Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

HARADINAJ BISEDOI ME ZYRTARË TË TRIBUNALIT TË HAGËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka biseduar sot për një orë me përfaqësues të Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës, në zyrën e tyre që ndodhet në ndërtesën e Misionit e UNMIK-ut në Prishtinë. Pas këtij takimi zoti Haradinaj ka lëshuar një deklaratë për shtyp, në të cilën ka pohuar se kishte kërkuar sqarim për një varg çështjesh, duke përfshirë edhe natyrën e procedurave që ndiqen nga Tribunali. “Unë kam ngritur një sërë pyetjesh rreth rolit të kryeprokurores, znj. Karla Del Ponte, dhe kam shprehur shqetësimin tim të thellë për vërejtjet e saj, të parashtruara të mërkurën e kaluar para Këshillit të NATO-s, në të njëjtën ditë kur mua më kanë vizituar zyrtarët e saj”, ka thënë Haradinaj, për të shtuar se zyrtarët e Tribunalit kanë dhënë ndihmesë të madhe, duke iu përgjigjur pyetjeve të tij dhe duke ndarë shqetësimet e tij.
"Meqenëse kanë mbetur disa çështje ende të pasqaruara, do të jetë e nevojshme që diskutimet tona të mëtejme të vazhdojnë më vonë," ka thënë Haradinaj, "për të precizuar se diskutimet tona janë ende të kufizuara në çështjet preliminare dhe procedurale."
Haradinaj ka pohuar në deklaratën e tij se ka informuar për këtë çështje kryetarin Rugova, kryeministrin Rexhepi, kryetarin e Parlamentit Daci dhe liderët e tjerë të partive politike, të cilëve u ka shprehur mirënjohje për mbështetjen.
Në fund të deklaratës së tij me shkrim, zoti Ramush Haradinaj ka thënë se ishte i bindur që "ne jemi më të fortë kur jemi të bashkuar," për të shtuar se "para nesh qëndrojnë sfida të rënda, individuale dhe kolektive, në rrugëtimin tonë drejt Kosovës së lirë, të pavarur dhe tërësisht demokratike."
Në anën tjetër zyrtarët ndërkombëtarë nuk kanë pranuar të hyjnë në detaje lidhur me zhvillimet rreth intervistimit të zotit Haradinaj nga zyrtarët e Tribunalit të Hagës. Komisioneri i Policisë në Kosovë, Kai Vittrup tha se kjo ishte një çështje politike që nuk i takonte atij:
"Nuk kam koment, pasi kjo është një çështje politike dhe unë jam polic dhe nuk merrem me politikë," tha komisioneri Vittrup, ndërkohë që as zëdhënësja zëdhënësja e UNMIK-ut Mechtilde Henneke, nuk ka dhënë detaje lidhur me takimin e djeshëm në Hagë ndërmjet kryeadministratorit Soren Jessen Petersen dhe kryeprokurores Del Ponte:
"Unë vetëm mund të them se zoti Petersen është takuar me kryeprokuroren e Tribunalit të Hagës dhe njëra nga çështjet ka qenë bashkëpunimi ndërmjet UNMIK-ut dhe Tribunalit për Krime të Luftës," thazëdhënësja Henneke.
Dhe, ndërkohë që zhvillimet rreth zotit Haradinaj që është lider i partisë së tretë më të fuqishme politike në Kosovë kanë ardhur në momentin kur po zhvillohen negociata për ndërtimin e koalicioneve qeveritare, zëdhënësja e UNMIK-ut Henneke tha se hetimet në këtë rast nuk e pengojnë zotin Haradinaj ta mbajë postin e deputetit në Kuvendin e Kosovës:
"Nëse dikush është nën hetime dhe bashkëpunon me hetuesit, mund ta mbajë postin e deputetit në parlament," tha Mechtilde Henneke.
Ndërkohë, në deklaratën e zotit Haradinaj nuk përcaktohet se kur do të vazhdojë bisedat me përfaqësuesit e Tribunalit të Hagës.



XS
SM
MD
LG