Ndërlidhjet

B.HAXHIU: PAS ZGJEDHJEVE BASHKËQEVERISJE NË KOSOVË


Baton Haxhiu, analist politik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, më se një muaj më parë ju keni thënë se me gjithë kundërshtimet, serbët e Kosovës do të dalin në zgjedhje. Si e vlerësoni situatën aktuale lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje?

BATON HAXHIU
Kjo është rruga për të marrë sa më shumë nga ajo që quhet lojë politike e shkopit dhe e karrotës. Natyrisht se është ditur se serbët do të marrin pjesë në zgjedhje, pasi e vetmja mënyrë për t’u informuar dhe kontrolluar institucionet e Kosovës është të hyhet brenda. Jo që kam profetizuar diçka, por është pasqyrë logjike e asaj që ka ndodhur në vitet e mëhershme, prandaj edhe nuk ka qenë e vështirë të qëllohet nëse do të marrin pjesë serbët në zgjedhje apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
UNMIK-u nuk ka dhënë një përgjigje të qartë lidhur me kushtin e kryetarit serb Boris Tadiç për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, por është përshendetur thirrja e tij. Si e shpjegoni ju këtë gjendje?

BATON HAXHIU
Unë mendoj që marrëveshjet ndërmjet UNMIK-ut, BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare me zotin Tadiç kanë qenë të mëhershme. Nuk është se ky vendim ka ndodhur që dje me një datë e cila ka qenë simbolikë e kotë, por konsideroj që kjo përleshje më shumë mediale e faktorizon faktorin politik serb në Beograd dhe asgjë më shumë. Unë mendoj që ka një marrëveshje dhe ajo është se serbët do të hyjnë në një periudhë të sigurisë së plotë, për të cilën do të kujdesen NATO-ja dhe UNMIK-u. Natyrisht, kjo garanci është kërkuar edhe nga shqiptarët dhe besoj se gjatë kësaj periudhe të bisedave shqiptarët kanë premtuar siguri të plotë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se UNMIK-u do ta përfillë afatin e përcaktuar nga Tadiç?

BATON HAXHIU
Unë mendoj se afat në politikë nuk ka pasi rrjedha e ngjarjeve është gjithmonë plus-minus dhe nuk shoh që afatet janë ato që e përcaktojnë skenën politike. Afati i numrave është simbolikë e fitores momentale, kurse rrjedha politike ka diçka tjetër, është ngjarje tjetër. Ky tremuajsh i përcaktuar nga Tadiç është kot fare, pasi ai është një argument i fortë që numrat dhe afati janë përcaktuesi kryesor që serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Unë personalisht nuk mendoj se vërtet kështu edhe ka ndodhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, pavarësisht nga kjo, çfarë mund të pritet nga zgjedhjet dhe nga institucionet e ardhshme të Kosovës?

BATON HAXHIU
Partitë në Kosovë e dinë se do të hyjnë në periudhën politike kur do të vendosen themelet e pavarësisë së Kosovës, por gjithashtu e kanë të qartë se pavarësia do t’i ketë themelet mbi dokumentat ndërkombëtare dhe jo mbi njohjen formale dhe mbi ngritjen e flamujve në shenjë të simbolikës së shtetit-komb. Gjithashtu do të ketë një prezencë të gjatë ndërkombëtare, pra nuk do të ketë një nënshkrues dhe një hero, nënshkrimi i të cilit do të jetë shpallje e pavarësisë. Lindja e partive të reja, pastaj, gjuha e përdorur në fushatë se pavarësia nuk është çështje e diskutueshme, por se çfarë pavarësie do të ndërtojnë kosovarët, janë prej frazave të bukura që përdoren dhe që realisht shikuar janë të vërteta. Para se të ndodhë pavarësia duhen plotësuar një mori kushtesh që janë përcaktuar në fillim si standarde para statusit, e pastaj do të shndërrohen në biseda për statusin, ku pikë qendrimi, ose pika kryesore do të jetë siguria dhe pikat e tjera që tregojnë se gjatë pranisë së një qeverisjeje të re, siguria do të jetë elementi kryesor edhe i standardeve, edhe i statusit, edhe i gjithë të ardhmes politike në Kosovë. Prej momentit kur fillojnë bisedimet do të ketë shumë faktorë që do të përfshihen në të ardhmen e statusit të Kosovës. Bisedimet do të zgjasin jo më shumë se dy vjet prej momentit kur fillojnë dhe këto janë burime ndërkombëtare. Përqendruar në këtë fakt, del se zgjedhjet e tanishme do të përcaktojnë afatin katërvjeçar të deputetëve, por me gjasë ky mandat do të jetë vetëm dy vjet e gjysmë, pasi menjëherë pas përfundimit të negociatave për statusin dhe në fund të kësaj do të detyroheshim të hymë në zgjedhje të reja, prandaj këto zgjedhje do të kenë një mandat të shkurtuar dhe do të tregojnë themelin e asaj që quhet fundi i status quo-s në Kosovë dhe kthimin drejt statusit që realisht do të jetë pavarësi e kushtëzuar, që nuk do të jetë ajo që jemi mësuar ta shohim në shtetet e tjera, por do të jetë një pavarësi e plotë për kosovarët dhe jo një pavarësi, e cila e ka simbolikën shqiptare.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirë, zoti Haxhiu, por paraprakisht, zyrtarët ndërkombëtarë e para së gjithash Solana në vizitën e fundit që i bëri Kosovës ka kërkuar ndërtimin efikas të një qeverie. Cilat janë gjasat për të ndërtuar në mënyrë efikase një qeveri dhe çfarë do të ndikojë për kompozicionin e kësaj qeverie të re?

BATON HAXHIU
Unë mendoj se Kosova duhet ta ketë një pozitë dhe një opozitë, por natyrisht se ndërkombëtarët janë të mendimit se edhe në këtë periudhë kohore duhet ta kemi modelin izraelit të ndërtimit të qeverisë dhe të parlamentit, një model ku të gjithë janë pjesëmarrës në këtë proces, pasi jemi në fazën e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Prandaj, imponimi për një qeverisje të përbashkët do të jetë i këndshëm për një siguri më të madhe në Kosovë, por do të jetë një ritëm i zbehtë i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Nëse dëshirojmë të jetojmë me simbolikën e statusit edhe në dy vitet e ardhshme, atëherë ndoshta edhe duhen mbyllur sytë dhe të nisim edhe një mandat dyvjeçar të asaj që quhet qeverisje e përbashkët, por realisht, nëse më shtrohet pyetja mua, unë nuk jam për një qeverisje të tillë, për arsye se qeverisja pozitë-opozitë është gjithmonë e suksesshme.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG