Ndërlidhjet

UNMIK I DORËZOI ZYRËN E ENERGJETIKËS QEVERISË SË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me një ceremoni solemne të nënshkrimit nga kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi dhe shefi i shtyllës katër të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorf është kompletuar bartja e kompetencave nga UNMIK-u në zyrën e kryeministrit për energjetikë, që është formalizimi i parë i bartjes së përgjegjësive të rezervuara tek institucionet e Kosovës dhe pararendëse e ministrisë për energjetikë dhe resurse natyrore. Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi tha se energjetika është një fushë shumë e rëndësishme për Kosovën:
"Në kuadër të bartjes së kompetencave ne arritëm deri në këtë ditë dhe shpresojmë dhe ashtu i kemi premtimet edhe nga zoti Jessen Petersen, se qeveria e ardhshme do të kompletohet edhe me ministrinë për energjetikë dhe resurse natyrore".
Kompletimin e bartjes së këtyre përgjegjësive e ka çmuar lart edhe shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorf, i cili tha se diskutimet për këtë kanë filluar që në maj të vitit të kaluar:
"Është kënaqësi të shihet se kemi arritur në fund të kësaj rruge, pasi sot po bëjmë kompletimin e bartjes së kompetencave dhe përgjegjësive të mbetura te kjo zyrë," tha Lambsdorf.
Dhe, ndërkohë që bartjen e kompetencave e presin edhe dy zyra të kryeministrisë, ajo për marrëdhënie me jashtë dhe zyra për siguri, zyra për energjetikë, që udhëhiqet nga Pranvera Dobruna-Kryeziu, do të merret me strategjinë e zhvillimit të energjetikës, por nuk do të menaxhojë vetë burimet e energjisë, përfshirë Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës.
"Nuk mendoj se ne thjesht nuk mund t’ia dorëzojmë KEK-un qeverisë apo ministrisë së ardhshme në këtë pikë. Është përgjegjësi jona të shohim se gjërat në KEK po përmirësohen," tha Lambsdorf, sipas të cilit emërimi i udhëheqjes dhe menaxhimi i KEK-ut do të jenë në duart e Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit:
"Nuk mendoj se AKM si organizatë është fushë e bartjes së përgjegjësive, por transferi ka ndikuar mbi AKM-në dhe do të vazhdojë të ndikojë," tha ndërkaq, Lambsdorf, duke folur për të ardhmen e AKM-së, që udhëheq procesin e privatizimit, një ndër fushat më problematike të viteve të fundit në Kosovën e pasluftës.
Vetë kryeministri Rexhepi, ndërkaq tha se pozicioni i AKM-së, i cili menaxhon ndërmarrjet publike, përfshirë edhe KEK-un, është shumë i paqartë:
"Edhe tani është i paqartë pozicioni i AKM-së. Formalisht duhet të jetë në kuadër të UNMIK-ut, financimi bëhet nga Unioni Evropian dhe vetë AKM është në mes, mirëpo çmimet për këto i paguan Kosova."
Në anën tjetër, Lambsdorf sot ka përcjellë fjalët e kryeadministratorit Soren Jessen Petersen se procesi i bartjes së kompetencave jo vetëm që duhet, por edhe do të vazhdojë. Kryeministri Rexhepi tha se Jessen Petersen deri tani ka premtuar tre ministri nga fusha e të drejtave të rezervuara:
"Ka qenë deklarimi i zotit Jessen Petersen se për tre ministri është gadishmëria e plotë që të transferohen dhe këto janë ministria për energjetikë dhe e resursve natyrore, për pushtetin lokal dhe për komunitete dhe për kthim. Kemi gadishmërinë që edhe ministria e drejtësisë të transferohet në kompetencat e qeverisë dhe kemi kërkuar po ashtu edhe për rendin publik dhe të formohet një ministri, por jemi në bisedime të gjejmë formën dhe modelin që institucionet të kyçen në çështjet e sigurisë publike".
Në këtë kuadër, dy zyrat aktuale të kryeministrisë, ajo për marrëdhënie me jashtë dhe zyra për siguri edhe në rast të bartjes së kompetencave nuk do të kenë fuqi menaxhuese, por më shumë të planifikimit zhvillimor.



XS
SM
MD
LG