Ndërlidhjet

KQZ SHPALL REZULTATET E PARA ZYRTARE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Rezultatet paraprake të shpallura sot nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian për votat e numëruara, pothuajse në tërësi përputhen me rezultatet që ka dhënë të shtunën dhe të djelën Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i cili ka vëzhguar këto zgjedhje. Kështu sipas zyrtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve kanë votuar 51.11 përqind e elektoratit, pa numëruar votat e kushtëzuara. Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar më së shumti vota që arrijnë në 45.30 përqind. E dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 28.68 përqind, e treta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.28 përqind. Lista qytetare" Ora", e cila merr pjesë për herë të parë në zgjedhje ka fituar 6.26 përqind, Partia Shqiptare Demokristiane 1.81 përqind, Partia Popullore turke 1.38 përqind, Partia e Drejtësisë 1përqind, ndërsa 7.32 përqind të votave u mbeten subjekteve të tjera garuese. Duhet theksuar se këto rezultate janë të mbështetura nga raportet e mara nga komisionet komunale dhe po kontrollohen në qëndrën e numërimin, ndërsa këtu nuk hyjnë votimet me kusht.
Edhe pse zyrtarët e OSBE-së kanë arsyetuar se nuk donin të merreshin me prejardhjen etnike të votuesve, raporte të ndryshme, përfshirë dhe ato të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që ka vëzhguar zgjedhjet, thonë se në 23 tetor kanë votuar vetëm pak më shumë se 500 serbë, përfshirë këtu serbët e Kosovës dhe ata që kanë votuar në vendvotimet në Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar me të drejtë vote ka qenë 108 mijë serbë.
Zyrtarët e Komisionit Qëndror të zgjedhjeve kanë thënë se do të duhet mjaft kohë për t'u kumtuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, të cilat duhet t'i verifikojë dhe nënshkruajë kryeadministratori i Kosovës Soren Jessen Petersen, pasi edhe pse votat e hedhura të shtunën tashmë janë numëruar, egziston një numër i madh prej rreth 40 mijë votash të kushtëzuara, pastaj vota të dërguara me postë dhe vota të personave me nevoja të posaçme, të cilat ende nuk janë numëruar dhe në këtë numër përfshihen edhe votat që janë hedhur në Serbi dhe Malin e Zi. Kjo aq më tepër kur disa parti politike shpresat e tyre për më shumë vota nga rezultatet e sotme, i kanë mbështetur në numërimin e votave të hedhura me kusht, ku shpresojnë të përmirësojnë përqindjen e tyre. Sidoqoftë jozyrtarisht është mësuar se rezultatet përfundimtare zyrtare do të shpallen të shtunën më 30 tetor.





XS
SM
MD
LG