Ndërlidhjet

A. MALA:"KOSOVËS I DUHET POZITA DHE OPOZITA"


Agim MALA, shkrimtar dhe publicist


RADIO EVROPA E LIRË
Në Prishtinë aktualisht temë qendrore është formimi i qeverisë së re. Cili është opsioni më i mirë për Kosovën, bashkëqeverisja si në mandatin e kaluar apo raporti pozitë – opozitë?

AGIM MALA
Përvoja me bashkëqeverisjen në Kosovë ka qenë mjaft e disfavorshme, nuk ka sjellur asnjë kualitet dhe për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë. Mbështetur në epilogun e votimeve të fundit ekziston mundësia e krijimit të pozitës, përkatësisht koalicionit që do të merrte përgjegjësinë për Kosovën dhe të mbetet një opozitë. Mendoj se kjo është zgjidhja më fatlume për Kosovën. Tash bëhen kalkulime të ndryshme, zhvillohen bisedime, kalkulohen votat, numri i deputetëve, mirëpo një është e sigurtë – për dallim nga zgjedhjet e kaluara kur ka qenë vështirë të krijohet maxhoranca tash ekzistojnë gjasa reale që ajo të krijohet. Në Prishtinë flitet se ka bisedime ndërmjet LDK-së, AAK-së dhe disa partive të vogla që do të mund të krijonin këtë maxhorancë, pra të marrin pozitën dhe përgjegjësinë për Kosovën. Mendoj se këto subjekte duhet të tregohen të guximshme dhe të marrin këtë përgjegjësi. Do të ishte fat që një parti që llogaritet si parti e qendres, siç është LDK-ja me një përvojë të gjatë partiake dhe një parti që ka dalur nga lufta, siç është AAK-ja, bashk me ndonjë parti të vogël të krijojnë institucionet. Njëkohësisht do të mbetej edhe një opozitë shumë e fortë ku gjithashtu do të ishte një parti e dalur nga lufta dhe një ligë qytetare, pra PDK-ja e Thaçit dhe ORA e Surroit. Mendoj se ky do të ishte një kualitet i ri në jetën politike të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë konkretisht koalicionet e mundshme?

AGIM MALA
Ky për të cilin fola është koalicioni më i mundshëm. Është edhe varianti i koalicionit të madh, në të cilin në opozitë do të mbetej LDK-ja, por mbështetur (edhe) në logjikën matematikore kjo duket e pamundur. Ai ndërmjet LDK-së dhe AAK-së dhe disa partive të vogla është më real.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka zëra që thonë se për faktin që vitin e ardhshëm mund të hapet çështja e statusit, ekzistimi i opozitës mund të paraqet potencialisht faktor destablizues. Si i përgjigjeni kësaj teze?

AGIM MALA
Këtë tezë e kanë plasuar ndërkombëtarët menjhëherë pas kumtimit të rezultateve të votimeve. Por, Kosova edhe pa pozitë dhe opozitë, edhe me bashkëqeverisje, do të ballafaqohet me situata destabilizuese nëse nuk zgjidhen disa probleme akute dhe nëse nuk lëkundet status – qouja e viteve të kaluara. Me bashkëqeverisje ky rrezik është shumë më i madh. Me një pozitë dhe opozitë, ku do të dihej se kush e ka përgjegjësinë për Kosovën, ky rrezik do të ishte më i vogël. Ndryshe, ata që do të marrin përgjegjësinë për Kosovën duhet të lloagrisin thënë në formë simbolike në "minat" që kanë mbetur pas luftës në Kosovë. Kjo ka të bëjë sidomos me gjendjen ekonomike dhe sociale në Kosovë. Kosova ka 50 mijë të rinjë që brenda një viti kalojnë moshën 17 – 18 vjeçare dhe që kërkojnë punë dhe angazhim. Me një shifër të tillë çdo shtet evropian do të destabilizohej e lërë më Kosova. Në këto rrethana pavarësisht nëse do të ketë pozitë – opozitë ose bashkëqeverisje, Kosova do të ballafaqohet me probleme. Megjithate nëse disa subjekte politike e marrin përgjegjësinë për Kosovë dhe krijojnë institucionet gjasat e Kosovës do të jenë më të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditë më parë në Kosovë ka dalur e përditshmja "Lajm" ku Ju jeni menaxher i projektit? Si është pritur gazeta?

AGIM MALA
Unë e kam kryer pjesën e punës sime. Ideja ka qenë e imja dhe unë kam menaxhuar këtë projekt. Kam siguruar stafin profesional që do ta realizoj ate, por më duhet të them një të vërtetë – pavarësisht që gazeta është pritur mirë, ekzsiton dhe ka ekzistuar një drojë nëse gjurmimi i korrupsionit, pikave të zeza dhe të ngjashme për Kosovën është e tepërt. Për Kosovën ajo që bëhet në Evropë ende është problematike. Besoj dhe shpresoj që (Lajm) të bëjë jetë në fushën mediale të Kosovës.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG