Ndërlidhjet

NË KOSOVË NUK EGZISTON MEKANIZMI I MBROJTJES SË TË DREJTAVE TË NJERIUT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Të drejtat e njeriut në Kosovë janë larg standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, thonë përfaqësues të institucioneve kompetente në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Ombudspersoni i Kosovës Marek Antoni Novicki, tha se respektimi i të drejtave të njeriut ende është larg prej asaj që mund të quhet e kënaqshme, pasi sipas tij egzistojnë probleme serioze në shumë fusha.
"Mjafton të përmendet se nuk egziston mbrojtja juridike e njerëzve, që i përket sistemit të drejtësisë dhe punës së gjyqësisë, pastaj çështje që kanë të lidhura për bashkësi të tjera joshqiptare. Niveli i pamjaftueshëm i mbrojtjes së të drejtave të pronësisë, problemet me efikasitetin e hetimeve policore, kur njerëzit janë viktima të akteve të ndryshme kriminale," tha zoti Novicki.
Ai shtoi se ende nuk egziston mekanizmi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në rastet kur ato shkelen. Bexhet Shala, drejtor egzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Prishtinë, tha se institucionet e Kosovës nuk kanë përgjegjësinë e duhur dhe nuk e marrin përgjegjësinë për shkeljen e të drejtave të njeriut. Deri tani këto institucione tha zoti Shala, nuk janë përpjekur që të krijojnë mekanizma për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
"Ne sot nuk e kemi as një adresë të saktë ku dikush mund të drejtohet dhe të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të tij. Janë dy institucionet më të mëdha në Kosovë ku zakonisht drejtohen paret. Pra është ombudspersoni është dhe KLMDNJ-ja. Mirëpo të dy këto institucione nuk kanë mundësi ta mbrojnë ose ta detyrojnë dikë ta egzekutojë një vendim. Pra edhe ne edhe ombudspersoni jemi më tepër kemi rolin e autoritetit moral."
Hua Xhi Jang, shefe e zyrës për informim në administratën ndërkombëtare tha se respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë, mund të përmirësohet me plotësimin e standardeve në periudhën e ardhshme. Ajo tha se institucionet ndërkombëtare dhe vendore vazhdimisht po punojnë për përmbushjen e standardeve, pasi sipas saj të gjitha standardet i përkasin përmirësimit të të drejtave të njeriut.
"Kur flitet për të drejtat e njeriut mendohet për të drejtat politike, ekonomike, dhe sociale" tha zonja Xhi Jang, duke shtuar se tetë standardet kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve jetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës për një jetë më të mirë dhe për krijimin e një shoqërie në të cilën të gjitha bashkësitë etnike mund të lëvizin dhe jetojnë në paqe. Zonja Xhi Jang, ndërkaq tha se në muajt e ardhshëm, një ndër prioritetet kryesore do të jetë rritja e sigurisë për serbët e Kosovës dhe krijimi i mjedisit, në të cilin pakicat mund të lëvizin lirshëm, si një prej të drejtave themelore të njeriut.

XS
SM
MD
LG