Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

REXHEPI: TË KËNAQUR ME MBARËVAJTJEN E ZGJEDHJEVE


Albana Isufi, Prishtinë

Deri në orën 17, 33 përqind e mitrovicasve kanë hedhur votën për të preferuarit e tyre. Një rritje e numrit të votuesve sipas zyrtarëve të Komisonit Qendror Zgjedhor është vërejtur në orët e mbrëmjes. Por, në pjesën veriore të Mitrovicës, dalja në votime ka qenë tejet e ulët. Deri në orët e mbrëmjes kanë qenë 28 serbë që kanë hedhur votën për deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Zgjedhjet janë përshkuar me atmosferë të qetë dhe pa incidente.
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili ka votuar sot në pjesën jugore të qytetit, është shprehur i kënaqur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
"Kemi patur një fushatë të qetë. Po ashtu zgjedhjet mendoj se shkojnë shumë qetë. Jemi shumë të kënaqur. Qytetarët sigurisht do të përgjigjen në numër të mjaftueshëm dhe besoj se çdo gjë do të shkojë në rregull", tha kryeministri Rexhepi.
I pari në pjesën veriore të Mitrovicës sot ka votuar bartësi i "Listës për Kosovën e Metohinë" Oliver Ivanoviç. Ai ka thënë se sot kanë fituar moralisht ata që kanë pasur forcë që me dorën e tyre të vendosin për fatin e tyre.
Ivanoviçi ka akuzuar qeverinë serbe për pengimin e pjesëmarrjes së serbëve në votime.
"Jam absolutisht i sigurt se ne jemi fitues moralë të këtyre zgjedhjeve, duke pasur tërë qeverinë kundër nesh dhe unë mund të them një antifushatë shumë të fortë dhe të ashpër. Ne nuk jemi në pozitë të njëjtë dhe të barabartë me konkurrentët e tjerë", ka thënë Ivanoviç.
Votuesit e paktë serbë që kanë votuar në pjesën veriore të Mitrovicës, thonë se nuk presin ndryshime të mëdha pas zgjedhjeve.
"Asgjë të veçantë, vetëm po shkoj dhe mendoj se serbët ndoshta duhet që për ndryshime të punojnë diçka, nga ajo që ata mendojnë se është e drejtë dhe jo të vazhdojnë të kundërshtojnë. Mendoj se pas zgjedhjeve gjërat do të jenë më në rregull, sepse deri tani të tjerëve u kemi shërbyer dhe veten e kemi dërguar në katastrofë", thotë një grua nga Mitrovica.
Një bashkëvendase e saj mendon ndryshe.
"Unë vërtet shpresoj do të bëhet më mirë, nëse ka gjasa që këto zgjedhje të kenë sukses".
"Nuk kam çfarë të pres, vetëm po e kryej obligimin tim," thotë një grua tjetër serbe.
Edhe në komunat e tjera veriore të banuara me shumicë serbe, dalja në votime ka qenë tejet e ulët.
Përndryshe në këtë pjesë të Kosovës, zgjedhjet janë zhvilluar pa incidente, ndërsa ekipet ndërkombëtare të policisë kanë qëndruar tërë kohën afër vendvotimeve.

XS
SM
MD
LG