Ndërlidhjet

UDHËHEQËSIT E PARTIVE POLITIKE VOTOJNË PËR ZGJEDHJET E PËRGJITHSHME


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Drejtuesit e deritanishëm të institucioneve dhe kryetarët e partive kryesore politike, i kanë hedhur sot në mëngjes votat e tyre në zgjedhjet për parlamentin e Kosovës, nga i cili do të dalin dhe presidenti dhe qeveria e re, tani me mandat katëvjeçar. Në deklaratat e tyre me rastin e votimeve, kryetarët e partive kanë theksuar rëndësinë e zgjedhjeve për fazën në të cilën po hyn Kosova, e cila sipas tyre është faza e përcaktimit të statusit të saj përfundimtar. Presidenti aktual i Kosovës dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ibrahim Rugova, i cili votoi në shkollën fillore "Iliria" në Prishtinë, tha se zgjedhjet janë të rëndësishme.
"Kjo është një ditë e madhe dhe e rëndësishme për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, pra për një Kosovë të pavarur të integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jam i bindur se sot do të votojnë të gjithë qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, sepse këto zgjedhje janë me rëndësi për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë, për zhvillimin, prosperitetin, demokracinë tonë të tanishme dhe për brezat e ardhshme që vinë pas nesh," tha zoti Rugova, duke përgëzuar dhe lavdëruar qytetarët dhe partitë politike për fushatën e qetë dhe të drejtë.
Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, i cili herët në mëngjes ka votuar në shkollën fillore " Faik Konica" tha:
"I uroj gjithë popullit të Kosovës zgjedhjet e përgjithshme 2004, të cilat janë zgjedhje të rëndësisë historike. Uroj që qytetarët e Kosovës si gjithmonë të bëjnë ndryshime edhe më rrënjësore kësaj radhe."
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se mënyra më e mirë për ndryshime është pikërisht përdorimi i të drejtës për të votuar.
" Në radhë të parë u uroj qytetarëve të Kosovës zgjedhjet e dyta parlamentare, uroj që të gjithë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Na presin shumë punë në Kosovë, duhet të zhvillojmë Kosovën politikisht dhe ekonomikisht. Mendoj se mënyra për t'i dhënë drejtim është duke përdorur drejtpërdrejt të drejtën e votës. Unë pres që të ndryshojë për të mirë dinamika e zhvillimeve në Kosovë", tha zoti Haradinaj, ndërkohë që përfaqësuesit e "Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë" kanë votuar në Mitrovicë dhe në Graçanicë. Rangjell Nojkiç, i dyti në këtë listë ka votuar në një shkollë në enklavën e Graçanicës.
"Duam të shohim nëse bashkësia ndërkombëtare dhe shqiptarët shumicë në parlament, vërtet duan Kosovë shumëetnike, apo kjo është vetëm një farsë. Pra këto zgjedhje dhe institucionet njëkohësisht do të jenë një provë për vullnetin e tyre", tha Nojkiç, pasi bashkë me përfaqësues të tjerë të "Listës së serbëve për Kosovën dhe Metohinë", kanë qenë të vetmit që kanë votuar deri në orët e mesditës. Ndërkohë kanë votuar edhe kryetarët e dy subjekteve më të reja politike, të Iniciativës Qytetare "Ora" dhe Alternativës Demokratike të Kosovës. Bartësi i listës "Ora" Veton Surroi i quajti zgjedhjet të rëndësishme për dy arsye:
" Së pari për të etabluar një qeverisje funksionale në Kosovë dhe së dyti për të krijuar mundësinë e përcaktimit të statusit nëpërmjet një procesi negociator me bashkësinë ndërkombëtare".
Ndërsa udhëheqësja e Alternativës Demokratike të Kosovës, Edita Tahiri, e cila po ashtu për herë të parë merr pjesë në zgjedhje, tha:
"Këto janë zgjedhje me rëndësi historike për Kosovën, për faktin se ne po hyjmë në fazën kur do të përcaktohet statusi përfundimtar i Kosovës".
Gjatë ditës kanë votuar në vende të ndryshme edhe përfaqësues të tjerë të partive politike, ndërsa kryeadministratori i Kosovës Soren Jessen Petersen në orët e mbrëmjes do të vizitojë disa qendra votimi në Prishtinë.





XS
SM
MD
LG