Ndërlidhjet

A JANË BRAKTISUR ROMËT NË ZVEÇAN!?


Milazim Krasniqi, Prishtinë

Deklarata më e fundit e Avokatit të Popullit Marek Antoni Novicky për gjendjen kritike të romëve në kampin e Zveçanit, mbart me vete një mesazh, të cilin do të duhej ta dëgjonin me shumë vëmendje të gjithë njerëzit në Kosovë. Gjendjen kritike të romëve në atë kamp e tematizuan para disa javës mediat shqiptare, por nga alarmi që dhanë ato nuk pati ndonjë sensibilizim të institucioneve dhe as të rretheve intelektuale. Pamjet shokuese të kronikave televizive, duket sikur janë ngatërruar me pamje të jashtme në Sierra Leone, ose në Ruandë. Por alarmi që dha Avokati i Popullit do të duhej ta prishte atë indiferencë. Dihet se në kampin e Zveçanit romët e Mitrovicës janë përqëndruar menjëherë pas mbarimit të luftës në vitin 1999. Prej asaj kohe ata kanë mbijetuar atje me ndihma, por pa u marrë kurrë seriozisht me zgjidhjen e problemit të tyre themelor. Pesë vjetë jete në kamp të pjesëtarëve të një minoriteti, nuk i bëjnë nder askujt e më së paku një shoqërie, si shoqëria e re kosovare, e cila e ka provuar persekutimin dhe dëbimin. Jeta në kamp e romëve nuk i bën nder as administratës civile ndërkombëtare dhe institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë. Megjithë problemet e mëdha që kanë patur për të zgjidhur në Kosovën e shkatërruar nga lufta, këto institucione është dashur të gjejnë edhe kohë, edhe mjete për rehabilitimin e të zhvendosurve romë dhe për shpërbërjen e kampeve. Zërat që thonë se kjo nuk ka mundur të bëhej për shkak të pjesëmarrjes së romëve në spastrimin etnik të vitit 1999, nuk janë zëra të arsyes. Roli i romëve nuk ka mundur të jetë përcaktues në atë situatë. Edhe në rastet kur ka patur pjesëtarë të komunitetit rom që janë rekrutuar, ata kanë qenë të manipuluar dhe të mashtuar. Në anën tjetër, fajësimi i kolektivit të gjithë romëve, ka qenë dhe mbetet tërësisht i padrejtë. Për këdo që ka marrë pjesë në krime kundër civilëve, ndjekja është në kompetencë të gjykatave, ndërsa të gjithë të tjerët duhet të trajtohen me korrektësi dhe të integrohen në shoqëri. Jeta në kampin e romëve në Zveçan, me aq sa është e mundur të kuptohet nga kronikat televizive dhe nga fjalët e avokatit të popullit, është tmerrësisht e vështirë. Helmimi i fëmijëve me plumb ka arritur shkallë dramatike, aq sa ata i kërcënon vdekja. Dhe tani që hyjmë në stinën e ftohtë të dimrit, gjendja e tyre mund të bëhet edhe më kritike. Kjo situatë shtron nevojën e një reagimi urgjent të institucioneve të Kosovës. Qeveria e Kosovës ndau disa milion euro për ndërtimin e shtëpive të dëmtuara të serbëve në trazirat e marsit dhe këtë gjë mund ta bëjë fare mirë edhe për ndërtimin e disa banesave kolektive për romët e kampit të Zveçanit. Në atë mënyrë do të tregonte përkushtimin për të gjithë qytetarët e Kosovës. Më e pakta që mund të bëhet është që qeveria e re që pritet të formohet në javët që vijnë, të përfshijnë në programin e vet zgjidhjen e këtij problemi të rëndë social dhe moral të shoqërisë kosovare. Para disa vitesh disi kam qenë i hutuar nga angazhimi i shkrimtarit të madh gjerman Ginter Gras për kauzën e romëve në Evropë. Duke parë kampin e Zveçanit dhe fëmijët që përpëliten mes jetës dhe vdekjes, është e qartë se edhe angazhimi intelektualëve për mbrojtjen e këtyre njerëzve të rrezikuar është i domosdoshëm, veçanërisht në rastet kur indiferenca pushtetare zgjat me vite.

XS
SM
MD
LG