Ndërlidhjet

VAZHDOJNË GJYKIMET NË HAGË


Augustin Palokaj, Hagë

Në Tribunalin e Hagës për Krime Lufte në territorin e ish-Jugosllavisë ka vazhduar procesi gjyqësor kundër tre ish pjesëtarëve të UÇK-së Fatmir Limajt, Haradin Balajt dhe Isak Musliut. Këta të tre janë akuzuar për krime lufte në atë që Prokuroria e ka quajtur si burg në kampin e Llapushnikut dhe për disa për disa vrasje të civilistëve që dyshohet se janë kryer në malet e Berishës.
Ndërkohë më herët gjatë ditës së sotme në sallë të gjyqit, ish kryeministri i Rusisë Jevgeni Primakov, ka dëshmuar sot si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin kundër ish presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviç, të akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Primakov, i cili kontaktet me ish-udhëheqësin serb i kishte që nga fillimi i viteve 90' kur ishte në krye të shërbimit rus të zbulimit, ka thënë sot se sipas tij, i akuzuari Millosheviç nuk ka qenë për krijimin e Serbisë së Madhe, sepse ka qenë i vetëdijshëm se ajo mund të krijohet vetëm përmes gjakderdhjes. Gjatë pyetjeve të cilat ja bënte i akuzuari Millosheviç në cilësinë e mbrojtjes së vetvetes, ish-kryeministri i Rusisë ka thënë se vendi i tij ka qenë kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, por ka pranuar se Rusia nuk ka mundur të bëjë asgjë më tepër në këtë drejtim, sepse nuk ka dashur që raportetet e veta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe perëndimin t'i kthejë në periudhën e Luftës së Ftohtë. Primakov tha se ka patur disa përpjekje për zgjidhjen paqësore të krizës në Kosovë, se ka biseduar gjatë bombardimeve disa herë me vetë Millosheviçin, të cilin e ka bindur të bëjë disa lëshime, por asnjëherë nuk ka arritur t'i bindë liderët e vendeve perëndimore se këto lëshime të Millosheviçit janë të mjaftueshme për ndaljen e sulmeve të NATO-s. Ndër personat me të cilët kishte biseduar për ndaljen e sulmeve, Primakov ka përmendur presidentin e Francës Shirak, kancelarin gjerman Shrëder sikurse edhe ish zëvendëspresidentin amerikan Al Gore, por ata nuk kanë pranuar t'i ndalin sulmet. Primakov tha gjatë dëshmisë së tij se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë sipas tij, nuk e ka zgjidhur problemin e Kosovës por ka arritur të kundërtën, sepse tani, mendon ai, nga Kosova janë larguar shumica e serbëve.
Gjatë egzaminimit të dëshmitarit nga ana e Prokurorisë, Jevgeni Primakov është pyetur edhe për lidhjet e tij me shërbimet sekrete serbe që në kohën e luftës në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci, por ai, megjithëse pranoi se ka patur kontakte të rregullta të shërbimeve ruse dhe atyre serbe, nuk deshi të hyjë në hollësi, duke thënë se ato nuk janë të rëndësishme për këtë gjykim. Primakov tha se Millosheviç kishte luajtur një rol pozitiv në arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit, gjë që, tha sot Primakov, ia ka pranuar në bisedë edhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Medlin Ollbrajt. Jevgeni Primakov është njëri ndër dëshmitarët e shumtë rusë që po paraqiten si dëshmitarë të mbrojtjes në procesin kundër ish-presidentit serb Millosheviç dhe personaliteti me postin më të lartë që deri tani është paraqitur si dëshmitar i tillë në këtë gjykim.


XS
SM
MD
LG