Ndërlidhjet

ALEKOZAI: "NDËRMJETËSIMI I DREJTUESVE FISNORË E FETARË MUND TË SJELLË LIRIMIN E HEBIBIT"


Jan Alekozai, gazetar në Radion

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi "Ushtria e Myslimanëve" ka marrë përsipër përgjegjësinë për rrëmbimin e tre punonjësve të Kombeve të Bashkuara, mes të cilëve është dhe Shqipe Hebibi nga Kosova. Cfarë mund të na thoni më shumë për këtë grup dhe aktivitetin e tij?

ALEKOZAI
Ky emër vjen për herë të parë në Afganistan dhe është i ri për publikun dhe mediat afgane. Një grup i ngjashëm, me të njëjtin emër vepron në Pakistan, ku janë të përfshirë në konfliktet etnike dhe fetare në atë vend apo rajonet fqinje.
Personalisht nuk e shoh atë si grup të fuqishëm taliban. Është një grup që mund të ketë disa lidhje jashtë Afganistanit më shumë se brenda vendit.
Për momentin grupet talibane nuk janë aq të forta sa të vijnë në zona të sigurta të Kabulit dhe të rrëmbejnë njerëz, sic ishte rasti në fjalë.
Informacionet e fundit flasin se disa persona brenda strukturave zyrtare afgane mund të kenë bashkëpunuar me rrëmbyesit e tre punonjësve ndërkombëtarë. Qeveria po heton dhe në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë informacionet më të fundit lidhur me operacionet e kërkimit të zyrtarëve afganë dhe a ka ndonjë përparim në këtë drejtim?

ALEKOZAI
Informacionet e fundit nga Ministria e Brendshme flasin se janë bërë disa arrestime lidhur me këtë rrëmbim dhe është gjetur tabela e automjetit me të cilin ata janë rrëmbyer. E re është se Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se kanë besim se do të kapin shpejt autorët dhe bashkëpuntorët e këtij rrëmbimi. Ata po punojnë shumë në këtë drejtim dhe shpresojmë se do kapen autorët.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë struktuarat apo personat që mund të ndihmojnë në lirimin e tre të rrëmbyerve, brenda apo jashtë Afganistanit?

ALEKOZAI
Mund t'ju them se rrëmbimi i njerëzve nuk është në traditën afgane, pais ne i konsiderojmë të huajt e ardhur atje si miq dhe për ata ka kujdes maksimal. Edhe në luftën e muxhahedinëve kundër pushtimit sovjetik nuk kemi pasur raste të rrëmbimit.
Ne mendojmë se është e papranueshme që t'u ndodhin gjëra të tilla personave që vijnë në Afganistan për të na ndihmuar. Dhe ky është mendimi i popullit afgan.
Mendoj se mënyra më e mirë për të mundësuar lirimin e tyre është që qeveria të kontaktojë intensivisht me disa figura të talibanëve, me të cilët ëshët biseduar e negociuar vazhdimisht.
Njëherësh drejtuesit fetarë në Afganistan dhe Pakistan, ku ky grup ka aktivistët e vet, janë persona që mund të ndihmojnë në lirimin e tre të rrëmbyerve mes të cilëve është dhe kosovarja Hebibi.
Në të kaluarën negociatat me udhëheqës fetarë, fisnorë dhe disa ish-drejtues talibanë kanë ndihmuar në lirimin e të huajve, sic ishte rasti i inxhinierëve turq dhe indianë. Ata u liruan përmes bisedimeve me këta drejtues dhe shpresojmë se edhe këtë rradhë do ndihmojnë në lirimin punonjësve të Kombeve të Bashkuara.

Bisedoi: Iliriana A.BAJO
XS
SM
MD
LG