Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

JUSHÇENKO - LIDERI I REVOLUCIONIT UKRAINAS


Jeremy BRANSTEIN

Pak liderë në botë kanë arritur që në rrugë të mbajnë për disa ditë me rradhë qindra mijëra demonstrues të devotshëm ndaj çëshjes së demokracisë. Një prej tyre është Viktor Jushçenko.
Por, çfarë ka kushtëzuar këtë përkushtim të idhtarëve të tij.
Katarina Volçuk, eksperte për çështjet e Ukrainës në Universitetin britanik të Birmingemit, thotë se Jushçenko nuk është lider i llojit të Vacllav Havelit, pasi i mungojnë kredencialet e disidentit në kohën e komunizmit, por as lider populist tipik për vendet e Evropës Lindore:
"Ai është bankier që ka hyrë në politikë dhe jo lider populist, siç i kemi parë në ish vendet komuniste", thotë Katarina Volçuk.
Jushçenko ka lindur në vitin 1954 në një fshat në veri të Ukrainës. Prindërit i kishte mësues, ndërsa vetë gjithë kohën ka qenë në poste të ndryshme bankiere. Në dhjetor të vitit '99, Jushçenko është zgjedhur nga presidenti Kuçma, për kryeministër dhe për këtë kishte mbështetjen e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të institucioneve perendimore.
Kjo qeveri e Jushçenkos u përmbys në prill të vitit 2001 dhe në atë kohë ai formoi koalicionin me emërtimin "Ukraina jonë".
Katarina Volçuk thotë se Jushçenko gjatë kohës që kishte ushtruar postin e kryeministrit, kishte treguar aftësi të jashtëzakonshme në planin ekonomik dhe në luftimin e korrupsionit:
"Arritja më e madhe e Jushçenkos ishte debllokimi i pagave dhe fakti që për herë të parë në Ukrainë punonjësit paguheshin në afatet e parapara. Ai kishte nxitur ndryshime pozitive në ekonominë e Ukrainës", thotë Katarina Volçuk.
Ndërkaq, analisti i radios Evropa e Lirë, Jan Maksimiuk, thotë se Jushçenko si kryeminisitër dëshmoi se edhe në Ukrainë mund të funksionojë modeli ekonomik dhe politik i perëndimit:
"Jushçenko është kryeministri i parë që dëshmoi se modeli i ekonomisë së tregut dhe qeverisjes demokratike mund të funksionojë edhe në Ukrainë", thotë Jan Maksimiuk.
Avantazhi i tij, thonë edhe shumë analistë të tjerë, është ekonomia dhe jo nacionalizmi.
Një datë interesante në biografinë e Jushçenkos është shtatori i këtij viti, kur gjatë fushatës parazgjedhore ai u sëmur, me gjasë nga helmimi. Vetë Jushçenko thotë se kishim të bënim me një përpjekje të qeverisë për ta eliminuar nga skena politike. Kjo rrethanë thonë disa analistë ka radikalizuar qëndrimet e Jushçenkos që deri atëherë ishte shumë i moderuar.
Katarina Volçuk thotë:
"Deri në fillim të këtij viti ai ishte vërtetë shumë i moderuar, sepse nuk është radikal. Radikalizimi i tij është ndikuar nga helmimi në shtator. Prej atij çasti ai ka filluar të përdorë retorikë më të fortë anti – qeveritare, duke i quajtur pushtetarët madje banditë", thotë Katarina Volçuk.
Pamja që ka marrë fytyra e tij pas këtij helmimi ka shtyrë mjekët në perëndim të konstatojnë se ai ka qenë i helmuar nga toksini i quajtur Dioksin.
Transformimi fizik i Jushçenkos muajve të fundit pas helmimit ka konfirmuar dyshimet e mbështetësve të tij se ai ishte në shënjestër të pushtetarëve të Ukrainës:
"Ai ngjall simpati. Tani madje edhe në aspektin fizik ai manifeston gjithë atë që nuk është në rregull me Ukrainën. Nëse elitat aktuale politike e kanë helmuar, siç pohon Jushçenko, kjo vetëm sa dëshmon degradimin e tyre moral", thotë Katarina Volçuk.

XS
SM
MD
LG