Ndërlidhjet

HARADINAJ:"QEVERIA E RE - FUNKSIONALE DHE GJITHËPËRFSHIRËSE"


Ramush HARADINAJ, kryetar i AAK-së dhe kandidat për kryeministër të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, shefi i Politikës së Jashtme të Unionit Evropian Javier Solana, mbrëmë ka pohuar se po ndjek nga afër punën në krijimin e qeverisë së re të Kosovës, për të shtuar se Kosova po hyn në një periudhë kyçe kur energjitë duhet të përqëndrohen në arritjen e standardeve, në veçanti në mbrojtjen e pakicave. Si e shihni ju këtë prononcim të zotit Solana dhe në përgjithësi pozicionimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj formimit të qeverisë së re të Kosovës?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj që parashikimet e mëhershme të të gjithë neve në Kosovë, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare për mënyrën e qeverisjes, kanë qenë të ndryshme. Ne kemi patur një debat të brendshëm se cila është mënyra më e mirë e qeverisjes. Megjithatë pas zgjedhjeve që kanë qenë të rregullta, dy nga partitë politike të Kosovës, me këtë rast Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës. E kuptojmë interesimin e zotit Solana, por edhe të qeverive veç e veç. Bindja ime është që bashkësia ndërkombëtare ka para vetes një koalicion qeverisës dhe do të ketë institucione në Kosovë që do të jenë vepruese dhe që do të mund të zbatojnë me sukses agjendën që ka Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, subjektet politike që kanë mbetur në opozitë, kanë kritikuar marrëveshjen për koalicionin ndërmjet LDK-së dhe AAK-së. Pos të tjerash është thënë se koalicioni do të jetë jetëshkurtër. Si u përgjigjeni kritikave të tilla?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se ne në Kosovë kemi bërë përparim të dukshëm në zhvillimin tonë. Edhe jeta politike në Kosovë ka pësuar zhvillime që mendoj se janë për t'u çmuar. Kjo është përvoja e parë e jona e të vepruarit në institucionet e Kosovës duke patur edhe opozitë. Po ashtu është edhe përvoja e parë e opozitës. Opozita i ka shprehur pikëpamjet e veta, që mendoj se janë të një periudhe të hershme të ballafaqimit me këtë realitet në Kosovë. Por ajo që mund të them me këtë rast është se koalicioni qeverisës e ka marrë seriozisht punën dhe përgjegjësitë që na kanë dalë. Jemi duke bërë përgatitjet e duhura. Do të kemi një qeveri që do të jetë jo vetëm funksionale, por gjithëpërfshirëse, me ekspertët më të mirë që ka Kosova dhe jam i bindur që në këtë mandat ne do t'i arrijmë rezultatet që i presim. Po ashtu me këtë rast deklaroj dhe bëj premtim se do t'i sigurojmë hapësirën e nevojshme opozitës, që të dijë për punën e qeverisë dhe të institucioneve, që të mund të zhvillojë rolin e vet në jetën politike dhe atë institucionale si opozitë, pra në kushtet që ne do t'i krijojmë si pozitë në institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, Kosova po hyn në një fazë shumë delikate të zhvillimeve politike. Deri në mesin e vitit të ardhshëm kërkohet përmbushja e standardeve, si parakusht për fillimin e bisedimeve kushtuar statusit përfundimtar të Kosovës. Cila do të jetë strategjia e qeverisë së Kosovës në këtë plan?

RAMUSH HARADINAJ
Ne kemi bërë përgatitjet e para për këtë. Kemi bërë edhe planin veprues për gjashtëmujorin e parë, një plan i cili është në shqyrtim e sipër, në të cilin ne kemi paraparë veprimet veç e veç brenda qeverisë së Kosovës që në mesin e vitit 2005, të arrijmë suksesshëm. Këtu kemi parasysh përshpejtimin e procesit të decentralizimit dhe përshpejtimin e punës që bëhet në grupin punues në Kosovë. Do të veprojmë në ekonominë në Kosovë, duke synuar nisjen ekonomike si shumë të domosdoshme me mobilizim të potencialit vendor dhe me bashkim të të gjitha politikave ekonomike që egzistojnë në Kosovë. Sikurse dihet në Kosovë kanë ndodhur ndryshime edhe në shtyllën e katërt, por edhe në ministritë në Kosovë. Ne presim që qeveria e re, në bashkëpunim me mekanizma të tjerë që veprojnë në Kosovë, të synojnë një nisje ekonomike dhe në këtë mënyrë të sigurojmë që fokusi jonë në prioritetet, që janë standardet për Kosovën, si të veçuara për gjashtëmujorin e parë, të bëjnë të mundur në të njëjtën kohë edhe një zhvillim të gjithëmbarshëm të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej sfidave me të cilat do të ballafaqohet qeveria e re, është përmirësimi i raporteve ndëretnike, veçanërisht nëse kihen parasysh dilemat e përfaqësuesve të komunitetit serb, për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës. Si e shihni ju këtë çështje?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se ne kemi kaluar nëpër vështirësi në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë. Këto marrëdhënie mund të them se janë tani në një fazë më të mirë. Egzistojnë dallime në qëndrimet politike dhe në kërkesat politike me këtë rast, që në një mënyrë janë për serbët e Kosovës të artikuluara nga qeveria e Beogradit. Ne po bëjmë përpjekje dhe po punojmë që t'i arrijmë serbët e Kosovës që të bashkëpunojmë dhe të bëhen pjesë e projektit që e kemi të përbashkët në Kosovë, por jo vetëm kaq. Ne po bëjmë punën e duhur që grupet për dialogun teknik të zhvillohen dhe të aftësohen, që t'i trajtojnë të gjitha çështjet e ndërsjella me qeverinë e Beogradit. Ne nuk kemi dilema dhe nuk kemi iluzione se kemi vështirësi në shumë aspekte në Kosovë, por po ashtu ne kemi besim se do të arrijmë që edhe serbët e Kosovës të bëhen pjesë, të marrin përgjegjësinë e vet në institucionet e Kosovës dhe jo vetëm kaq, po bashkarisht të gjithë ne në Kosovë, edhe serbët e Kosovës të krijojmë atë jetë të cilën ne e synojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, Kosova dhe qytetarët e saj po përballen me një situatë të rëndë sociale. Kategori të tëra të popullatës jetojnë në varfëri. A mund të priten hapa konkretë në zbutjen e kësaj situate?

RAMUSH HARADINAJ
Ne në periudhën qeverisëse tre vjeçare tani, kemi ndërmarë disa veprime dhe kemi punuar disa skema sociale, që kanë qenë do të thoja më shumë një ndërhyrje, ose një ndihmesë për të lehtësuar gjendjen e rëndë sociale të shumë kategorive të qytetarëve në Kosovë. Ne tani kemi plan konkret se si të qasemi ndaj gjendjes së rëndë sociale të qytetarëve të Kosovës, jo vetëm të pensionistëve, pra të personave të moshuar, të hendikepuarve, të familjeve që kanë të papunë, por edhe të kategorive të qytetarëve që janë meritorë për lirinë e Kosovës dhe që në periudhën e luftës së Kosovës kanë humbur më të dashurit e tyre. Mendojmë edhe në invalidët e luftës, në familjet e martirëve dhe të gjithë ata që kanë pësuar nga lufta dhe që tani gjenden në një situatë të rëndë sociale në Kosovë.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG