Ndërlidhjet

MALESKI:"FUQIA DHE DREJTËSIA RRESHTOHEN NË TË NJEJTËN ANË"


Denko MALESKI, ish - ministër i Jashtëm i Maqedonisë


EVROPA E LIRË
Zoti Maleski, si i vlerësoni zhvillimet e fundit të ngjarjeve pas njohjes së Maqedonisë me emrin e saj kushtetues nga ana e Shteteve të Bashkuara?

DENKO MALESKI
Fillimisht dua të them se në Maqedoni mbretëron një ngazëllim nga hapi i administratës së presidentit George Bush. Mendoj se ky është unilateralizëm, të cilin shumë e dëshirojmë dhe na pëlqen. Të gjithë e dijnë se tashmë 13 vjet, Maqedonia përpiqet të gjejë një zgjidhje për një problem, që na ishte imponuar nga ana e fqiut tonë, dhe të cilin, ai me sukses e mbante si çështje të hapur në shumë institucione, ku ne dëshironim të hyjmë, prej Kombeve të Bashkuara e deri te garat e fundit sportive. Mendoj se kjo ndikonte shumë keq në moralin e kombit tonë dhe shtetit tonë në përgjithësi. Gjithë kjo linte tema dhe çështje të hapura për Maqedoninë, për ardhmërinë dhe kombin tonë, kështu që ky është një lajm i mrekullueshëm që thjesht ra nga qielli, është fryt i punës së shumë njerëzve dhe i durimit të popullit maqedonas dhe i përkrahjes nga popujt tjerë që jetojnë në Maqedoni.

EVROPA E LIRË
Zoti Maleski, përfaqësuesit e lartë të Greqisë janë kërcënuar se do ta bllokojnë procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Sipas jush, sa janë të mundshme kërcënimet e tilla?

DENKO MALESKI
Po, ajo që unë kam mësuar nga përvoja në politikën ndërkombëtare është se fuqia është një punë shumë e madhe. Në rastin konkret, me njohjen që Shtetet e Bashkuara ia bënë emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, fuqia dhe drejtësia më në fund u gjetën në të njëjtën anë. Sepse, deri sa në duart tona e kishim vetëm drejtësinë, ishte shumë vështirë. Ne flisnim dhe të tjerët na kuptonin, por nga ana tjetër na e përkujtonin raportin e forcave në politikën botërore, duke na thënë se asnjë shtet i fuqishëm ende nuk ka bërë ndonjë hap drejt njohjes së emrit kushtetues, dhe rrjedhimisht, shumë vende më të vogla vepronin ngjashëm me fuqitë e mëdha, sidomos me Shtetet e Bashkuara. Tani baraspesha ka ndryshuar në favorin tonë. Për fat të mirë, fuqia dhe drejtësia më në fund u rreshtuan në anën e njëjtë, sepse vërtetë nuk mund të kundërshtohej fakti se ne, ashtu si të gjithë popujt tjerë, vetë e zgjedhim emrin e shtetit. Tani gjithçka do të jetë më lehtë. Kam përshtypjen se ende mbetet problemi me aplikimin tonë dhe pranimin në institucionet si Bashkimi Evropian dhe NATO-ja. Mendoj se për anëtarësim në NATO do të na duhen të paktën edhe 2 vjet, ndërsa për Bashkimin Evropian sigurisht më shumë, prandaj deri sa të vijë kjo kohë, shumë vende evropiane do ta ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara. Këtë e them nga përvoja e mëhershme. Kur flisnim me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, askush nuk e arsyetonte sjelljen e Greqisë, por nisur nga raporti i fuqive në politikën botërore, ato rrinin anash. Tani me njohjen amerikane, mendoj se hapen dyert që shtetet tjera më me guxim ta thonë atë që intimisht e mendojnë, se është vërtet e pakuptimtë të insistoni që një shtet ta ndryshojë emrin e vet.

EVROPA E LIRË
Zoti Maleski, për mesin e vitit 2005 është paralajmëruar fillimi i bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.
Cilat janë parashikimet e juaja?

DENKO MALESKI
Kosova nuk mundet tepër gjatë të mbetet në gjendjen ekzistuese, nga shkaku se atje ka një pushtet, legjitimiteti i të cilit buron nga Nju Jorku. Një situatë e këtillë nuk mund të mbahet shumë gjatë pa shkaktuar tendosje ndërmjet të qeverisurve dhe qeverisësve. Mendoj se ky është problemi themelor, dhe se tani pas zgjedhjeve amerikane, do të fillojë zgjidhja apo shthurrja e këtyre nyjeve në Ballkan, me ç'rast përsëri pres që Shtetet e Bashkuara të kenë rol udhëheqës. Edhe vetë kemi vërejtur se në rajonin në Kosovë dhe rreth Kosovës, viteve të fundit sikur ka mbretëruar një lloj "kubanizimi": të gjithë janë të lumtur se nuk ka luftë, kurse nga ana tjetër, rajoni nuk po shkon drejt zgjidhjeve përfundimtare. Mendoj se pak a shumë është e qartë se Kosova do ta fitojë pavarësinë. Do të ishte mirë që kjo të arrihet me marrëveshje dhe dakordimin edhe të Beogradit. Por, pavarësisht si do të përputhet ky element, më duket se janë të mundshëm edhe hapa të këtillë të njëanshëm të Amerikës dhe mbështetësve të saj për zgjidhjen dhe shthurrjen e këtyre nyjeve ballkanike me qëllim që ky konfiguracion i ri politik të shkojë drejt integrimeve në strukturat atlantike dhe evropiane.

Intervistoi: VULLNET POSHKA
XS
SM
MD
LG