Ndërlidhjet

KOMBET E BASHKUARA KËRKOJNË MËNYRAT PËR TË LUFTUAR "ISLAMOFOBINË"


Nikola Krastev

Këtë javë, një konferencë e Kombeve të Bashkuara u përpoq ta përcaktojë "islamofobinë" dhe mënyrat për t'i luftuar pasojat e saj në vendimet politike, perceptimet sociale dhe ndërveprimet kulturore.
Forumi u mbajt 6 muaj pas seminarit mbi anti-semitizmin dhe është pjesë e nismës "Mosnjohja e Tolerancës".
Sekretari i Përgjithshëm Kofi Annan i dënoi aktet terroriste dhe dhunën që kryhet në emër të Islamit.
Ai bëri thirrje që të gjithë myslimanët të mos gjykohen në bazë të akteve të ekstremistëve që vrasin civilë.
Mosnjohja e thellë e Islamit ka nxitur zemërimin, urrejtjen dhe frikën për njërën nga fetë më të mëdha.
Shkollarë dhe diplomatë nga e gjithë bota u tubuan në Nju Jork për të diskutuar rritjen e valës së ndjenjave anti-myslimane.
Konferencën e hapi Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan.
"Kur bota detyrohet të sajojë një fjalë të re për ta përshkruar fanatizmin aq të përhapur, atëherë kjo të shqetëson. Rasti i tillë është me 'islamofobinë'. Kjo fjalë sikur u paraqit në vitet e 80-ta dhe 90-ta. Sot, pesha e historisë së zhvillimeve të fundit, shumë myslimanë të botës i ka bërë të ndihen të zemëruar dhe të keqkuptuar", tha Kofi Annan.
Ai i hodhi poshtë pikëpamjet e përhapura se Islami nuk përputhet me demokracinë, apo është armiqësor ndaj modernizmit dhe të drejtave të gruas.
"Çdo strategji për të luftuar islamofobinë duhet të mbështetet thellë në arsimin, jo vetëm për Islamin, por edhe për të gjitha fetë dhe traditat, kështu që të demaskohen mitet dhe gënjeshtrat. Duhet t'i parandalojmë mediat dhe internetin të mos përhapin urrejtjen, por të mbrojmë lirinë e shprehjes dhe mendimit", tha Annan.
Panelistët vërejtën se një nga shkaqet kryesore për rritjen e Islamofobisë është koncepti i xhihadit, apo "luftës së shenjtë" kundër jobesimtarëve. Militantët si Osama bin Laden u bënë thirrje myslimanëve ti bashkangjiten kauzës së tyre.
Por, Ahmed Kamal Aboulmagd, gjykatës nga Egjipti dhe profesor në Unversitetin e Kairos, thotë se në Islam nuk ekziston koncepti i "luftës së shenjtë".
"Në Islam dhe letërsinë islamike nuk ka gjë të tillë si 'lufta e shenjtë'. Ky është zbulim i perëndimit që na është veshur, nuk e di si, përse dhe kur", thotë Aboulmagd.
Por pas sulmeve të 11 shtatorit në Amerikë dhe sulmeve tjera terroriste në Rusi dhe Evropë, perceptimi ndërkombëtar për Islamin si burim i dhunës kundër civilëve, vetëm po rritet. Tashmë edhe lufta kundër terrorizmit që e ndërmorën Uashingtoni dhe qeveritë tjera, nga shumë myslimanë shihet si luftë kundër Islamit.
John Espozito është drejtor i Qendrës për Mirëkuptimin e Krishterëve dhe Myslimanëve në Universitetin George Washington.
"Ndikimi dhe implikimet e islamofobisë kanë ngritur shumë pyetje dhe çështje. Në shumë pjesë të botës myslimane është përforcuar bindja se kjo nuk është luftë kundër terrorizmit global, por është luftë kundër Islamit", thotë Espozito, duke u bërë thirrje edukatorëve dhe mediave t'i korrigjojnë pikëpamjet e shtrembëruara, dhe ta promovojnë dialogun ndërfetar dhe ndër-kulturor.
"Në fund, islamofobia, anti-semitizmi dhe format tjera të jotolerancës nuk njohin kufij fetarë, racorë, fisnorë apo kombëtarë. Porosia e fundit është e qartë: armiku nuk është Islami, por është ekstremizmi i fesë", thotë Espozito.

XS
SM
MD
LG