Ndërlidhjet

MUNGESA E FONDEVE VË NË PIKËPYETJE PUNËN E GJYKATËS SË HAGËS


"Pezullimi i rekrutimit të punonjësve të rinj në Gjykatën Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, për shkak të mungesës së fondeve, ka pasur ndikime jashtëzakonisht negative në punën e kësaj gjykate." Kjo ka qenë deklarata më e fundit e kryegjyqtarit të Gjykatës së Hagës, Teodor Meron, pra Këshillit të Sigurimit. Meron ka shkuar edhe më tej duke theksuar se humbja e afro 10 për qind të ekipit të përhershëm të kësaj gjykate ka vënë seriozisht në pikëpyetje realizimin e mandatit të Gjykatës së Hagës deri në vitin 2010 sic është paraparë.
"Ne po mundohemi shumë për një kohë të gjatë të bëjmë më tepër me më pak fonde duke rishpërndarë punën. Po kjo do ndikojë në aftësitë e Gjykatës që të veprojë me efikasitet dhe të realizojë strategjinë e paraparë", ka deklaruar Meron, duke shtuar se vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit i kanë përmbushur detyrimet e tyre financiare, por jo dhe shtetet e tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Asambleja e Përgjithshme e organizatës botërore ka paraparë një buxhet prej 300 milionë dollarësh për vitin 2004 –2005 për Gjykatën e Hagës, që ka mbi 1 mijë punonjës të përhershëm.
Japonia besohet se është një nga vendet që nuk ka përmbushur detyrimet financiare, derisa ka qenë një nga kontribuesit kryesorë në buxhetin e Gjykatës së Hagës. Ambasadori japonez në Kombet e Bashkuara në përgjigje të kërkesave të kryegjyqtarit të Hagës, Teodor Meron tha se vendet anëtare kanë fonde të kufizuara për gjykatat ndërkombëtare si ajo për ish-Jugosllavinë dhe për Ruandën, derisa këto gjykata nuk po e justifikojnë veten.
"Dallimi i krijuar mes kostos dhe numrit të rasteve të trajtuara nga këto gjykata është ende në përpjestim të zhdrejtë. Ne besojmë se aktiviteti dhe kostoja e Gjykatës për ish Jugosllavinë dhe ajo e Ruandës duhet të bëhen në përputhje me realizimin e strategjisë përmbyllëse të aktivitetit të tyre", tha para Asamblesë së Përgjithshme Toshiro Ozava, amabasadori japonez në Kombet e Bashkuara.
Por qëndrimi i amabsadorit japonez është kundërshtuar nga amabsadori i Bosnjë-Hercegovinës në Kombet e Bashkuara, Mirza Kusljugic, sipas të cilit gjykata e Hagës ka ndikuar në pajtimin mes grupeve etnike në vend.
"Jo pa keqardhje mësova nga presidenti i gjykatës së Hagës, gjyqtari i nderuar Teodor Meron, se mbështetja financiare e bashkësisë ndërkombëtare për këtë gjykatë është zvogëluar ndjeshëm. Në emër të vendit tim dua t'i kërkoj edhe njëherë kontribuesve kryesorë që të mbajnë premtimet dhe të vazhdojnë të mbështesin gjykatën e Hagës për sa kohë është e nevojshme", tha ambasadori i Bosnjës në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Meron nga ana e tij para Asamblesë së Përgjithshme është përqëndruar dhe në aktivitetin konkret të Gjykatës. Sipas tij një numër rastesh kanë kaluar në gjykatat e Sarajevës e Zagrebit, që kanë shënuar përparime. Por ka theksuar se bashkëpunimi nga ana e Serbisë e Malit të Zi për kapjen e të akuzuarve ka qenë plotësisht i pamjaftueshëm.
"Ende thuajse nuk ka pasur aspak bashkëpunim nga Serbia e Mali i Zi, vecanërisht lidhur me arrestimin e të akuzuarve dhe qasjen në dokumente" tha Meron. Këshilli i Sigurimit në strategjinë e miratuar për gjykatën ka paraparë dhënjen fund të ngritjes së aktakuzave deri në fund të këtij viti, mbylljen e gjyqeve deri në vitin 2008 dhe rastet e dërguara në apel deri në 2010. Por problemet në fonde ngrejnë pikëpyetje për të ardhmen e gjykatës.

Robert McMahon – OKB, Nju Jork

XS
SM
MD
LG