Ndërlidhjet

ROSSIN: TASH NUK ËSHTË KOHA QË UNMIK-U TË KETË ROL KËSHILLDHËNËS


Lawrence Rossin, zëvendës i parë i shefit të administratës së Kombeve të Bashkua

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rossin, gjendemi para zgjedhjeve të përgjithshme dhe gjatë fushatave parazgjedhore të entiteteve politike, është dëgjuar kërkesa se ka ardhur koha që Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë të luajë vetëm një rol këshilldhënës. Në fakt, kjo deklaratë është dëgjuar shpesh, brenda dhe jashtë Kosovës, pas trazirave të muajit mars. A do të pajtoheshit ju me një rol të këtillë?

LARRY ROSSIN
Ju falemnderit për këtë pyetje. Dëshiroj të them se jam i kënaqur me faktin se partitë politike kanë ngritur çështje të këtilla të rëndësishme gjatë fushatave të tyre, të cilat janë të rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por edhe për ne. Do të thoja se me kalimin e kohës, ne në fakt do të pajtoheshim me një deklaratë të tillë. Por, aktualisht, më duhet të them se nuk jemi në gjendje të pajtohemi, sikur që mendoj se nuk do të pajtoheshin as një pjesë e udhëheqësve kosovarë në këtë periudhë të zhvillimit të Kosovës. Ne kemi bartur një numër përgjegjësish tek institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes, shefi i UNMIK-ut e ka thënë dhe e mendon se do të bartë edhe më shumë përgjegjësi pas zgjedhjeve të përgjithshme. Ne kemi përgjegjësinë për të realizuar ndërtimin e kapaciteteve, në mënyrë që institucionet të mund të bartin përgjegjësitë që i marrin, dhe ato kanë përgjegjësinë për të bërë punën më të rëndë dhe të japin llogari përpara elektoratit të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar. Me kalimin e kohës, kjo çështje është diçka me të cilën jo vetëm që do të pajtohesha, por ajo edhe do të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një pjesë e serbëve të Kosovës është pajtuar që të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, por ata kanë kërkuar nga UNMIK-u që të përmbushë kërkesën e tyre për vendosjen e pushtetit lokal, kërkesë kjo e cila tashmë është hedhur poshtë nga institucionet e Kosovës. A jeni të gatshëm që këtë kërkesë ta bëni realitet?

LARRY ROSSIN
Mendoj se është e rëndësishme të thuhet se aktualisht ekziston një process i mirë, i cili është i hapur dhe në të cilin, në të kaluarën kanë marrë pjesë serbët e Kosovës, së bashku me institucionet e përkohshme dhe me ne. Ky është një grup punues mbi pushtetin vendor dhe ai merret me çështjet e decentralizimit dhe të tjera. Çështjet të cilat presidenti Boris Tadiç i ka ngritur në fjalimin e tij, janë çështje që duhet dhe mund të diskutohen në grupin punues në Prishtinë, sepse diskutimet duhet të zhvillohen këtu dhe jo gjetkë. Mendoj se themelet për një proces të këtillë tashmë janë vendosur në takimin e mbajtur në fund të shtatorit në Vjenë, nën organizimin e Grupit të Kontaktit, ku më duhet të them se tek përfaqësuesit e institucioneve të përkohshme është vërejtur një gatishmëri për të analizuar punën që është bërë në Beograd, për të gjetur elementet që do të mund të pasuronin punën e grupit punues në Prishtinë. Pra, tashmë ekziston mekanizmi për t’u marrë me këto çështje që janë ngritur dhe që nuk janë ngritur nga presidenti Tadiç, dhe presim që ky proces të ecë përpara shumë shpejt.

RADIO EVROPA E LIRË
Por ndërkohë, tashmë ka filluar një anti-fushatë intenzive e atyre që kundërshtojnë zgjedhjet. Sipas jush, sa do të të ndikojë ajo tek vota e komunitetit serb?

