Ndërlidhjet

UDHËHEQËSIT E KOSOVËS KËRKOJNË NGA QYTETARËT TË PËRDORIN TË DREJTËN Ë VOTËS


Drejtuesit e deritashëm të institucioneve dhe liderët e partive kryesore politike i kanë hedhur sot në mëngjes votat e tyre në zgjedhjet për parlamentin e Kosovës, nga i cili do të dalin edhe presidenti dhe qeveria e re e Kosovës, tani me mandat katërvjeçar. Në deklaratat e tyre me rastin e votimeve, liderët partiakë kanë theksuar rëndësinë e zgjedhjeve për fazën në të cilën po hyn Kosova, që sipas tyre është fazë e fillimit të përcaktimit të statusit të saj përfundimtar.
Presidenti aktual i Kosovës dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova i cili votoi në shkollën fillore "Iliria" në Prishtinë, tha se zgjedhjet janë të rëndësishme:
"Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës. Pra, një Kosovë e pavarur e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jam i bindur se sot do të votojnë të gjithë qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, pasi këto zgjedhje janë me rëndësi për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë, për zhvllimin, prosperitetin dhe demokracinë tonë të tashme dhe për brezat e ardhshëm që vijnë pas nesh" tha Rugova.
Më tej aika përgëzuar dhe lavdëruar qytetarët dhe partitë politike për fushatë të qetë dhe të drejtë. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili herët në mëngjes ka votuar në shkollën fillore "Faik Konica", tha:
"I uroj të gjithë popullit të Kosovës zgjedhje të përgjithshme 2004. Janë zgjedhje të rëndësisë historike. Uroj që qytetarët si gjithmonë të bëjnë ndryshime edhe më rrënjësore kësaj radhe."
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se mënyra më e mirë për ndryshime është përdorimi i të drejtës për të votuar.
"Në radhë të parë ua uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës zgjedhjet e dyta parlamentare. Uroj që të gjithë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Na presin shumë punë në Kosovë. E kemi Kosovën për ta zhvilluar politikisht dhe ekonomikisht. Mendoj se mënyra për t’i dhënë kah është përdorimi i të drejtës së votës. Unë pres të ndryshojë dinamika e zhvillimeve në Kosovë për të mirë," tha zoti Haradinaj. Ndërkohë që përfaqësuesit e "Listës serbe për Kosovën dhe Metohinë" kanë votuar në Mitrovicë dhe në Graçanicë. Rangjel Nojkiq, i dyti në këtë listë ka votuar në një shkollë në enklavën e Graçanicës.
"Duam të shohim nëse bashkësia ndërkombëtare dhe shqiptarët shumicë në parlament vërtet duan Kosovën shumetnike apo kjo është vetëm një farsë. Pra këto zgjedhje dhe institucionet njëkohësisht do të jenë një test për vullentin e tyre" tha Nojkiq, pasi bashkë me përfaqësues të tjerë të listës së serbëve kanë qenë të vetmit që kanë votuar deri në orën 11 në Graçanicë, ku vendvotimi është hapur në orën shtatë.

Rrahman Paçarizi - Prishtinë

XS
SM
MD
LG