Ndërlidhjet

JESSEN PETERSEN AUTORIZON KRIJIMIN E TRE MINISTRIVE TE REJA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen ka vendosur sot për shtimin e tre ministrive të reja në kuadër të qeverisë së ardhshme të Kosovës. Sipas këtij vendimi të zotit Petersen, nga mandati i ardhshëm, qeveria e re do të ketë Ministrinë e Pushtetit Lokal, atë të Energjetikës dhe Ministrinë e Kthimit dhe të të Drejtave të Komuniteteve. Petersen ka vendosur gjithashtu, që në strukturën e qeverisë së re të shtohen dhe postet e reja, siç është ai i zëvendëskryeministrit dhe zëvendësministrave:
“Po ashtu, pasi të formohen Kuvendi dhe qeveria, atëherë do të vazhdojmë me transferin e përgjegjësive të tjera, kryesisht nga fusha e ekonomisë”, tha Petersen. Këtë vendim, ai e bëri publik pas disa takimeve që i zhvilloi sot me udhëheqësit kosovarë. Ndërsa, kërkesat e liderëve vendorë janë që përveç këtyre tre ministrive, të formohen edhe Ministria e Rendit Publik dhe Ministria e Drejtësisë. Sidoqoftë, Petersen ka pohuar se ai do t’i vazhdojë diskutimet me qeverinë e re për kapacitetet e reja që do t’i shtohen qeverisë së ardhshme.
Ndërkohë, përfaqësuesit e partive më të mëdha kosovare, janë duke vazhduar me shqyrtimin e opsioneve për formimin e koalicionit qeverisës. Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mbajtur sot një takim, mirëpo, sipas zëdhnësit të saj Lulëzim Zenelit, ende nuk është marrë ndonjë vendim konkret nga kjo parti, që përbën shumicën në Kuvendin e Kosovës, me 47 mandate, por që nuk janë të mjaftueshme që ajo të krijonte vetë qeverinë e ardhshme:
“Ajo çfarë mund të thuhet tani është se ende nuk ka diçka konkrete sa i përket formës dhe formulës së ndonjë koalicioni të mundshëm. Me këtë rast unë do të shtoja se LDK-ja pret certifikimin e rezultatit zgjedhor ku do të shënohej dhe përmbyllja formale e juridike e kapitullit të zgjedhjeve nacionale dhe paralelisht në këtë plan, LDK-ja është duke punuar në implementimin e këtij rezultati në procesin e ndërtimit të institucioneve qeverisëse të vendit”, tha Zeneli.
Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i kandiduar nga PDK-ja për postin e kryeministrit, tha se partia e tij mbështet një koalicion të gjerë që do t’i përfaqësonte më mirë interesat e Kosovës në proceset e ardhshme, që janë me rëndësi për të ardhmen e Kosovës. Në këtë aspekt, Thaçi tha se partitë duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët për t’u marrë vesh, pavarësisht faktit koalicionet nënkuptojnë që secila prej tyre do të humbë diçka:
“PDK hyn në koalicion me ata që janë të përcaktuar të ndërtojnë shtetin e Kosovës, me ata që janë të interesuar dhe që janë të përcaktuar që të punojnë në përputhshmëri, natyrisht edhe me vizionin e PDK-së për ndërtimin e shtetit të pavarur, sovran e të integruar. Natyrisht që në suaza të arritjes së kësaj marrëveshjeje, secila parti politike duhet të jetë e gatshme të humbë diçka nga vetvetja, nga partia për t’i dhënë institucioneve më tepër energji e kuadro”, theksoi Thaçi.
Subjekti i tretë politik, për nga numri i mandateve të fituara në Kuvend, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas nënkryetarit të saj Bujar Dugollit, është e bindur se AAK-ja duhet të jetë ajo forcë politike që duhet të udhëheqë me mandatin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës:
“Unë besoj se çdo takim i mundshëm që do të iniciohet nga njëra prej këtyre dy partive (LDK dhe PDK), ne do të jemi të hapur të përgjigjemi dhe të japim opsionet tona se si e mendojmë. Por ne kemi shumë argumente të besojmë se me një zgjidhje të tillë, do t’u ndihmonin shumë proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova dhe mendoj se është në interes edhe të dy forcave tjera politike që Qeveria kësaj radhe të udhëhiqet nga AAK-ja dhe kandidati ynë që e kemi paraparë”, tha Dugolli.
Jo zyrtarisht, për këtë javë është paralajmëruar një takim i përbashkët i LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, ku do të diskutohej modeli i mundshëm i koalicionit qeverisës, mirëpo deri tani asnjëri prej këtyre subjekteve nuk e ka konfirmuar pjesmarrjen.






XS
SM
MD
LG