LARRY ROSSIN
Mbi këtë çështje e kam të vështirë të spekuloj, duhet të presim se çfarë do të ndodhë pas së shtunës. Por, më duhet të them se jemi shumë të shqetësuar për këtë çështje. Është e natyrshme që gjithësecili të ketë pikëpamjet e veta dhe t’i shprehë ato, por një anti-fushatë kaq intenzive, e cila në një farë mënyrë është duke u zhvilluar në kufi me keqtrajtimin e atyre serbëve që duan të votojnë, nuk është e shëndoshë për demokracinë, sikur që nuk është e shëndoshë as për popullatën serbe të Kosovës apo për Kosovën në përgjithësi. Shefi i UNMIK-ut tashmë ka dënuar ata që mëtojnë të keqtrajtojnë njerëzit që duan të votojnë dhe që duan ta luajnë rolin e tyre në të ardhmen e shtëpisë së tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Njerëzit që do të zgjedhen të shtunën do të kenë përgjegjësinë e përmbushjes së standardeve dhe do të jenë ata që do ta çojnë Kosovën drejt mesit të vitit 2005, kur edhe pritet të fillojnë bisedimet mbi statusin final. Por, çështja kryesore në këtë drejtim, të paktën sipas udhëheqësve vendorë, mbetet mungesa e përgjegjësive. A do t’i mbajë UNMIK-u përgjegjësitë e rezervuara derisa të definohet statusi?

LARRY ROSSIN
Siç e dini, një numër i përgjegjësive që i kanë takuar UNMIK-ut, i cili që prej përfundimit të luftës i ka pasur të gjitha përgjegjësitë, tashmë janë bartur tek institucionet e përkohshme, në bazë të kapitullit të V të Kornizës Kushtetuese. Qëllimi ynë është që të punojmë me institucionet e përkohshme dhe t’i ndihmojmë në zbatimin e standardeve. Shefi i UNMIK-ut ka thënë se, dhe ne në fakt e kemi bërë një shqyrtim të brendshëm, se pas zgjedhjeve do të ketë bartje të konsiderueshme kompetencash. Ne presim të bashkëpunojmë me institucionet e përkohshme në ndërtimin e kapaciteteve për ta kryer punën si duhet në të ardhmen dhe për të përmbushur përgjegjësitë që tashmë i kanë. Por, disa kompetenca thjesht nuk mund të barten nga shefi I UNMIK-ut tek institucionet vendore para se të gjendet një zgjidhje për statusin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë këto kompetenca?

LARRY ROSSIN
Marrëdhëniet me jashtë, mbrojtja dhe disa të tjera. Këto thjesht nuk mund të barten. Unë dhe shefi i UNMIK-ut kemi biseduar disa herë mbi pritjet tona që rreth këtyre çështjeve dhe të tjerave të ketë më shumë konsultime dhe transparencë. Dhe derisa pushteti vendimtar mbetet në duart e shefit të UNMIK-ut, ne duam të nisim një proces transparent dhe konsultativ, në mënyrë që vendimet që merren të jenë të hapura për të dyja palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, shefi i UNMIK-ut ka paralajmëruar se do ta shfrytëzojë të drejtën e tij për të përjashtuar politikanët që pengojnë zbatimin e standardeve. A është kjo e drejtë e përkufizuar me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 apo ai do të veprojë në bazë të ndonjë udhëzimi të ri që mund të ketë arritur këto ditë?

LARRY ROSSIN
Nëse e lexoni Rezolutën 1244, përfaqësuesi i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm gëzon pushtetin vendimtar që të ndërmarrë çfarëdo veprimi për të cilin ai beson se është i domosdoshëm për të përmbushur këtë rezolutë. Dhe natyrisht, nëse shefi i UNMIK-ut e shfrytëzon të drejtën e tij për ta larguar ndonjë zyrtar ose të merret me një situatë që pengon zbatimin e standardeve, zbatimin e Rezolutës, kthimin e të zhvendosurve, lirinë e lëvizjes dhe çështjet tjera, ai vepron në kuadër të autoritetit që i është dhënë me Rezolutën 1244 dhe nuk i duhet asnjë udhëzim nga ndonjë burim tjetër.

Intervistoi: Arbana Vidishiqi
XS
SM
MD
LG