Ndërlidhjet

MUNGESA E OFERTËS POLITIKE RRIT ABSTENIMIN NË MESIN E VOTUESVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Gjykuar nga thirrjet e vazhdueshme që OSBE dhe KQZ u bëjnë qytetarëve për të dalë në votime dhe nga hulumtimet e opinionit në prag të zgjedhjeve, numri i qytetarëve që nuk do të votojnë është rritur në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Spotet e OSBE-së në mediumet lokale po vazhdojnë njëlloj me propagandën partiake, ndërkohë që as përfaqësuesit e partive politike nuk harrojnë t’ua përkujtojnë qytetarëve rëndësinë e votës së tyre. Sociologu Fadil Maloku, që drejton institutin IDERK, tha se sipas studimeve që ka bërë instituti i tij, rreth 25 për qind e personave të anketuar deklarojnë se nuk do të marrin pjesë në votime. Ky grup, të cilin zoti Maloku e quan abstenues ka shumë arsye për të mos dalë në zgjedhje:
"Partitë politike kanë njëtrajtshmëri të ofertës dhe nuk kanë ndonjë risi të përgjithshme që do të mund t'i afronte qytetarët dhe do t’i bënte më fleksibël për të dalë në votime. Kjo mund të shpjegohet me mosinteresimin e qytetarëve që si motiv e kanë rritjen e papunësisë, varfërimin dhe brengat e tjera, si dhe me mosplotësimin e ofertave që kanë bërë partitë politike".
Zoti Maloku thotë se partitë politike me programet e tyre nuk u kanë ofruar qytetarëve programe ekonomike dhe sociale, prandaj edhe thirrjet e OSBE-së dhe të partive politike për të dalë në zgjedhje nuk kanë arritur t’i bëjnë më fleksibël abstenuesit potencialë:
"Nuk lënë përshtypje pasi zhgënjimi është me partitë politike dhe karremi i vetëm që do t’i motivojë qytetarët të dalin në votime është çështja e statusit. Të gjitha partitë në programet e tyre thonë se do të aktivizohen në drejtim të përcaktimit të statusit politik që e paragjykojnë se do të garantojnë pavarësinë".
Maloku thotë se oferta e re politike e plasuar përmes dy subjekteve të reja politike ka dy defekte, pasi lista qytetare “Ora” dhe Alternativa Demokratike e Kosovës, ofertën e tyre e bazojnë në parime të lëvizjeve dhe koha e paraqitjes së ofertës ka qenë tepër e vonshme:
"Konstatimi ynë në studim është se në etnopsikologjinë kosovare duhet të ndodhë diçka e madhe për të bërë ndryshime radikale dhe për të krijuar motive të reja për t’i joshur ata që të dalin në votime".
Maloku thotë e në kuadër të kësaj etnopsikologjie hyn edhe një faktor tjetër, i cili ndikon në masë të madhe për rritjen e numrit të abstenuesve:
"Aderuesit e LDK-së për shembull, nëse janë të zhgënjyer me këtë parti, më parë do të abstenojnë tërësisht nga votimet, sesa t’ia japin votën një subjekti tjetër dhe kjo vlen edhe për aderuesit e partive të tjera dhe mekanizmi më i rëndë që përdorin për ta dënuar subjektin e tyre politik është abstenimi".
Sidoqoftë, thotë zoti Maloku, ky numër i abstenuesve është përafërsisht i njëjtë edhe në vendet e tjera të rajonit, mirëpo partitë politike në zgjedhjet e ardhshme duhet të ndërtojnë oferta konkrete politike, ekonomike dhe sociale, pasi në zgjedhjet e ardhshme pritet të mos ekzistojë më i ashtuquajturi karrem i statusit dhe i pavarësisë.



XS
SM
MD
LG