Ndërlidhjet

AMERIKANËT VOTOJNË SOT PËR ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT


Mbi 100 milionë amerikanë shkojnë sot në votime për zgjedhjen e presidentit, në atë që duket të jetë gara më e afërt në historinë presidenciale amerikane.
Analistët thonë se pjesëmarrja në votime do të jetë një faktor vendimtar në përcaktimin e fituesit.
Kandidati Bush edhe në orët e vona të ditës së djeshme, në takimet e fundit me zgjedhësit në shtetin e Nju Meksikos ka kërkuar votat e republikanëve, por dhe demokratëve.
"Kërkoj nga ju që të nxisni edhe miqtë e fqinjët të shkojnë në votime. Kjo thirrje është për të gjithë ju, republikanë, të pavarur dhe demokratë", tha Bush.
Ndërsa sfiduesi i tij, senatori demokrat, John Kerry, në takimet e fundit parazgjedhore ka theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.
"Rezultati i kësaj gare është në duart tuaja dhe ju përket ju", tha Kerry në ditën e fundit të fushatës, vetëm pak orë para fillimit të votimeve.
Të shqetësuar për parregullësi të mundshme si demokratët ashtu dhe republikanët kanë krijuar ekipe shumë të mëdha me juristë. Ndërkaq 90 vëzhgues nga OSBE-ja do mbikqyrin zgjedhjet në një numër shtetesh. Konald Olsewzki është një prej tyre, i cili po mbikqyr zgjedhjet në Florida. Për "Evropa e Lirë" ai tha:
"Kemi pasur qasje në cdo fazë të ecurisë së zgjedhjeve nga pikëpamja administrattive, madje kemi qenë të mirëpritur në Majami, ku kryesuesja e komisionit të votimeve na ka treguar të gjitha aspektet e votimit të mëherëshëm", tha Olsewzki, për të shtuar se problemet mund të shfaqen gjatë ditës së votimeve
Derisa ekipet e kandidatëve po diskutojnë të gjitha detajet e mbetura, madje deri tek moti që do ndikonte në shkallën e pjesëmarrjes mediat amerikane e vecanërisht televizionet kanë deklaruar se do jenë tepër të kujdesshme për të mënjanuar gabimet e bëra në zgjedhjet e vitit 2000 ku fillimisht u tha se Al Gore ishte fitues. Bill Uitllei, zëvendëspresident i NBC News shpjegon masat shtesë, të marra për mbulimin e ditës së zgjedhjeve.
"Kemi bërë gjithcka që është e mundur, kemi shpenzuar kohë, financa dhe përpjekje për të përmirësuar sistemin e informimit. Por mbi të gjitha do jemi shumë të kujdesshëm që të mos ndodhin gabimet e zgjedhjeve të kaluara. Do përpiqemi të jemi televizioni që jep informacionet e sakta dhe jo që të jemi të parët në dhënjen e rezultateve", deklaroi Uitllei nga NBC News.

Pergatiti: Iliriana Bajo
XS
SM
MD
LG