Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

NË MALISHEVË PO BËHEN HOMAZHE PËR VIKTIMAT E TRAGJEDISË


Rrahman Paçarizi, Malishevë

Nën tingujt e muzikës funebre janë sjellë sot në gjimnazin "Abdyl Frashëri" të Malishevës, 15 kufoma të nxënësve të kësaj shkolle që kanë humbur jetën dje pasdite në një aksident në rrethin e Pukës në Shqipëri, kur autobusi i tyre u rrokullis në greminë.
Disa mijëra qytetarë të Malishevës, familjarë e nxënës të shkollës së mesme ishin mbledhur që nga orët e mëngjesit për të pritur kufomat, të cilat kanë arritur në kufirin e Kosovës në orët e mëngjesit. Të përcjella nga shërbimi policor i Kosovës, kufomat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Rahovec. Procesi i identifikimit ka zgjatur disa orë, ndërkohë që një kufomë ka mbetur ende e paidentifikuar thanë zyrtarët komunalë të Malishevës.
Ndërkohë, qindra familjarë kanë pritur përpara tavolinave të zbrazëta ku do të viheshin kufomat, shpesh duke mos arritur ta përmbajnë pikëllimin:
Dhimbjen e tyre janë përpjekur ta zbusin delegacionet e niveleve të larta të partive politike dhe të komunave të tjera të Kosovës. Ndërkohë, gjatë gjithë kohës së bërjes së homazheve, pranë familjarëve kanë qëndruar shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, komandanti i KFOR-it, Iv de Kermabon, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministri Bajram Rexhepi.
Presidenti Rugova kërkoi nga familjarët që të bëhen të fortë për ta mundur dhimbjen:
"Është një humbje e rëndë, por është një fatkeqësi që mund të themi vjen edhe prej zotit, prandaj bëhuni të fortë. Jemi së bashku me ju dhe do të kujdesen edhe qeveria edhe institucionet e tjera të Kosovës", tha presidenti Rugova, duke shpallur ditë zie edhe ditën e nesërme kur bëhet edhe varrimi i viktimave. Ndërkaq, kryeministri Rexhepi tha:
"Në këtë moment dhimbjeje është vështirë të gjenden fjalë që sadopak t’ua lehtësojnë dhimbjen, aq më parë kur këta fëmijë shkuan në Shqipëri për të shijuar bukuritë dhe u kthyen në arkivole. Megjithatë shqiptarët dinë të jenë të fortë në momentet më të vështira".
Kryeministri ashtu si edhe shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen kanë falënderuar autoritetet e Shqipërisë për angazhimin dhe ndihmën e dhënë:
"Unë jam sot këtu për të shprehur tronditjen dhe keqardhjen time në këtë moment tuajin të tmerrit dhe humbjes së madhe," tha kryeadministratori Petersen, duke iu premtuar familjeve se do të jetë pranë tyre për t’i përkrahur për çfarëdo që të kenë nevojë.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Malishevës Gani Krasniqi tha se gjashtëmbëdhjetë të rinj i nisën për të përmbushur një ëndërr dhe u kthyen në arkivole:
"Malisheva sot ka dhimbje, por po ashtu dhimbje ka edhe gjithë Ksoova. Gjashtëmbëdhjetë nxënës, gjashtëmbëdhjetë të rinj, sot këtu kemi para nesh. Vërtet ata shkuan për të shijuar një ëndërr të tyren, por na u kthyen kështu si i kemi".
Një nga nxënësit që kishte qenë bashkë me viktimat, por kishte shpëtuar kështu e përshkruajti humbjen e shokëve:
"U nisëm për në Kosovë me këngën e maturantit. Me një zbraztësi që mbaroi edhe një ëndërr. Nga kënga e maturantit, nga ëndrrat e bukura dëgjuam britmat tuaja. Tashmë ishit atje poshtë, në një greminë të tmerrshme. Ndoshta ende disa prej jush e këndonit këngën e maturantit. Lamtumirë."
Më të pikëlluarit ishin familjarët. Babai i Berat Zogajt, me gjithë dhimbjen për djalin, përpiqej të qetësonte pjesën tjetër të familjes.
"Birin e humba. E nisa për ekskursion dhe m’u kthye në arkivol. Këtë fati ma përcolli mua dhe të tjerëve. Por, kam një dëshirë, që nëse pajtohen të tjerët t’i varrosim së bashku kolektivisht dhe jo t’i ndajmë…"
Zyrtarët komunalë njoftuan se varrimi i viktimave do të bëhet nesër në mesditë.



XS
SM
MD
LG