Ndërlidhjet

SHKRIRJA E AKULLIT NË KOSOVË


WALL STREET JOURNAL

Kosova ka 2 milionë banorë, prej tyre së paku 90 përqind janë shqiptarë dhe pothuajse të gjithë ata, fuqimisht, janë në favor të pavarësisë. Megjithqë sovraniteti ende, teknikisht, i mbetet unionit Serbi - Mali i Zi, që dikur quhej Jugosllavi, në fakt, rezoluta e Kombeve të Bashkuara, që e përfundoi luftën në Kosovë, e ka bërë Kosovën në të vërtetë protektorat të Organizatës Botërore. Vitet e administratës së Kombeve të Bashkuara kanë sjellë rezultate të përziera. Në përgjithësi, dhuna etnike është e ulët. Megjithatë, në Mars të këtij viti, një shpërthim i trazirave rezultoi me sulme nga të cilat afro 4 mijë serbë dhe romë u detyruan të largohen për të shpëtuar. Papunësia në Kosovë është e lartë, ndërsa 40% e të ardhurave të brendshme në vitin 2003 ishin nga ndihmat e jashtme. Shumë serbë jetojnë në enklava, të cilave u duhet mbrojtja e misionit që udhëhiqet nga Natoja dhe shumë prej tyre, e veçanërisht personat e rinjë, dëshirojnë të largohen pasi ata nuk shohin ardhmëri për ta në Kosovë. Frustrimi në mesin e shqiptarëve është poashtu i lartë, ngase pas pesë viteve të administratës së Kombeve të Bashkuara, pavarësia, për të cilën një shumicë beson, gabimisht, se do ti zgjidhë problemet e tyre ekonomike, nuk ka ardhur. Për këtë arsye, zgjedhjet e nesërme janë aq të rëndësishme. Fituesit do të marrin pjesë në bisedimet për statusin final të Kosovës, për të cilin, çdokush tash beson, se do të filloj në mesin e vitit të ardhshëm. Ata besojnë në këtë, pasi nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Marc Grossman, ka thënë se, njëherë, kur disa standarde kryesore të arrihen, atëherë do të jetë koha për të analizuar se si do të trajtohet kjo çështje. Atëherë erdhën ngjarjet e Marsit, që e forcuan datën e Grossmanit, dhe që bën ftesë për zgjim të Kosovës.

Njëri nga sukseset më të mëdha të administratës së Kombeve të Bashkuara ishte ndërtimi i institucioneve të Kosovës, siç janë Kuvendi dhe Qeveria. Tash kur kosovarët kanë filluar ti zhvillojnë kompetencat në këtë fushë, është koha që të lëvizet kah hapi i ardhshëm. Por, aty është pengesa. Privatisht, shumë, nëse jo të gjithë, zyrtarë evropianë dhe amerikanë, që janë marrë me këtë çështje, mbase e pranojnë se Kosova, herët a vonë, do të jetë e pavarur. Por asnjëri nuk e di se si të arrihet në këtë pikë. Rusët, me vendin e tyre shumë të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit, nuk pajtohen me konceptin e tërësishëm të pavarësisë, edhe për shkak të problemit të Çeçenisë. Nëse rruga kah pavarësia është e paqartë, megjithatë, është e qartë se nuk mund të ketë kthim prapa nën pushtetin e Serbisë, edhe me një autonomi për Kosovë. Shqiptarët do ti ktheheshin luftës.

Në një analizë të fundit, eksperti për çështjet e Ballkanit, Florian Bieber ka identifikuar shtatë zgjidhje për Kosovën. Ai me të drejtë ka përjashtuar idenë për autonomi, ashtu siç e ka përjashtuar edhe idenë e ndarjes. Ndryshimi i kufijve, edhe me një pëlqim reciprok, do të ishte i rrezikshëm për pjesën tjetër të rajonit për shkak të shtrirjes së tyre në Bosnjë dhe në Maqedoni. Disa mendojnë që Kosovën ta bëjnë një territor të mirëbesimit të Bashkimit Evropian ose që sovranitetin nga Serbia ta transferojnë në Kombet e Bashkuara. Këto ide, në esencë, synojnë vetëm blerjen e kohës.

Analisti Bieber e vë theksin në idenë që në shumë drejtime ende është propozimi më realist: pavarësia e kushtëzuar. Kjo do të thotë se do të lejohej pavarësia, por Bashkësia ndërkombëtare do të kishte të drejta të caktuara dhe kompetenca, e veçanërsisht në fushat e tilla siç janë siguria dhe të drejtat e minoriteteve. Nëse fuqitë e jashtme do të pajtoheshin se kjo është zgjidhja më e mirë, me gjasë, mund të ndodhë që nuk do të ishte e vështirë që edhe Serbia të bindej që ta pranonte këtë zgjidhje. Në këtë kuadër asaj do ti jepeshin inkurajime të konsiderueshme, siç është për shembull, përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE.

Në një libër të ri, Dobrica Qosiqi, që konsoderohej si baba i nacionalizmit serb, shkruan se "gjeneratat e sotme do të duhej të liroheshin nga beteja për Kosovën...me vetëdije të pranohet humbja e asaj që ishte humbur nga gjeneratat e kaluara". Para disa ditësh, në një artikull, gazeta Politika e Beogradit poashtu argumenton se humbja e Kosovës do të duhej të pranohej me qetësi, nëse me ndihmën e perëndimit, Serbia do të mund ti pranonte refugjatët serb që do të mund të shkonin në Serbi.
XS
SM
MD
LG