Ndërlidhjet

PETERSEN: KOSOVA ËSHTË MOZAIKU I FUNDIT NË NORMALIZIMIN E BALLKANIT PERËNDIMOR


International Herald Tribune

Zgjedhjet e sotme shënojnë një pikë kthese për Kosovën dhe një mundësi për t’i vënë gjërat në rrugën e duhur. Që prej trazirave të muajit mars, dëmi ka filluar të riparohet dhe Kosova ka ecur përpara. Kthimi i personave të zhvendosur është duke u realizuar, shtëpitë e shkatërruara janë duke u rindërtuar, ndërkohë që përgjegjësit për dhunën janë duke u vënë përpara drejtësisë. Zgjedhjet e së shtunës do të jenë më të rëndësishmet që prej vitit 1999 dhe ato do t’i japin Kosovës një qeveri me një nivel të ri të përgjegjësive. Detyra e parë do të jetë përgatitja e Kosovës për mesin e vitit të ardhshëm, kur pritet të shqyrtohen në hollësi arritjet në ndërtimin e një shoqërie vërtetë shumëkombëshe. Rezultatet pozitive në fushën e sigurisë, pushtetin e ligjit, në mbrojtjen e pakicave, në kthimin e të zhvendosurve dhe në decentralizimin e pushtetit vendor do ta çojnë Kosovën drejt bisedimeve mbi statusin përfundimtar.
Autoritetet e Beogradit duhet t'i trimërojnë dhe jo t'i pengojnë serbët e Kosovës që të kenë një rol më aktiv në zgjidhjen e shqetësimeve të tyre. Fundja, udhëheqësit e Beogradit pajtohen qartazi se e ardhmja e tyre gjendet në Evropë, por për momentin, Beogradi duket se ka mbetur prapa në raport me fqinjët e tij, Kroacinë dhe Maqedoninë, në rrugën për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Përpjekjet për të bllokuar serbët e Kosovës në realizimin e të drejtave demokratike, jo vetëm që do t’i dëmtojnë ata, por do të pengojnë edhe arritjet në pjesët tjera të rajonit.
Prej muajit mars, janë ndërmarrë masa konkrete dhe është krijuar një proces i ri që merr parasysh shqetësimet e serbëve të Kosovës mbi sigurinë e tyre. Në gjashtë muajt e fundit, ka ndodhur vetëm një krim me motive etnike dhe ai është zgjidhur shumë shpejt. Misioni i Kombeve të Bashkuara dhe institucionet e zgjedhura do të punojnë bashkarisht në krijimin e mundësive për t’u dhënë komuniteteve një pushtet më të madh në vendimet që merren në nivelin lokal. Decentralizimi është proces i rëndësishëm për të gjitha komunitetet dhe qëllimi i tij duhet të jetë integrimi i këtyre komuniteteve dhe jo dezintegrimi. Krijimi i ndasive të reja nuk do t'i sjellë askujt asnjë të mirë dhe kjo është një prej arsyeve pse serbët e Kosovës duhet, që në mënyrë legjitime të zgjedhin udhëheqësit, të cilët mund të përballen me sfidat që gjenden përpara tyre.
Kosova, është pjesa e fundit e mozaikut në normalizimin dhe stabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe nëse duam që epokën e luftërave ta lëmë prapa vetes, të gjitha palët duhet të marrin pjesë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurtë.

XS
SM
MD
LG