Ndërlidhjet

BERISHA: PËRMBUSHJA E STANDARDEVE- DETYRË E VËSHTIRË PËR QEVERINË E RE


Ibrahim Berisha, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, nesër do të mbahet mbledhja konstituive e parlamentit të ri të Kosovës, në të cilin siç është thënë do të votohet në pako për udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Çfarë mund të pritet nga këto institucione?

IBRAHIM BERISHA
Së pari, vetë fakti që votohet në pako dhe jo veçmas për secilin institucion apo person, flet për një proces jodemokratik në zgjedhjen e institucioneve të Kosovës. Kjo, në një mënyrë prejudikon edhe cilësinë e atyre që do të zgjidhen dhe vetë fakti që nuk ka pasur transparencë të duhur dhe konkurrencë të hapur në mes kandidatëve apo brenda partive, është një hendikep që do të shprehet edhe në cilësinë e qeverisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, administrata ndërkombëtare dhe zoti Petersen kanë thënë se qeveria ka dalë nga zgjedhje të drejta dhe demokratike, prandaj edhe do të pranohet si e tillë.

IBRAHIM BERISHA
Është e natyrshme, që procedurat demokratike që u kanë paraprirë zgjedhjeve e po kështu edhe vetë menaxhimi i këtyre procedurave ka dhënë rezultatin që tashmë është publik. Por, në deklaratat e përfaqësuesve ndërkombëtarë, nga ajo që shihet, ka tekst dhe nëntekst. Teksti është ai që thuhet, ndërsa nënteksti është ai që duhet të deshifrohet nga politikanët dhe opinioni i Kosovës. Ky është një problem që do ta përcjellë punën e secilit ministër dhe të qeverisë në tërësi. Mendoj se mostransparenca në zgjedhje dhe moskonkurrenca e duhur brenda partive për kandidatë më të mirë, si dhe pakënaqësitë që ekzistojnë brenda vetë partive me disa nga emrat, që do të jenë të nominuar për udhëheqës të ministrive të caktuara, nuk i jep shumë shanse kësaj qeverie të jetë e suksesshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, edhe në raportin e paraqitur nga zoti Petersen para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por edhe në diskutimet e mëvonshme, është thënë se çështja më e rëndësishme në Kosovë është përmbushja e standardeve. Çfarë parashihni ju deri në mesin e vitit 2005, si do të jetë vlerësimi për këto standarde?

IBRAHIM BERISHA
Ka këtu dy çështje që duhen ndarë. Njëra është se me vlerësimin pozitiv të standardeve identifikohet në një mënyrë edhe vetë UNMIK-u, KFOR-i dhe institucionet e tjera ndërkombëtare dhe në anën tjetër, niveli i dytë është se çfarë bëjnë institucionet e Kosovës lidhur me standardet. Mirëpo, nuk ka shumë shenja që do të ketë ndryshime rrënjësore në konceptimin dhe zbatimin e detyrimeve që dalin nga standardet. Aq më pak në këta gjashtë muaj, pasi qeveri është në ndërrim, administrata nuk është e konsoliduar, kriza sociale është duke u thelluar, problemet janë të shumëllojshme, privatizimi nuk ecën, kështu që po them janë disa faktorë socialë, ekonomikë dhe politikë, që mund të ngadalësojnë realizimin e detyrave që dalin për institucionet e Kosovës karshi standardeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë duhet dhe cili mund të jetë roli i partive opozitare në një situatë të tillë, kur edhe vetë Petersen ka thënë se qeveria është përgjegjëse për përmbushjen e standardeve dhe ka një detyrë të vështirë deri në vitin 2005?

IBRAHIM BERISHA
Ndoshta, shërbimi më i madh që ka mundur t’u bëhet partive, veçmas Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë lënia në opozitë. Kjo, në një mënyrë apo në një tjetër ia heq kësaj partie përgjegjësinë për proceset, por sigurisht që u jep mundësi shumë të mëdha, edhe ORA-s edhe veçmas PDK-së që të jetë një opozitë shumë konstruktive dhe që të ndihmojë jo vetëm në procesin e realizimit të detyrave që i shtrohen Kosovës në planin politik dhe social, por edhe të kontrollojnë në mënyrë shumë rigoroze punën e qeverisë dhe të institucioneve të tjera, kontroll ky që ka munguar deri diku në qeverinë e kaluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, sa besoni ju se do të jetë i mundur një rol i tillë, apo si do të reflektohet një rol i tillë?

IBRAHIM BERISHA
Do të jetë shumë vështirë që në një shoqëri të tillë krize, të ketë një ndarje të qartë të detyrave të pozitës dhe të opozitës, sepse mostransparenca në procedurat e zgjedhjes së ministrave, pakënaqësitë brenda partive flasin se ka ende personalitete dhe grupe interesash, që nuk janë të gatshme të jenë të hapura dhe që punët e shërbimeve publike të jenë edhe pjesë e kontrollit të qytetarit. Domethënë i duan privilegjet, por nuk pranojnë përgjegjësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, si do të ndikojë bojkoti, ta quajmë ashtu, i serbëve, meqenëse ata kanë thënë se nuk do të marrin pjesë madje as në mbledhjen konstituive të parlamentit të Kosovës. Si do të ndikojë kjo në proceset e mëtejshme?

IBRAHIM BERISHA
Sigurisht që do të ndikojë, pasi mendoj që ka një problem praktik që nuk preket shumë- deri sa ka prona të ligjshme të uzurpuara të serbëve, banesa, lokale, shtëpi, atëherë problemi i bojkotit merr dimensionin tjetër, që do të thotë pamundësi a e sigurimit të jetës dhe lëvizjes së lirë. Ky është problemi i institucioneve të Kosovës. Mirëpo, po të sigurohet ky aspekt i çështjes, atëherë lehtësohet shumë puna dhe është pastaj çështje politike nëse serbët dëshirojnë apo nuk dëshirojnë, pra ka një dallim ndërmjet interesave ekzistenciale dhe interesave politike të serbëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të ndikojë mospjesëmarrja eventuale e serbëve në institucionet e Kosovës, kur dihet që standardet prioritare kanë të bëjnë me çështje që janë të lidhura me pakicat, si liria e lëvizjes, kthimi e çështje të tjera?

IBRAHIM BERISHA
Do të reflektohet në ngadalësimin e realizimit të këtyre standardeve, pasi një prej çështjeve themelore këtu është realizimi i të drejtave të minoriteteve në tërësi e veçmas në këtë rast të serbëve – kthimi i tyre, siguria, lëvizja e lirë etj. Mospranimi i përgjegjësive të tyre për procesin, natyrisht që nuk shkon në favor të zgjidhjes më të shpejtë të statusit të Kosovës, përkatësisht mund ta ngadalësojë procesin.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI

XS
SM
MD
LG