Ndërlidhjet

DEMACI: "DERI SA TË MBAHET REZOLUTA 1244, DO KEMI KOSOVËN ME KRIZA DHE NUK DO TË ARRIHET PAQJA NË BALLKAN"


Intervistë me veprimtarin Adem Demaci

Evropa e Lirë
Zoti Demaçi, tash kur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve janë shpallur dhe partitë kanë filluar negociatat për ndërtimin e institucioneve, si e shihni ju këtë proces?

Adem Demaçi
Po, situata është shumë e ngjashme me atë para tre vjetësh, edhe me numrin e atyre që kanë fituar, edhe me mënyrën se si janë zhvilluar zgjedhjet, edhe me listat e mbyllura. Me fjalë të tjera ata që po planifikojnë fatin e Kosovës, po dinë se si të menaxhojnë dhe po u dalin gjithmonë të saktë ashtu siç po duan ata. Ka këtu involvim edhe nga miqtë tanë të jashtëm, të cilët nuk po lejojnë t’u përzihet askush në atë që ata kanë planifikuar. Dihet se AAK pati shprehur disa ndryshime për të bërë në organizimin dhe në rregullimin e pushtetit këtu në Kosovë, por siç u mor vesh ato qarqe nuk po lejojnë të veprohet në këtë drejtim, duke përdorur edhe mjete që nuk janë aspak të mira dhe të pranueshme.
Përpjekjet për të bërë diçka të re, pra për të pasur një pushtet dhe opozitë, duket se nuk do të shkojnë. Vizita që zoti Petersen i bëri Beogradit, po tregon se miqtë tanë të jashtëm, domethënë ata strategët e mëdhenj të Këshillit të Sigurimit dhe të Brukselit po e vazhdojnë realizimin e projektit të rezolutës 1244, duke dalë gjithnjë e më tepër në shesh partnerizmi ndërmjet UNMIK-ut dhe regjimit Beogradit, ndërsa Kosova duke u shfaqur gjithnjë e më tepër si objekt i këtij partnerizmi.

Evropa e Lirë
Ndërkohë, zoti Demaçi, ende ka dilema në mesin e partive politike për formulën e qeverisjes. Sipas jush, si do të duhej të dukej kjo formulë?

Adem Demaçi
Po, shikoni, qysh në fillim këtu nuk ka një përpjekje për të bërë pushtet demokratik, pasi vetë komponimi i kornizës kushtetuese nuk lejon që Kosova të ketë ato pesë shtyllat e pushtetit, që e bëjnë shtetin dhe pushtetin e vërtetë – nuk e ka sigurimin në dorë të vet, nuk e ka mbrojtjen, nuk i ka punët e jashtme, nuk i ka ekonominë dhe financat dhe nuk i ka gjyqet, përveç edhe disa të drejtave të rezervuara për këtë zotërinë nga Këshilli i Sigurimit. Me fjalë të tjera, janë ndërmarrë të gjitha masat që Kosova të mos mund të dalë nga vendimet e rezolutës 1244, që ajo të përgatitet për t’iu kthyer sërish Serbisë, në disa rrethana të tjera dhe jo si dikur, por kryesisht që Kosova të mos mund ta ketë pavarësinë që e dëshiron ky popull dhe të bëhet ajo që është nënshkruar në Rambuje dhe që është përligjur në rezolutën 12-44, që do të thotë të jetë një lloj autonomie me një shkallë e cila ende është e panjohur, por që është larg pavarësisë.

Evropa e Lirë
Po cilët do të jenë faktorët që do të ndikojnë për mënyrën e kompozimit të qeverisë së Kosovës dhe për njerëzit që do të jenë në krye të këtyre institucioneve?

Adem Demaçi
Fatkeqësisht, faktorët janë ata që kanë qenë para tre vjetësh. Pra, faktorët janë të njëjtit, plus Veton Surroi, që është një nga nënshkruesit e Rambujesë, ku kosovarët të gjitha kompetencat esenciale të një shteti të pavarur ia kanë dhënë Këshillit të Sigurimit dhe mekanizmave ndërkombëtare, kurse vetë janë kënaqur vetëm me një pushtet lokal.

Evropa e Lirë
Në anën tjetër, zoti Demaçi, subjekti më i madh i serbëve që ka marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës tash për tash nuk dëshiron t’i shfrytëzojë tetë vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës që i takojnë sipas kornizës kushtetuese. Si do të reflektohet ky abstenim i tyre në proceset e mëpastajme?

Adem Demaçi
Regjimi i Boegradit është i interesuar që Kosovën vazhdimisht ta mbajë në krizë, kurse serbët e Kosovës janë manipuluar gjithmonë, kurse tash po manipulohen në mënyrë shumë të hapur dhe shumë drastike dhe ata shikojnë komandën nga Beogradi, të cilit i intereson që këtu të mos mund të vendoset një harmoni midis shumicës shqiptare dhe pakicave të tjera dhe këtë serbët po e përdorin këtë në mënyrë kriminale, duke i ftuar ata që të mos dalin në zgjedhje, duke i thirrë që të mos marrin pjesë në mekanizmat e përbashkëta etj. Nga frika se mos po krijohet këtu një shtresë e serbëve që do të dëshironte të jetonte në paqe, në qetësi dhe në marrëdhënie të mira me shqiptarët, por të mbeten një avangardë e kthimit të sërishëm të pushtetit të Serbisë në Kosovë.

Evropa e Lirë
Dhe, çka pritni zoti Demaçi nga viti 2005, që është paralajmëruar si vit i fillimit të përcaktimit të statusit të Kosovës pas përmbushjes së standardeve?

Adem Demaçi
Kjo, përcaktimi i statusit nuk është kurrgjë hiç, pasi statusi mund të jetë çkdao tjetër pos pavarësisë, pasi nuk po thuhet definimi i pavarësisë, por statusi do të përcaktohet. Unë mendoj se në fund do të merret një vendim se nuk janë arritur ato standarde, sepse janë vënë standardet dhe kërkesa të tilla ndaj Kosovës, e cila me këto kompetenca që ka, nuk mund t’i plotësojë kurrë, sepse meqë nuk ia ka kompetencat për sigurinë nuk mund të garantojë sigurinë e duhur, nuk mund të garantojë një decentralizim sipas kërkesave të Serbisë, sepse këtu do të kishte turbullira dhe nuk do t’i pranonte planet e tilla dhe në momentin kur populli i Kosovës me shumicë shqiptare dhe një shumicë e mirë e pakicave të tjera ta kuptojnë se plani është në të vërtetë rikolonizimi dhe riokupimi i Kosovës, atëherë këtu do të krijohet një situatë e pakontrolluar dhe do të dalë nga kontrolli dhe do të kemi një situatë të pakëndshme për të gjithë, por një situatë të cilën po na e imponon neve këmbëngulja që të realizohet rezoluta 12-44 dhe në këtë situatë, pjesëmarrës nuk janë vetëm serbët të cilët janë vazhdimisht të interesuar që të arrijnë objektivat e tyre kundër intersave të Kosovës, por edhe këta miqtë tanë që vijnë nga larg gjoja për na rehatuar, edhe këta, deri sa të mbahen për nenet e rezolutës 1244, deri atëherë do kemi Kosovën me kriza, Kosovën me probleme të shumta dhe nuk do të arrihet paqja dhe stabiliteti i dëshiruar në Ballkan.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG