Ndërlidhjet

PËRPARËSIA E QEVERISË: PAPUNËSIA, ARSIMI, STATUSI- KËRKOJNË QYTETARËT


Bekim Bislimi, Prishtinë

Papunësia, shëndetësia, arsimi, siguria dhe përgatitja për të hyrë në bisedime për zgjidhjen e statusit të Kosovës, janë çështje, të cilat institucionet e reja të Kosovës duhet t'i kenë çështje prioritare, thonë disa qytetarë të Prishtinës.
Nazmi Shkodra shpreh mendimin se para institucioneve të reja janë dy prioritete:
"Mendoj se prioritet duhet të jetë punësimi. Të shikosh rrugët plot e përplot me të rinj është tmerr e nuk ka kurrfarë perspektive. Në rend të parë edhe çështjet politike. Prioritet të kemi në çështjen e standardeve të cilat janë përcaktuar për vitin 2005. Pas asaj besoj se fillon pak një përshpejtim edhe në zgjidhjen e statusit politik të Kosovës."
Merita Maloku thotë se pret që institucionet të sigurojnë një të ardhme më të mirë për të rinjtë:
"Çështja e universitetit, punësimi. Ka shumë çka me çfarë të merret qeveria e re edhe parlamenti".
Ngjashëm pohon edhe Labinot Krasniqi:
"Po gjëja kryesore të cilës duhet t'i jepet prioritet është papunësia, arsimi dhe shëndetësia. Të mos fokusohen në pavarësi dhe në fjalë të kota, por në ekonominë e vendit, që të zvogëlohet papunësia, pak a shumë ta mbajnë popullin më të kënaqur."
Serihane Krasniqi thotë se fillimisht duhet praktikuar kultura e komunikimit në mes të përfaqësuesve të partive politike në institucione:
"Partitë të kenë mes njëra tjetrës respekt, mendoj partitë që udhëheqin funksionet e reja, qeverinë parlamentin. E dyta është siguria e popullsisë mendoj si dhe zgjidhje më të shpejtë i duhet punësimit. Nëse nuk ka punësim dihet se çfarë rruge merr rinia, kahje tjetër krejt."
Dardan Zherka thekson se janë një varg prioritetesh për institucionet e reja:
"Prioritetet e tyre do duhej të ishin së pari zhvillimi ekonomik i Kosovës. Ky është mendoj prioriteti kryesor dhe prioritete të tjera normale statusi i ardhshëm i Kosovës. Para se të futen në ato bisedime unë mendoj se duhet të bashkohen dhe ta bëjnë një platformë të përbashkët që të paraqiten në ato bisedime për statusin e Kosovës."
Ndërkaq Selim Sulejmani thotë se prioritetet e institucioneve të reja të Kosovës janë të njëjta me ato të paraardhësve të tyre:
"Ndoshta kjo qeveri do ta ketë pak më keq, pak më vështirë në atë aspektin që do duhej të bëhet një zgjidhje, ose të fillojë një zgjidhje e statusit përfundimtar, i cili besoj se është synim i çdo kosovari momentalisht. Por nuk është vetëm kjo parësore. Unë mendoj se parësore janë ndoshta gjërat më të kapshme për qytetarin e thjeshtë, është varfëria, është papunësia e madhe, është një rini ku pothuajse 60% e Kosovës është nën moshën 40 ose 30 vjeçare, të cilët ende nuk e kanë shijuar të them asnjë ditë punë dhe nuk e dinë se ç'është të fitosh për vete. Ende janë në barrën e familjes e kështu me radhë. Duket që këto do duhet të jenë gjatë këtij mandati kryesore."
Fadil Hysa shpreh mendimin se prioritet i institucioneve është që ta bindin opinionin ndërkombëtar se janë të përgatitura që ta udhëheqin Kosovën:
"Unë mendoj se gjatë këtij mandati ata duhet ta përmirësojnë imazhin e Kosovës në raport me botën, të bindin botën se ne mund të qeverisim. Dhe nëse arrijnë ta bindin botën se ne mund të qeverisim, të jemi më afër zgjidhjes së statusit të Kosovës. Nëse nuk e arrijnë këtë gjasat janë që nuk do ta bëjnë këtë punë, ata rrezikojnë të ardhmen e Kosovës dhe si të tillë marrin përsipër një barrë të fajit historik pse nuk është bërë Kosova ajo që duhet të jetë këtë vit."



XS
SM
MD
LG