Ndërlidhjet

E. AZEMI: PAS REFERENDUMIT MAQEDONIA NUK DO TË JETË MË E NJËJTA


Emin Azemi, analist dhe botues i Faktit

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të reflektojë në Maqedoni referendumi i 7 nëntorit?

EMIN AZEMI
Nëse analizojmë deklaratat e ndërkombëtarëve, por edhe një pjese të madhe të politikanëve, del një emërues i përbashkët që thotë se Maqedonia megjithatë me një referendum të suksesshëm apo të pasuksesshëm, nuk do të jetë e njëjta Maqedoni sikur ajo që ishte pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në Maqedoni po krijohen koalicione të mëdha etnike, jopolitike, siç ishin deri tani. Dhe kjo është për mendimin tim një fazë e re e një krize të re në Maqedoni, e cila po ndodh pikërisht në momentin kur Maqedonia ka marrë pyetësorin me mbi tre mijë pyetje, që duhet t'i përgjigjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ka tendenca të hapura antiintegruese, antievropiane dhe kjo rezulton në një paqartësi të re, për të cilën politikanët ende nuk kanë dhënë përgjigje të duhura.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga këndvështrimi juaj si analist zoti Emin, sa mund të flitet me organizimin e referendumit për vlefshmërinë e Marrëveshjes së Ohrit, por gjithsesi edhe për marrëveshjen paqësore si themel për ndërtimin e një shoqërie multietnike në Maqedoni?

EMIN AZEMI
Së pari, Marrëveshjes së Ohrit iu bë një provë e gabuar nga vetë garniturat pushtetare, të cilat krijuan hapësirë që të krijohen alternativa të reja dhe së dyti për mendimin tim, ligji për ndarjen territoriale u përgatit në qarqe të mbyllura. Mendoj se ai ligj duhej të kishte një parapërgatitje jashtë parlamentit të Maqedonisë. Sepse ashtu siç shkuan punët, ligji u përgatit brenda strukturave të parlamentit, komisioneve, në një kohë kur pushteti e ka ditur shumë mirë se një ligj i tillë do të ketë reagime të mëdha tek maqedonasit. Unë ende e kam të paqartë se çfarë ju desh pushtetit, qeverisë, të bëjë një përgatitje të tillë, kur ndoshta mundeshin ventilat të ishin të hapura pak përpara, në mënyrë që të kishte pak debat akademik jashtë parlamentar e ndoshta këto reagime do ishin, por do ishin në mënyrë tjetër, të kanalizuara përmes institucioneve joqeveritare dhe qeveritare.

RADIO EVROPA E LIRË
Komuniteti ndërkombëtar disa herë ka sugjeruar se referendumi pengon proceset demokratike. Sipas jush sa mundet referendumi në fjalë të hapë një faqe të re për Maqedoninë?

EMIN AZEMI
Mendoj që ne që tani kemi një skenë bardhë e zi të situatës pas referendumit. Ata që do të humbin në referendum do të mundohen ta akuzojnë pushtetin për fallsifikim të rezultateve, do të mundohen të tregojnë një mosdëgjueshmëri qytetare dhe do të mundohen kryekëput t'ja hedhin fajin qeverisë dhe koalicionit qeveritar. Në rast të një referendumi të suksesshëm do të jetë qeveria ajo që do të akuzojë opozitën dhe lëvizjen qytetare maqedonase për vonimin e integrimit evroatlantik të Maqedonisë, për vonimin e arritjes së një konsensusi bashkëjetese me shqiptarët dhe ajo që do të pësojë më së shumti në të dy variantet do të jetë "ndalja e karrocës së Maqedonisë në një baltë," ku ajo prapambetje ekonomike e Maqedonisë mendoj se do të shtohet edhe më tepër dhe do t'u jepen mundësi opsioneve më radikale qoftë shqiptare, qoftë maqedonase për ndonjë alternativë të tretë dhe kjo është, po e përsërit, një e panjohur e madhe, që fatkeqësisht politikanët kanë patur mundësinë që ta skiconin më ndryshe.

Intervistoi Zërijeta Hajro Jahjaga
XS
SM
MD
LG