Ndërlidhjet

MACSHANE: STATUSI I ARDHSHËM I KOSOVËS DUHET TË JETË NDËRVARËSIA ME BASHKIMIN EVROPIAN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Statusi përfundimtar i Kosovës duhet të jetë ndërvarësia si pjesë e Evropës moderne, ka thënë sot në Prishtinë Ministri për Evropën në Qeverinë britanike, Denis MacShane. Zoti MacShane që gjatë ditës ka takuar të gjithë udhëheqësit politikë të Kosovës dhe shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, tha se ky opsion është integrimi në Evropë. Mirëpo, tha ai, fillimisht institucionet e reja duhet të merren me përmbushjen e standardeve:
"Dua t’i shoh standardet të përmbushura sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të shkojmë drejt diskutimit të statusit të Kosovës, që mendoj se të gjithë duam që ajo të jetë një ndërvarësi," tha MacShane, duke shpjeguar se është fjala për një mënyrë të shkuarjes së Kosovës në Evropën moderne, ku ekziston një varësi e ndërsjellë ndërmjet të gjitha vendeve anëtare.
Kryetari i Kosovës dhe i Lidhjes Demokratike Ibrahim Rugova, tha se biseda me ministrin MacShane ishte përqëndruar tek zgjedhjet e të shtunës së kaluar.
"Kemi treguar një funksion demokratik se Kosova është e aftë të organizojë rendin demokratik, ta udhëheqë veten. Ne institucionet do t'i krijojmë në afat sa më të shpejtë dhe normal dhe po ashtu për bartjen e kompetencave tek institucionet e Kosovës".
Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tha se zgjedhjet dëshmuan se institucionet e Kosovës mund të marrin më shumë kompetenca.
"Rezultati i zgjedhjeve është i pranueshëm nga i gjithë spektri politik kosovar dhe jam shumë optimist se në të ardhmen e afërt do të ndërtojmë institucione efektive dhe stabile, shumëpërfshirëse dhe shumë-etnike, që do të garantojnë suksesin dhe stabilitetin për Kosovën"
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana tjetër tha se ishin pajtuar me ministrin britanik, se procesi i konstituimit të institucioneve të reja duhet të jetë efikas.
" I shpjegova për synimet tona që në një periudhë të afërt t'i ndërtojmë institucionet e Kosovës dhe të vazhdojmë një qeverisje të suksesshme për të arritur me suksese në periudhën e vlerësimit të standardeve", tha Haradinaj, ndërkohë që bartësi i Listës "Ora" Veton Surroi, që në këto zgjedhje ka dalë subjekti i katërt më i fuqishëm politik në Kosovë, tha se ua kishte dërguar të gjitha forcave parlamentare të Kosovës një platformë të qeverisjes:
"Së pari që Kosova të ketë pushtet dhe opozitë, së dyti që të ketë disa pika konsenzusi për pushtetin dhe opozitën dhe së treti ato që mendojmë se duhet të jetë plani dhe programi qeveritar me të cilin duhet të udhëhiqet qeveria e ardhshme".
Në anën tjetër Oliver Ivanoviç, bartës i "Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë", që në parlament mund të hyjë vetëm përmes vendeve të rezervuara, pasi bashkëkombësit e tij votuan në numër simbolik, tha se në një situatë të tillë, ata nuk mund të ndërmarrin hapa të vështirë, të mëdhenj dhe me përgjegjësi për të mbrojtur bashkësinë serbe në Kosovë.
"Qeveria e Serbisë është faktori kryesor, ata duhet të thonë se përse kërkuan bojkotimin e zgjedhjeve, dhe përse aktivisht punuan për këtë bojkot. Dhe nëse nuk ka një hap të ardhshëm, atëhere duhet të bartin pasojat", tha Ivanoviç.
Zoti MacShane tha se pavarësisht nga pjesëmarrja e dobët e serbëve, proceset duhet të ecin më tej, ndërsa institucionet duhet të marrin përsipër përgjegjësitë lidhur me pakicat. Ai tha ndërkohë se pas zgjedhjeve të organizuara në pajtim me standardet evropiane, është me rëndësi që UNMIK-u të bartë sa më shumë kompetenca tek institucionet vendore, gjë që sipas tij është politikë e vazhueshme e qeverisë britanike:
"Do të doja të shihja që UNMIK-u bart sa më shumë kompetenca që të jetë e mundur dhe sa më shpejt, pasi mënyra e vetme për t’i bërë njerëzit të përgjegjshëm është t’u japësh atyre përgjegjësi," tha MacShane, sipas të cilit këto përgjegjësi do të duhej të ushtroheshin përgjegjshëm.








XS
SM
MD
LG