Ndërlidhjet

NESËR FILLON MBËRRITJA E TRUPAVE SHTESË SË KFOR-it


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nesër në Kosovë do të fillojë dislokimi i 2000 trupave shtesë që llogaritet të jenë përforcimi i forcës paqëruajtëse KFOR, për zgjedhjet e 23 tetorit për parlamentin e Kosovës, ndërkohë që zyrtarët e KFOR-it thonë se dita e votimeve do të jetë një ditë e zakonshme për KFOR-in, pasi vëzhgimi i aspektit të sigurisë së zgjedhjeve do të jetë shumë i pavërejtshëm. Mungesa e lirisë së lëvizjes dhe siguria për të votuar në ditën e zgjedhjeve, në fakt ka qenë një nga arsyetimet e serbëve të Kosovës për mospjesëmarrje në zgjedhje, ndërkohë që vendimi i KFOR-it për sjelljen e trupave shtesë ka të bëjë edhe me këtë aspekt.
Zëdhënësi i KFOR-it, Iv Kermorvant tha se batalioni i parashutistëve, që është kontigjenti i parë i përforcimeve arrin nesër në Kosovë:
"Për të pasur më shumë siguri do të përforcohemi më 200 trupa, që do të vijnë si shtesë, duke filluar nga nesër," tha Kermorvant, duke ripërsëritur se misioni KFOR-it është garantimi i sigurisë për të gjithë në Kosovë.
Ai tha se siguria në ditën e zgjedhjeve do të jetë para së gjithash përgjegjësi e policisë së UNMIK-ut dhe Shërbimit Policor të Kosovës, ndërsa KFOR-i do të jetë i ashtuquajturi muri i dytë i sigurisë:
"Nuk do të ketë patrulla të shtuara, por ndoshta më shumë ushtarë që do të vëzhgojnë situatën dhe do të jenë të gatshëm për të reaguar ndaj situatave të caktuara eventuale," tha zëdhënësi Kermorvant, sipas të cilit informacionet e deritanishme të KFOR-it nuk tregojnë se mund të ketë probleme në ditën e votimeve.
Sidoqoftë, me gjithë masat e shtuara të sigurisë dhe përforcimin e KFOR-it me 2000 trupa shtesë, serbët e Kosovës ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar, nëse do të marrin pjesë në zgjedhje apo jo, pasi për këtë pritet qëndrimi i Beogradit zyrtar, që pritet të bëhet i ditur këto ditë. Sa i përket sigurisë zyrtarët e lartë të KFOR-it, si dhe ata të NATO-s disa herë kanë thënë se në Kosovë ekzistojnë kushte të sigurisë që serbët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë lirisht.
Duke shpjeguar arsyet e mosshtimit të patrullave të KFOR-it në ditën evotimeve, zëdhënësi Kermorvant tha:
"Ne do të punojmë si çdo ditë dhe duam që njerëzit në Kosovë të votojnë në mënyrë demokratike dhe lirisht," tha Kermorvant, sipas të cilit KFOR-i do të përpiqet të jetë sa më diskret që të jetë e mundur, në mënyrë që qytetarët, të çfarëdo përkatësie qofshin, të votojnë pa kurrfarë presioni.
Sidoqoftë, duket se çështja e sigurisë më nuk shtrohet nga serbët e Kosovës si arsye e mospjesëmarrjes në zgjedhje, ndërsa vendimi përfundimtar lidhur me këtë, nuk do të jetë i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë që ofrohet gjatë zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG