Ndërlidhjet

SERBËT E PRIZRENIT DËSHIROJNË TË KTHEHEN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Disa dhjetra pjesëtarë të bashkësisë etnike serbe, të cilët kanë jetuar në Prizren deri në qershorin e vitit 1999, por më pas janë strehuar në Brezovicë, i kanë vizituar varrezat serbe në këtë qytet, në ditën e të vdekurve. Ata shprehin dëshirën e tyre që të kthehen në Prizren ku thonë se kanë jetuar më parë. Mirosllava Nikoliç e lindur në Prishtinë, thotë se ka jetuar më gjatë se 30 vjet në Prizren. Kurse që nga qershori i vitit 1999 ajo thotë se është strehuar në hotelin “Lahor” në Brezovicë, ku sipas saj nuk ka kushte të përshtatshme për jetë dhe shpreh dëshirën të kthehet në qytetin e Prizrenit:
“Planifikojmë të kthehemi në Prizren dhe do të kthehemi që të gjithë“, thotë ajo, e bindur se kushtet për kthim mund të krijohen nëse këtë e dëshiron bashkësia ndërkombëtare dhe shumica shqiptare.
“Kam punuar në Rilindje dhe kam shitur gazeta në gjuhën shqipe dhe serbe dhe nuk kam pasur kurrëfarë problemesh”, thotë qytetarja Mirosllava Nikoliç.
Përshtypje të njëjtë se serbët mund të jetojnë me shqiptarët, shpreh dhe Jovanka Binxhareviç:
“Kemi jetuar mirë prandaj edhe sot mund të jetojmë mirë, së bashku”, thotë Binxhareviç, e cila gjithashtu është e strehuar në Brezovicë dhe shpreh dëshirën të kthehet në Prizren:
“Fëmijët janë larguar, por unë me burrin tim do të donim të ktheheshim”, thotë Binxhareviç, sikurse edhe qytetarë të tjerë serbë që shprehin dëshirën të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.
Zllatko Mavriç, nga Shoqata për Kthim dhe Ndihmë të të Kthyerve, thotë se një numër i konsiderueshëm i serbëve të kësaj ane do të kthehej të jetonte në Prizren, nëse do të kishte dhe vullnet të bashkësisë ndërkombëtare dhe popullatës lokale:
“Ka dëshirë te të kthyerit që të kthehen, por atyre u duhet dhe ndihma e bashkësisë ndërkombëtare dhe para së gjithash përkrahja e popullatës lokale, e fqinjëve të tyre që t’i pranojnë serbët të kthehen, dhe vetëm atëherë kthimi i tyre do të realizohet”, thotë Mavriç.
Duke shprehur vullnetin e vet, lidershipi i Kosovës ka një kohë të gjatë që u ka bërë thirrje publike të gjithë të zhvendosurve si atyre jashtë territorit të Kosovës ashtu edhe të zhvendosurve brenda territorit të Kosovës që të kthehen nëpr shtëpitë e tyre. Mirëpo, përgjegjësit për çështjen e kthimeve, thonë vazhdimisht se procesi megjithatë po ecën ngadalë.


XS
SM
MD
LG