Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

HARADINAJ PREMTON PËRMIRËSIM TË GJENDJES SË PAKICAVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në kuadër të programit të saj, Qeveria e Kosovës do t’i kushtojë rëndësi të madhe zhvillimit ekonomik, kurse në kuadër të standardeve do të ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar pozitën e pakicave dhe lirinë e lëvizjes, ka premtuar sot kryeministri Ramush Haradinaj. Ai i ka bërë këto komente pas takimit të parë zyrtar në postin e kryeministrit, që zhvilloi sot me kryeadministratorin Soren Jessen Petersen. Haradinaj tha se programi i qeverisë do të jetë i gatshëm të martën e ardhshme dhe menjëherë ai tha se do t’ua shpërndajë atë jo vetëm qeverisë e parlamentit, por edhe opozitës dhe të gjitha subjekteve relevante në Kosovë:
“Ne në program kemi vendosur edhe aspektet vepruese dhe qeverisëse, por sidomos kemi përfshirë dhe agjendën që kemi para vetes, agjendën e standardeve, ku kemi paraparë dhe veprimet konkrete nga ato që dalin se ne kemi marrë angazhime më herët si institucione. Ju premtoj se do të ndodhin ndryshime edhe në lirinë e qarkullimit, do të ndodhin ndryshime dhe në shumë aspekte të tjera që ndërlidhen me pozitën e pakicave, veçanërisht me pakicën serbe, por po ashtu ju them se ne punojmë për Kosovën, për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.
Ndërkohë, kryeadministratori Petersen tha se i ka premtuar sot Haradinajt dorëzimin e kompetencave në fushën e ekonomisë nga java e ardhshme, si dhe shprehu bindjen se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të tejkalohen pengesat në procesin e privatizimit. Privatizimi, tha Petersen, nuk është bllokuar për shkak të një apo më shumë individëve të UNMIK-ut, por aty ka pasur pengesa serioze në definimin e çështjeve pronësore, që sipas tij tani mund të thuhet se janë tejkaluar dhe priten sinjalet nga Këshilli i Sigurimit se mund të vazhdohet tutje. Petersen tha se i ka transmetuar dhe njëherë kryeministrit të Kosovës pikëpamjet e tij për domosdoshmërinë e lëvizjeve më të shpejta pozitive, në drejtim të përmbushjes së standardeve. Në këtë rrafsh, Petersen veçoi sidomos urgjencën në përmirësimin e pozitës së pakicave:
“Ne kemi 6 deri në 8 muaj deri në kohën kur Këshilli i Sigurimit do të gjykojë nëse është arritur përparim i dukshëm dhe them se këtu nuk kemi aspak kohë për të humbur”, tha Petersen, duke shtuar se ai ishte i inkurajuar me zotimet e kryeministrit Haradinaj se do të ketë lëvizje shumë të shpejta në kuadër të plotësimit të standardeve. Në anën tjetër kryeministri Haradinaj u shpreh i gatshëm që nga fillimi i javës së ardhshme të fillohet me punën konkrete edhe në kuadër të zbatimit të reformave në pushtetin lokal. Ai tha se janë caktuar dhe bashkëkryesuesit e grupit punues që do të punojnë në caktimin dhe zbatimin e këtyre reformave. Ndërkaq Petersen pohoi se ditëve të ardhshme do të përfundojë vlerësimi i rregullt tremujor i standardeve, që sipas planit për standardet, i dërgohet dhe Këshillit të Sigurimit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombevet ë Bashkuara.
XS
SM
MD
LG