Ndërlidhjet

SERBËT VENDOSIN DECENTRALIZIMIN SI KUSHT PËR PJESËMARRJEN NË INSTITUCIONE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pjesëmarrja e subjekteve përfaqësuese të serbëve të Kosovës në institucione, vazhdon të kushtëzohet me kërkesa të veçanta, siç është procesi i decentralizimit dhe garantimi i një sigurie më të madhe për këtë komunitet. Këto garanca, sipas përfaqësuesve serbë, duhet t'i japin prania ndërkombëtare në Kosovë si dhe institucionet dhe përfaqësuesit e shumicës. Kryesuesi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviç, e ndërlidh drejtpërdrejt pjesëmarrjen e serbëve në institucione me fillimin e menjëhershëm të procesit të decentralizimit:
"Konkretizimi i decentralizimit, që do të përfshinte të gjitha problemet me të cilat serbët ballafaqohen, sigurisht se do të na ofronte neve më afër institucioneve”, tha Ivanoviç. Sipas tij, do të ishte me rëndësi që decentralizimi të fillohet me disa pilot projekte, duke krijuar dhe deri në 40 komuna të reja, të cilat do të kishin më shumë përgjegjësi të bartura nga niveli qëndror:
“Është evidente se serbët, në këto rrethana, mund të organizojnë jetën e tyre vetëm nëse përbëjnë shumicën nëpër këto komuna, çka kanë treguar dhe zgjedhjet e mbajtura deri më tani”, thotë Ivanoviç, duke besuar se këto plotësimi i këtyre kërkesave do të nënkuptonte ofrimin e serbëve te institucionet vendore. Ai mbështet zhvillimin e decentralizimit sipas planit të Serbisë dhe jo Kornizës për Pushtetin Lokal të hartuar në Prishtinë dhe përkrahur nga Grupi i Kontaktit, duke vlerësuar se komunat e reja nuk ka rrezik të ndahen nga Kosova, sepse kjo, sipas tij do të rregullohej në atë mënyrë që ato të organizohen përbrenda territorit të Kosovës.
Ndërkohë, një përfaqësuese tjetër e komunitetit serb, Rada Trajkoviç, e cila e kundërshton përfaqësimin e serbëve në institucionet vendore, mendon se institucionet e Kosovës shërbëjnë kryesisht për interesat e shumicës dhe se në këto institucione, serbët nuk mund t’i realizojnë të drejtat e veta:
“Përjashtimi i Beogradit nga zhvillimet në Kosovë paraqet një problem të madh për serbët, sepse përjashtimi i Beogradit, në njëfarë mënyrë bën të mundur zgjidhjen statusit të Kosovës, çka është problem”, thotë Trajkoviç. Një pozicion i tillë i Beogradit, sipas saj, bën që statusi i Kosovës të zgjidhet në favor të shqiptarëve, çka nuk do t’i kënaqte kërkesat serbe. Ndërsa Rada Trajkoviç, nuk ka konkurruar fare për përfaqësim në institucionet vendore, Oliver Ivanoviç, subjekti i të cilit ka fituar 8 mandate në Kuvend, duke iu falënderuar vendeve të rezervuara, mendon se Lista Serbe, nuk do të marrë pjesë në seancën e parë plenare, nëse organizohet gjatë fundit të kësaj jave. Ai është në pritje të kthimit të shefit të UNMIK-ut nga Këshilli i Sigurimit për t’i shtruar dhe njëherë kërkesat e serbëve, si kusht për përfaqësim në institucionet e Kosovës.


XS
SM
MD
LG