Ndërlidhjet

KOSOVA BIE NË TERR ENERGJETIK


Bekim Bislimi, Prishtinë

Rënia e bllokut B1, të termocentralit Kosova B, rreth orës 3 pas mesnatës, ka shkaktuar telashe të mëdha për Korporatën Energjetike të Kosovës, për furnizimin e qytetarëve me energji elektrike, thotë Palok Berisha, drejtor i zyrës për informim të kësaj korporate.
“Rënia e 270 MW nga sistemi, vërtet na ka hedhur në “aut’. Domethënë, prodhimi vendor është zero. Kemi import, në këtë moment, deri në 400 MW, i cili mundëson furnizimin 3 orë me energji elektrike, 3 orë pa të. Blloku B1, rreth orës 10 është kthyer në system, por për fat të keq, sërish ka reaguar mbrojtja dhe prapë është jashtë sistemit”.
Zoti Berisha tha se ekipet e kësaj korporate janë duke punuar për riparimin e defekteve, ndërkohë që mungesa e energjisë elektrike ka shkaktuar edhe telashe të tjera për qytetarët e Prishtinës. Disa nga ta theksojnë se mungesa e energjisë elektrike është pasuar edhe me mosfurnizim me ujë të pijshëm si dhe ngrohje qendrore nga ngrohtorja e qytetit.
Idriz Krasniqi: “Energji elektrike nuk ka pasur. Më shumë ka qenë pa të se sa me të dhe nuk ka kurrfarë përparimi. Siç duket, çdo herë e më keq. Ujë, ashtu – kështu, ka pasur nganjëherë.
Blerina Jorgaqi: “Rrymë nuk kemi pasur prej 8 deri në 10 të mbrëmjes. Gjatë natës ka ikur në orën 2 e 45 dhe tani ka ardhur në 10 e 15. Unë banoj në Ulpianë dhe ngrohje nuk ka pasur. Këto ditë nuk ka funksionuar fare. Kurse furnizimi me ujë është ndërprerë aty nga mesdita, prej orës 12 deri në 4.
Agim Bajrami: “Gjendja është më e keqe se katastrofale. Rryma ndërprehet pa kurrfarë orari, pa kurrfarë paralajmërimi. Të gjitha mjetet, stabilimentet e kanë mundësinë maksimale që të prishen, sepse vjen e ik, vjen e ik. Brenda 5 minutave 5 herë ndërpritet. Në 24 orët e fundit, nëse nuk gabohem, në përgjithësi kemi pasur 7 orë të plota me rrymë, të tjerat kemi qenë në terr. Uji, si gjithmonë, kjo është bërë e zakontë, më shumë nuk ka sesa ka. Kjo ishte dashur që definivisht të sqarohet një herë e përgjithmonë dhe unë mendoj se përgjegjësinë për tërë këtë e ka UNMIK-u”.
Mosfurnizimin apo furnizimin e kufizuar të qytetarëve me ngrohje e pohon edhe Bashkim Ibrahimi, drejtori i ngrohtores së qytetit “Termokos”. Ai thekson se, pavarësisht se ngrohtorja prodhon ngrohje, për shkak të mungesës së energjisë elektrike në qytet, ata nuk mund ta shfrytëzojnë atë.
“Sa i përket ditës së sotme, thuajse 90 përqind të qytetit nuk ka pasur ngrohje për shkak të rrymës elektrike. Këto mund t’i vërejmë nga parametrat tonë të furnizimit me ngohje që i kemi këtu dhe në bazë të temperaturës që është rritur shumë, do të thotë se nuk është duke u shfrytëzuar ngrohja”.
Problemet e ngjashme i pohon edhe Çaush Bajrushi, drejtori i ujësjellësit “Batllava” .
“Mungesa e energjisë elektrike i shkakton shumë vështirësi edhe ujësjellësit rajonal të Prishtinës, i cili mbulon me furnizim me ujë të pijshëm jo vetëm Prishtinën, por edhe lokalitetet tjera siç janë: Podujeva, Fushë Kosova, Kastrioti, Shtimja dhe afër 6 e më tepër fshatra që janë të kyçura në rrjetin e ujësjellësit. Konsumatorët që ne i furnizojmë me ujë të pijshëm, afër 65 përqind janë të furnizuar mirë, ndërsa 35 përqind janë të furnizuar dobët ose hiç fare, për shkak të mungesës së energjisë elektrike”.
Në anën tjetër, defektet e shkaktuara në Bllokun B1, kanë ndodhur vetëm 4 ditë pas futjes zyrtare në system të prodhimit, pas riparimeve që janë bërë në këtë bllok. Lidhur me këtë, zoti Berisha thotë:
“Nuk mund ta komentoj këtë. Të gjitha testimet që kanë qenë deri tani, kanë qenë mjaft të suksesshme, mirëpo reagimet e mbrojtjes në të dy blloqet e kanë shkaktuar ndaljen e tyre. Pastaj ekspertët tonë do të tregojnë se ku qëndron problemi në detaje”.
Sidoqoftë, sipas zotit Berisha, pritet që në orët e mbrëmjes së sotme defektet e shkaktura në Bllokun B1 do të mënjanohen dhe se furnizimi me energji elektrike do të stabilizohet.

XS
SM
MD
LG