Ndërlidhjet

PËRFAQËSUESIT E SERBËVE ME QËNDRIME TË NDARA RRETH FTESËS SË TADIÇIT


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Përfaqësuesit politik të komunitetit serb në Kosovë kanë qëndrime të ndara rreth ftesës që presidenti i Serbisë Boris Tadiç i ka bërë këtij komuniteti për të dalë në zgjedhjet e përgjithshme të 23 tetorit. Përfaqësuesi i koalicionit të deritanishëm "Kthimi", Oliver Ivanoviç e ka përshëndetur vendimin e zotit Tadiç, duke thënë se ai me këtë e ka dhënë provimin e parë serioz në një kohë kur Serbia gjendet në një situatë të vështirë.
"Ky vendim është i mençur dhe shtetëror. Ai krijon shanse të reja për arritjen e një konsensusi të plotë," ka thënë zoti Ivanoviç. Por homologia e tij nga koalicioni "Kthimi" Rada Trajkoviç, e cila gjithashtu është nënkryetare e Këshillit Kombëtar Serb për Kosovën Qëndrore, thotë se është e dëshpëruar me vendimin e zotit Tadiç.
"Thjesht nuk mund të besoj se zoti Tadiç i ka dhënë besimin krijimit të qeverisë së ardhshme të Kosovës, për të cilën ai e di se do të jetë e dominuar nga shqiptarët, partitë politike të të cilëve angazhohen për pavarësinë e Kosovës", ka thënë zonja Trajkoviç. Ajo madje ka shtuar se me deklaratën e fundit presidenti i Serbisë e destabilizon qeverinë serbe dhe institucionet në Beograd. Millan Ivanoviç nga Këshilli Kombëtar serb në Mitrovicë, thotë se vendimi i zotit Tadiç ka qenë i pritur. Megjithatë Këshilli Kombëtar serb do t'i bojkotojë këto zgjedhje. "Ne do të organizojmë madje fushatë kundërzgjedhore dhe megjithë thirrjen e presidentit të Serbisë, presim që numri i serbëve që do të dalin në votime të jetë minimal, për të mos u dhënë legjitimitet institucioneve të ashtuquajtura shumëkombëshe," ka thënë Ivanoviç.
Sllavisha Petkoviç nga Iniciativa Qytetare, e cila është çertifikuar me kohë për pjesëmarrje në zgjedhjet e tetorit, thotë se në aspektin shtetëror vendimi i zotit Tadiç është i mençur, për dallim nga ai i kryeministrit të Serbisë Vojisllav Koshtunica, vendimi i të cilit, sipas zotit Petkoviç, do ta kthente popullin serb 50 vjet prapa.
"Është mirë që presidenti i Serbisë ka dalë publikisht dhe ka shpjeguar arsyet pse duhet që serbët të votojnë, arsye këto të cilat unë vetë jam duke i shpjeguar prej një muaji me radhë", ka thënë zoti Petkoviç.
Ndryshe edhe bashkësia e komunave të banuara me popullatë serbe, e cila nuk njihet nga administrata e Kombeve të Bashkuara, ka dalë me qëndrimin kundër pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e tetorit, duke thënë se vendimi i presidentit të Serbisë, është thikë në shpinë planit të qeverisë serbe për vendosjen e autonomisë territoriale në Kosovë.



XS
SM
MD
LG