Ndërlidhjet

PARTITË E PAKICAVE TË GATSHME PËR PJESËMARRJE NË KOALICIONIN E ARDHSHËM QEVERITAR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Subjektet përfaqësuese të pakicave të tjera në Kosovë, kërkojnë një përfaqësim më të madh në institucionet vendore. Në një kohë që subjektet serbe, janë deklaruar se janë në pritje të kthimit të Soren Jessen Petersenit nga Nju Jorku, para se të vendosin për përfaqësimin e tyre në institucione, subjektet e pakicave të tjera, që përfaqësohen në institucionet e Kosovës, vlerësojnë se shtimi i ministrive nga 10 në 13 sa do të ketë qeveria e re, nënkupton dhe një përfaqësim më të madh të tyre në institucione. Kryetari i koalicionit boshnjak VAKAT, Xhezair Murati, thotë se subjekti i tij si pjesë e koalicionit të ri qeverisës, përveç ministrive, kërkon dhe poste nën ministrore. Ai pohon gjithashtu, se momenti nëpër të cilin po kalon Kosova kërkon një proces të përmbushjes së standardeve dhe krijimin e një Kosove shumë-etnike, prandaj edhe duhet një përfaqësim më i kënaqshëm i pakicave në qeveri:
“Përndryshe, ne preferojmë Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Bujqësisë”, tha Xhezair Murati. Në anën tjetër, edhe partnerët e rinj qeverisës, LDK-ja dhe AAK-ja, nuk i kanë bërë publike ende detajet e marrëveshjes në lidhje me atë se cilat janë ato ministri që do t’u ndahen pakicave dhe cilave subjekte.
Pjesë e koalicioni të ri qeverisës është dhe Partia Demokratike Turke e Kosovës. Kryetari i saj Mahir Jagxhilar thotë se vendimi për t’u përfaqësuar në koalicionin e ri, ka si qëllim mbrojtjen më të mirë të të drejtave të komunitetit që përfaqëson. Jagxhilar thekson po ashtu, se Partia Demokratike Turke i ka kërkesat e veta, por nuk do të pengojë procesin edhe nëse partnerët e koalicionit i ndajnë më pak vende në qeveri:
“Gjithmonë çdo parti politike ka kërkesa të mëdha, por ne jemi të vetëdijshëm dhe nuk kemi kërkesa megalomane. Në qoftë se na japin dy ministri do të ishte shumë mirë, e në qoftë se jo, ne do të punojmë për të mirën e Kosovës dhe komunitetit," tha Jagxhilar.
Koalicionin e ri qeverisës e përbëjnë tre parti shqiptare, një boshnjake dhe një turke, kurse Korniza Kushtetuese parasheh post ministror edhe për pakicën serbe, por që do të varet nga shefi i UNMIK-ut se si do ta rregullojë në fund çështjen e ndarjes së ministrive apo të një ministrie për komunitetin serb.

XS
SM
MD
LG