Ndërlidhjet

KIEV


Parlamenti i Ukrainës i ka shpallur të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 21 nëntorit. Votimi është bërë në një takim të jashtëzakonshëm të parlamentit, që ishte konvokuar për të diskutuar krizën në vend.
Kryetari i Parlamentit Vladimir Lytvyn ka deklaruar:
"I deklarojmë të pavlefshme rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të 21 nëntorit, sepse ato ishin të përcjella me shkelje të ligjit zgjedhor, dhe nuk reflektuan vullnetin e popullit", ka thënë Vladimir Llytvyn.
Deputetët e Parlamentit, gjithashtu i kanë shfaqur mosbesim Komisionit Qendror Zgjedhor dhe kanë ftuar presidentin Leonid Kuçma të emërojë anëtarë tjerë.
Ky votim paraqet fitore simbolike për kandidatin opozitar Viktor Jushchenko dhe për dhjetëra mijëra mbështetës të tij, që për 6 ditë me radhë po protesojnë në Kiev dhe qendra tjera të Ukrainës.
Në Moskë, kryetari i parlamentit rus Boris Grizlov, ka deklaruar se askush nuk ka të drejtë të kontestojë rezultatet e votimeve të datës 21 nëntor.
Unioni Evropian më herët kishte kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve tjera deri në fund të vitit.
Ndërkohë, bëhet e ditur se gjatë ditës janë mbajtur demonstrata në Doneck, në lindje të Ukrainës, ku disa dhjetëra mijëra veta kanë mbështetur fitoren e Janukovicit në zgjedhjet e 21 nëntorit. Ata kanë thënë se do të kërkojnë autonominë e kësaj pjese të Ukrainës, nëse kandidati i opozitës Viktor Jushcenko vjen në pushtet.
XS
SM
MD
LG