Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

DITË ZIE NË KOSOVË PËR VIKTIMAT E TRAGJEDISË


Rrahman Paçarizi, Malishevë

Strukturat komunale të Malishevës dhe zyrtarë të shtabit të krizës kanë thënë se është vështirë që varrimi të bëhet sot, për shkak se është vonuar pak procedura e identifikimit në morgun e Rahovecit. Arsye tjetër sipas tyre janë çështjet organizative, pasi zyrtarë komunalë kanë planifikuar që nesër të organizojnë një ceremoni të përbashkët të varrimit për të gjitha viktimat, që janë që të gjithë nxënës të të njëjtës shkollë, pra të gjimnazit "Abdyl Frashëri" të Malishevës. Siç dihet në Kosovë dhe në Shqipëri po mbahet ditë zie. Në Malishevë tragjedia është përjetuar dhe vazhdon të përjetohet rëndë, pasi në këto momente sapo kanë mbërritur kufomat e nxënësve, të cilat janë duke u vendosur në hollin e shkollës së mesme " Abdyl Frashëri" në Malishevë. Disa mijëra qytetarë që në orët e para të mëngjesit janë mbledhur në oborrin e gjimnazit "Abdyl Frashëri" dhe me dhimbje po presin kufomat e nxënësve, të cilët kanë humbur jetën dje pasdite në aksidentin tragjik në Shqipëri.
Familjarët e viktimave, të cilët nga orët e mëngjesit kanë pritur kufomat e më të dashurve të tyre, të ulur përballë 15 tavolinave të zbrazëta të mbuluara me copë të kuqe, ku në fakt po vihen tani kufomat, i kanë vizituar përfaqësues të ndryshëm komunalë të Kosovës dhe struktura politike. Në Malishevë kanë mbërritur për të pritur kufomat bashkë me familjarët edhe kryeadministratori Petersen, komandanti i KFOR-it Iv de Kermabon, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Rexhepi, i cili sot në mesditë është kthyer nga Shqipëria ku pati vizituar gjatë natës të lënduarit në spitalet e Tiranës. Kufomat e viktimave të këtij aksidenti tragjik, më i rëndi që nga përfundimi i luftës në Kosovë, janë sjellë sot në mëngjes në kufirin Kosovë-Shqipëri nga ushtria shqiptare dhe më pas janë dërguar nga policia e Kosovës në institutin e mjeksisë ligjore në Rahovec dhe janë identifikuar, ndërkohë që në këto momente po vazhdon vendosja e viktimave në hollin e gjimnazit "Abdyl Frashëri" në Malishevë.



XS
SM
MD
LG