Ndërlidhjet

FILLON RINUMËRIMI I VOTAVE PËR SHKAK TË GABIMEVE


Gabimet që janë hetuar me rastin e numërimit të votave kanë qenë aq të rënda sa kanë mundur të kenë ndikim madje edhe në shpërndarjen e vendeve në parlament, ka thënë sot shefja e Komisionit të zgjedhjeve për Parashtresa dhe Ankesa, Jannie Allison Sitton, duke e arsyetuar vendimin për numërimin e përgjithshëm të votave të rregullta. Këto komente zonja Allison Sitton i ka bërë në një takim me gazetarët sot në Prishtinë, duke thënë se rinumërimi i votave ka qenë i pashmangshëm edhe për të qenë korrekt ndaj partive politike, por edhe për të demonstruar transparencën e gjithë procesit.
"Në rastet që ka hetuar Komisioni për parashtresa dhe ankesa, janë zbuluar 15 gabime me qindra vota, që është e mjaftueshme për të ndryshuar shpërndarjen e vendeve në parlament", tha Jannie Sitton, sipas të cilës në disa vendvotime ka pasur raste kur qindra vota i janë përshkruar një partie të vogël e cila nuk ka mbështetës në atë komunë, vetëm pse emri i saj ka figuruar afër partisë që ka mbështetje të madhe në atë komunë. Këto gabime shpjegoi ajo nuk janë bërë me rastin e dhënies së votave, por gjatë plotësimit të formularëve për votat dhënë partive. Ajo tha se ky ka qenë çelësi që ka shtyrë Komisionin që pas ankesave të disa subjekteve politike të hetojë rastin dhe të urdhërojë rinumërimin.
"Kur votat që është dashur t’u shkojnë partive të mëdha, u kanë shkuar partive të tjera të mëdha, nuk ka qenë e mundur të saktësohet problemi pa një numërim të plotë të votave", tha Sitton, sipas të cilës Komisioni ka dashur të sigurohet që të mos ketë përshkrim të gabuar të votave të dhëna. E mira e gjithë kësaj tha ajo, është se faktet që dëshmojnë vullnetin e qytetarëve, pra votat e hedhura, ekzistojnë dhe mund të numërohen.
Ajo tha se problemi ka qenë mjaft serioz sa të ndikojë edhe në shpërndarjen e vendeve në parlament.
"Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së të hënën, shkuarja e vetëm 70 votave nga një subjekt në tjetrin, do të mund të shkaktonte ndryshime të vendeve të marra në parlament", tha Jannie Allison Siton, udhëheqëse e Komisionit të Zgjedhjeve për parashtresa dhe ankesa.
Ndërkaq, kryeshefi i sekretariatit të KQZ, Adnan Merovci në një bisedë për "Evropën e Lirë" tha se nuk mund të priten shumë ndryshime pas rinumërimit të votave, por procesi do të marrë kohë.
"Meqenëse flitet për votat e rregullta, ato janë në numër të madh, rreth 600 mijë, unë mendoj se rreth 5 ditë do të zgjasë krejt ky proces", tha Merovci.
Zoti Merovci ka hedhur poshtë pohimet se gabimet e bëra, që sipas tij dhe zyrtarëve të Komisionit për parashtresa dhe ankesa janë të paqëllimshme, do të zbehin kredibilitetin e strukturave vendore, që për herë të parë kanë organizuar anën teknike të zgjedhjeve:
"Unë mendoj se në asnjë mënyrë nuk bie kredibiliteti i trupave që kanë kryer zgjedhjet, por kjo vetëm e forcon këtë kredibilitet, pasi kjo bëhet vetëm për t’u rritur institucioni i transparencës dhe i besueshmërisë", tha Merovci.
Sidoqoftë, deri më tash nuk është thënë një datë e saktë kur do të shpallen rezultatet përfundimtare të votimeve të 23 tetorit, por dihet se rinumërimi i votave ka filluar sot në mëngjes, ndërsa rezultatet tash do t’u bashkangjiten rezultateve të votave me kusht, që tashmë janë numëruar.

Rrahman Paçarizi


XS
SM
MD
LG