Ndërlidhjet

PETERSEN TAKOHET ME PËRFAQËSUESIT POLITIKË PARA MBLEDHJES SË NESËRME TË KUVENDIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Një ditë para seancës së parë plenare të Kuvendit të Kosovës, nga priten të zgjidhen organet e reja drejtuese të Kosovës, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen u ka dërguar mesazhe liderëve dhe subjekteve vendore, sidomos partnerëve të rinj në koalicionin qeverisës për rëndësinë që ka krijimi i një qeverie funksionale në Kosovë. Tani kur kemi siguruar mundësinë e hapjes së çështjes së statusit të Kosovës, varet nga qeveria dhe ministrat e rinj sa ata do të punojnë që ky proces të fillojë, ka thënë Petersen, pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova.
Kryeadministratori Petersen tha po ashtu se ai pret që nesër në Kuvend të zgjidhen të gjitha organet e reja të Kosovës, në mënyrë që institucionet e reja të dëshmohen në punën e tyre sa i përket plotësimit të standardeve dhe të krijojnë kështu një ambjent të përshtatshëm, që brenda 6 muajve të ardhshëm, të shtrohet për diskutim statusi përfundimtar i Kosovës.
"Unë e kam bërë të qartë dhe këtë ja përsërita edhe sot presidentit, se na duhen ministrat më të mirë dhe më të aftë, sepse ata tani duhet ta ndërtojnë Kosovën deri tek vlerësimi pozitiv i standardeve", tha Petersen. Ai e paralajmëroi Rugovën në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike, si edhe pjesën tjetër të koalicionit, se puna e ministrave do të vëzhgohet nga afër dhe do të identifikohet çdo ngecje në secilën fushë të veprimit në kuadër të standardeve, para afatit të caktuar për mesin e vitit 2005. Nëse do të identifikohen raste kur ministrat nuk do të dëshmohen në punën e tyre, Petersen paralajmëroi sanksionimin e tyre dhe mundësinë e largimit nga postet, që priten t'i marrin nga dita e nesërme.
"I tregova presidentit se ne do ta përcjellim punën nga shumë shumë afër dhe se në një fazë apo tjetrën, ndiejmë se nuk po arrihet progres, atëhere presim nga kryeministri dhe presidenti, që të marrin vendimet e duhura", tha Petersen. Në të kundërtën, shtoi shefi i UNMIK-ut, do të dështojmë të gjithë, Kosova, qytetarët e saj dhe qeveria e re.
Ndërkohë përmes një komunikate me shkrim, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ka nominuar sot zyrtarisht Ramush Haradinajn, për kryeministër të Kosovës. I nominuari për mandatarin e ri të qeverisë së Kosovës Haradinaj, tha se ishte i inkurajuar me risitë që Petersen ka sjellë nga turneu i tij i fundit diplomatik në Nju Jork.
" Tha se ka marrë një mbështetje për agjendën në Kosovë, për standardet për Kosovën dhe se shumëçka do të varet nga puna jonë, por që ka një mbështetje që të arrijmë suksesshëm në vlerësim", tha Haradinaj.
Gjatë orëve të mbrëmjes Petersen ka takuar ndaras edhe kryetarin e Partisë Demokratike Hashim Thaçi, bartësin e listës qytetare ORA Veton Surroi, si dhe përfaqësuesin e "Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë" Oliver Ivanoviç. Pas takimit me Petersenin lideri i PDK-së Hashim Thaçi tha se shpreson se nesër do të zgjidhen edhe institucionet e reja të Kosovës, kurse partia e tij do të kalojë në opozitë duke luajtur një rol pozitiv në proceset e ardhshme.
"Një opozitë e fortë, flas në kuptimin që të investojmë për ndërtimin e realitetit për shtetin e Kosovës, të gjejmë pikat e përbashkëta me pozitën për bashkëpunim, natyrisht të jemi opozitë e fortë në prezantimin e alternativave të reja edhe më efektive sesa qeveria e re", tha kryetari i PDK-së Hashim Thaçi. Kurse Veton Surroi tha pas takimit me kryeadministratorin Petersen se janë pajtuar që votimi nesër në Kuvend të bëhet ndaras për secilin nga shefat e rinj të institucioneve, si dhe që procedurat të rrjedhin sipas Kornizës Kushtetuese, në mënyrë që të mundësohet zgjedhja e të gjitha organeve të reja. Se si do të votojnë deputetët e ORË-s kjo mbetet e drejtë e tyre të përcaktohen, tha Surroi.
Në anën tjetër Petersen tha se krijimi i opozitës së fuqishme është shumë e dobishme për demokracinë në Kosovë. Mirëpo shefi i UNMIK-ut sot nuk ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen e "Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë" që përfaqësohet me 8 deputetë në Kuvend, ndërsa subjekti tjetër i serbëve, Iniciativa qytetare "Serbia" ka paralajmëruar pjesëmarrjen. Ivanoviç tha se kërkesat e Listës Serbe sidomos ajo për decentralizimin dhe formimin e disa komunave me shumicë serbe, mbeten ende pa përgjigje, kështu që ky subjekt politik nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme inauguruese.



XS
SM
MD
LG