjerman i Mbrojtjes Peter Struck, duke komentuar akuzat që i janë bërë nga organizata ndërkombëtare ushtrisë gjermane se gjatë marsit ka dështuar të mbrojë jetën dhe pronën e serbëve në qytetin e Prizrenit, që është zonë e përgjegjësisë e paqëruajtësve gjermanë të KFOR-it.
"Ju e dini se KFOR-i gjerman është në Prizren për të mbrojtur edhe minoritetin serb dhe që kjo është detyrë jona, mirëpo ngjarjet si ato të marsit nuk do të lejojmë të ndodhin më," tha ministri gjerman i mbrojtjes, Peter Struck, i cili sot në orët e paradites me dyer të mbyllura ka takuar në aeroportin ushtarak të Sllatinës shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralin Iv de Kermabon.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Struck ka ardhur në Kosovë në një kohë kur ushtria gjermane u qe nënshtruar kritikave të rrepta të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe njoftimeve të tjera se ushtarët gjermanë të KFOR-it nuk janë angazhuar sa duhet për të mbrojtur serbët gjatë trazirave të marsit. Ministri Struck tha se ushtria gjermane është në Kosovë për të mbrojtur jetët e të gjithëve dhe është e kënaqur që kjo është arritur, edhe pse nuk janë shpëtuar të gjitha jetët e njerëzve.
Sidoqoftë, Struck tha se kishte ardhur sot në Kosovë për të parë ushtarët e vendit të tij:
"Kemi ardhur për të shikuar dhe të marë informacione, pasi këtu kemi një prezencë të madhe të ushtrisë gjermane dhe për të parë nëse është e nevojshme një prani kaq e madhe e ushtrisë gjermane," tha Struck, duke mos dashur të komentojë nëse një prani e tillë e madhe e ushtrisë gjermane në Kosovë do të vazhdojë edhe më tej, por tha se ushtria gjermane ka një mandat në Kosovë me numër të madh ushtarësh dhe se në Kosovë është më tepër se gjysma e ushtarëve gjermanë që ndodhen në misione jashtë vendit.
"Kosova për ne është e rëndësishme në kuptimin e ndërtimit sa më të shpejtë të një shoqërie demokratike për të gjithë," tha ministri Struck, i cili e ka vizituar Prizrenin vetëm një ditë pasi ushtarët gjermanë të KFOR-it kanë shënuar 3 tetorin ditën e bashkimit të dy Gjermanive.



XS
SM
MD
LG