Ndërlidhjet

RUGOVA NOMINON ZYRTARISHT RAMUSH HARADINAJN PËR KRYEMINISTËR TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Një ditë para seancës së parë plenare të Kuvendit të Kosovës, nga priten të zgjidhen organet e reja drejtuese të Kosovës, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen u ka dërguar mesazhe liderëve dhe subjekteve vendore, sidomos partnerëve të rinj në koalicionin qeverisës për rëndësinë që ka krijimi i një qeverie funksionale në Kosovë. Tani kur kemi siguruar mundësinë e hapjes së çështjes së statusit të Kosovës, varet nga qeveria dhe ministrat e rinj sa ata do të punojnë që ky proces të fillojë, ka thënë Petersen, pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova. Kryeadministratori Petersen tha po ashtu se ai pret që nesër në Kuvend të zgjidhen të gjitha organet e reja të Kosovës, në mënyrë që institucionet e reja të dëshmohen në punën e tyre sa i përket plotësimit të standardeve dhe të krijojnë kështu një ambjent të përshtatshëm, që brenda 6 muajve të ardhshëm të shtrohet për diskutim statusi përfundimtar i Kosovës.
"Unë e kam bërë të qartë dhe këtë ja përsërita edhe sot presidentit, se na duhen ministrat më të mirë dhe më të aftë, sepse ata tani duhet ta ndërtojnë Kosovën deri tek vlerësimi pozitiv i standardeve", tha Petersen. Ai e paralajmëroi Rugovën në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike, si edhe pjesën tjetër të koalicionit, se puna e ministrave do të vëzhgohet nga afër dhe do të identifikohet çdo ngecje në secilën fushë të veprimit në kuadër të standardeve, para afatit të caktuar për mesin e vitit 2005. Nëse do të identifikohen raste kur ministrat nuk do të dëshmohen në punën e tyre, Petersen paralajmëroi sanksionimine tyre dhe mundësinë e largimit nga postet, që priten t'i marrin nga dita e nesërme.
"I tregova presidentit se ne do ta përcjellim punën nga shumë shumë afër dhe se në një fazë apo tjetrën ndiejmë se nuk po arrihet progres, atëhere presim nga kryeministri dhe presidenti që të marrin vendimet e duhura", tha Petersen. Në të kundërtën, shtoi shefi i UNMIK-ut, do të dështojmë të gjithë, Kosova, qytetarët e saj dhe qeveria e re.
Ndërkohë përmes një komunikate me shkrim, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka nominuar sot zyrtarisht Ramush Haradinajn për kryeministër të Kosovës. I nominuari për mandatarin e ri të qeverisë së Kosovës Haradinaj, tha se ishte i inkurajuar me risitë që Petersen ka sjellë nga turneu i tij i fundit diplomatik në Nju Jork.
" Tha se ka marrë një mbështetje për agjendën në Kosovë, për standardet për Kosovën, dhe se shumëçka do të varet nga puna jonë, por që ka një mbështetje që të arrijmë suksesshëm në vlerësim", tha Haradinaj.
Petersen do të takojë edhe kryetarin e Partisë Demokratike Hashim Thaçi, bartësin e listës qytetare ORA Veton Surroi, si dhe përfaqësuesit e komunitetit serb.


XS
SM
MD
LG