Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

MITROVICA: ÇËSHTJE E RËNDËSISHME NË FUSHATË


Albana Isufi, Prishtinë

Partitë politike besojnë se në mandatin e ardhshëm të institucioneve Mitrovica do të jetë një problem i zgjidhur dhe do arrihet një integrim të qytetit si dhe shtrirje të sistemit qeverisës edhe në pjesën veriore të Kosovës, ku për pesë vjet me rradhë kanë udhëhequr strukturat paralele serbe. Këtë sipas zëdhënësit Lulëzim Zeneli synon ta arrijë Lidhja Demokratike e Kosovës, pas zgjedhjeve parlamentare të 23 tetorit.
"Çështja e Mitrovicës patjetër që duhet të zgjidhet në kontekstin e shtrirjes së sistemit të qeverisë në atë pjesë, që nënkupton që institucionet e Kosovës të jenë të pranishme në të gjitha rrafshet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës".
Hajredin Kuçi, nga Partia Demokratike e Kosovës, mendon se vetëm përmes projekteve politike zgjidhet problemi i Mitrovicës.
" Ne mendojmë që në mandatin tonë që do të qeverisim Kosovën, do të bëjmë integrimin e plotë të Kosovës në kuptimin e shpalljes së pavarësisë dhe ajo nuk ka kuptim pa pjesën tjetër të Mitrovicës. Por ky problem nuk duhet të mendohet se do të zgjidhet në mënyrë ushtarake, por duhet të ketë projekte politike për zgjidhjen e këtij problemi."
Zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës konsiderojnë se Mitrovica nuk është qytet i ndarë, Megjithatë sipas zëdhënësit të këtij subjekti politik Ernest Luma, AAK-ja në platformën e vet politike ka paraparë një shtrirje të pushtetit në tërë vendin, ku do të përfshihej edhe Mitrovica.
"Mitrovica nuk konsiderohet qytet i ndarë, është një, është i tërë. Janë disa probleme natyrisht të mëdha dhe shqetësuese, të cilat me ardhjen në pushtet të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës natyrisht do zgjidhen."
Një qasje tjetër ka Partia e Re e Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i këtij subjekti politik Fatmir Gashi, mendon se problemin e Mitrovicës nuk mund ta zgjidhë vetëm një parti politike, por duhet një unitet i të gjitha forcave politike.
"Ne do ta zgjidhim çështjen e Mitrovicës duke u bazuar në rezolutën që ka nxjerrë Parlamenti i Kosovës për tërësinë territoriale të Kosovës. Çështja e Mitrovicës nuk është çështje partiake, është çështje mbarëkombëtare e Kosovës".
Por çfarë mënyra do të përdorin partitë politike për t'i realizuar synimet e tyre? Lulëzim Zeneli nga Lidhja Demokratike e Kosovës mendon se fakti që institucionet e reja do të kenë më shumë kompetenca do të bëjë që të zgjidhet problemi i Mitrovicës.
"Institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e 23 tetorit do të kenë kompetenca të mjaftueshme për t'u përballur me shumë sfida në cilindo plan, për vetë faktin që ne presim bartje të përgjegjësive të plota tek institucionet vendore. Në këtë aspekt në mandatin e ardhshëm nuk do të jenë të hendikepuar".
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës Hajredin Kuçi thotë se baza ligjore do të jetë ajo që do e zgjidhë problemin e Mitrovicës.
"Ne do të nxjerrim ligje që do të kërkojnë kontrollin e plotë të territorit të Kosovës, do të koordinojmë konkretisht me UNMIK-un dhe KFOR-in dhe do të kërkojmë shtrirjen e shërbimit policor të Kosovës, gjykatës, administratës dhe të gjitha institucioneve të tjera në gjithë territorin, duke krijuar njëkohësisht mundësinë që edhe pjesa tjetër e Mitrovicës të kthehet në anën tonë, apo të qarkullojë lirshëm."
Ernest Luma thotë se me AAK-në në pushtet Mitrovica do të shndërrohej në shembull të mirë për rajonin.
"Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka projektin e vet, duke integruar të gjithë ata që janë qytetarë të Mitrovicës, duke e bërë vendosjen e qytetarëve të shpërngulur nga Mitrovica në të dyja anët e qytetit. Ky do të jetë hapi i parë dhe këtë Aleanca do ta garantonte natyrisht përmes mekanizmave të rendit, sigurisë dhe pushtetit të saj, pushtet të cilin do ta menaxhonte vetë."
Por për Partinë e Re të Kosovës, e cila në zgjedhjet e Kosovës nuk arriti që të ketë përfaqësues të saj në parlament, problemi i Mitrovicës do të zgjidhej përgjithmonë, nëse në institucionet e deritanishme do të kishte, siç thonë ata, politikanë të përgjegjshëm.
"Politikanët tanë janë të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm. Për tre vjet, me përjashtim të një rezolute që kanë nxjerrë për tërësinë territoriale të Kosovës, asgjë tjetër nuk kanë bërë për Mitrovicën. Ne do të jemi një zë i arsyes, të cilët do të këmbëngulin vazhdimisht që zëri i Mitrovicës të jetë në parlamentin e Kosovës. Mitrovica zgjidhet duke i çuar të gjitha institucionet ligjore të Kosovës, të cilat funksionojnë në Prishtinë, të funksionojnë edhe në Mitrovicë".
Partitë politike të njëjtat premtime pak a shumë kanë dhënë edhe në fushatën e mëparshme zgjedhore.





XS
SM
MD
LG