Ndërlidhjet

AMBASADORI POLT: PROCESET DO TË VAZHDOJNË DERI NË DEFINIMIN E PLOTË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Dalja e ulët e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 23 tetorit, ishte dëshpëruese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkësinë ndërkombëtare, mirëpo kjo nuk do të ndikojë në qëndrimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar që proceset aktuale në Kosovë, siç janë standardet dhe zgjidhja e statusit, të vazhdojnë deri në përcaktimin e plotë, ka thënë sot në Prishtinë, ambasadori amerikan në Beograd, Michael Polt. Këto komente, ambasadori Polt i ka bërë pas takimit me kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepi. Ambasadori Polt tha se serbët duhet ta kenë vendin e tyre në institucionet e Kosovës, duke shtuar se i kupton shqetësimet e tyre, por ne si amerikanë, nuk kemi ndërmend, tha ai, që të pozicionohemi kah njërit apo tjetrit komunitet që jeton në Kosovë:
“Ka një qëndrim shumë të përbashkët të komunitetit ndërkombëtar se si duhet të vazhdohet procesi përpara, duke përfshirë këtu raportet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, si dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e Malit të Zi”, tha ambasadori Polt. Ai ka thënë po ashtu, se pozita e serbëve të Kosovës, si një minoritet dhe e shqiptarëve si shumicë, mund të vështrohet edhe në pozitën që ka minoriteti shqiptar në Serbi dhe shumica serbe atje:
“Unë bisedova me kryeministrin Rexhepi edhe në lidhje me gjendjen në Serbi gjithashtu, ku ka pakica të cilat duan t’i kenë të drejat e veta”, tha ambasadori Polt, duke shtuar se atje janë bërë disa përparime në këtë fushë, çka sipas tij mund të jetë rast që edhe në Kosovë të sigurohet një trajtim i njëjtë i pakicave.
Ndërkohë, kryeministri Bajram Rexhepi, u përqëndrua dhe në disa interesime që i ka shprehur ambasadori amerikan dhe që kanë të bëjnë me funksionaliziminn e qeverisë së ardhshme të Kosovës që pritet të formohet. Rexhepi tha se SHBA-të duan ta shohin një qeveri në Kosovë, e cila do të ballafaqohet menjeherë me shumë punë e procese që janë aktualisht duke u drejtuar nga qeveria ende aktuale e Kosovës:
“Institucionet e reja duhet të vazhdojnë punën, duhet të përgatisin edhe sa i përket standardeve edhe sa i përket decentralizimit, duhet të kenë një rol shumë aktiv dhe duhet të tregojnë rezultate”, tha kryeministri Rexhepi.
Gjatë kësaj vizite, ambasadori Polt shoqërohej nga shefin e misionit amerikan në Kosovë Philip Goldberg. Ambasadori Polt do të qëndrojë edhe nesër në Kosovë me ç’rast do të zhvillojë dhe takime të tjera me udhëheqës kosovarë.


XS
SM
MD
LG